Katër biznesmenë denoncuan nga janari i këtij viti deri në maj një grup mashtruesish që përdornin emra zyrtarësh dhe personazh publikë duke kërkuar shuma të mëdha monetare. Në 4 operacione të ndryshme të Njësisë “E” në Policinë e Shtetit për këto krime u arrestuan 11 persona, pjesa më e madhe e të cilëve kishin role dytësore në mashtrim. Në operacionin e parë të koduar me emrin “Signal” ranë në pranga Jasmin Pepaj, Rezart Pepaj dhe Sherif Kadroviç. Tre të rinjtë shkodranë tentuan që përmes një mesazhi ku prezantoheshin me emrin “Edi” të mashtrojnë biznesmenin e ndërtimit Pëllumb Salillari duke i kërkuar 130 mijë euro. Tri ditë më vonë, policia prangosi 3 të dyshuar të tjerë, Erjon Likën, Edmir Jaçen dhe Gazmir Ismailajn, në operacionin “Subjekti”.
Ata tentuan që t’i merrnin 13 mijë euro administratorit të një biznesi në Kamzë. Më tej, më 13 shkurt në operacionin “Tentativa” u arrestuan Ergys Ahmetaj, Andi Basha dhe Gëzim Kusi, të cilët i kërkuan para pronarit të një kazinoje në Tiranë. Në rastin e fundit, autorët i kërkuan 100 mijë euro biznesmenit Ram Geci, të cilit në mënyrë mashtruese iu prezantuan në emër të kryebashkiakut të Tiranës. Policia gjurmoi personat që shkuan të marrin paratë dhe arrestoi babë e bir, Bedri e Albert Vodha, gjatë operacionit të koduar “Telegram”. Sipas policisë, të katër episodet kanë të përbashkët mënyrën se si tentohet të kryhet mashtrimi, por i veçuar është operacioni “Signal”, ku u mashtrua Pëllumb Salillari, pasi autorët e tij nuk kanë asnjë lidhje me tri rastet e tjera. Në hetimet e kryera nga Njësia “E” ka rezultuar se koka kryesore kriminale e mashtrimit në operacionet “Subjekti”, “Tentativa” dhe “Telegram”, është 39-vjeçari Florian Gjergji, i cili i ka shpëtuar arrestimit.
Por, çfarë skeme vinte në jetë Florian Gjergji për të mashtruar biznesmenët?
Fillimisht 39-vjeçari i dërgon “presë” një mesazh. Tek biznesmenë të ndryshëm ai përdor taktika të ndryshme komunikimi. Në rastin e tentativës për të mashtruar pronarin e “Everest”, Florian Gjergji, përmes një aplikacioni komunikimi me numër me prefiks të Britanisë së Madhe, u prezantua si zyrtar i tatimeve. Kur tentoi të mashtronte pronarin e një kazinoje u prezantua në emër të ish-kreut të Kadastrës, Artan Lame, ndërsa në rastin e fundit për biznesmenin Ramë Geci u prezantua si kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Siç duket, Florian Gjergji, ka informacione të detajuar të marrëdhënieve të biznesmenëve edhe me politikanë, çfarë shton dyshimet e hetuesve se pjesë e grupit janë edhe disa persona të tjerë informatorë. Për komunikimin me sipërmarrësit, përdoren aplikacione që aksesohen përmes interntit, si telegram apo signal, ku për hapjen e tyre përdoren platforma VPN që maskojnë vendndodhjen e mashtruesit.
Edhe pse është ai dërguesi i mesazheve dhe ideatori i tyre, për të realizuar misionin Florian Gjergji nuk vepron vetë në terren. Ai lidhet me persona të tjerë, të cilët i njeh dhe u kërkon të shkojnë për të marrë paratë duke ua paraqitur këtë kërkesë si nder apo veprim miqësor. Në rastin e fundit ku tentoi të mashtroj Ram Gecin, pasi Florian Gjergji ishte prezantuar si Erion Veliaj dhe se kishte nevojë për 100 mijë euro, kishte pajtuar Bedri e Albert Vodhën, të shkonin të merrnin paratë që t’ia dërgonin në Gjermani. Sipërmarrësi Geci e kuptoi shpejt skemën e mashtruesve dhe njoftoi policinë. Geci ia kaloi komunikimin agjentëve të policisë të cilët kërkuan uljen e shumës në 70 mijë euro dhe lanë takim në qendër të Tiranës, aty ku u prangosën babë e bir. Edhe pse tashmë janë arrestuar në total 8 bashkëpunëtorë të Florian Gjergjit, personi i konsideruar si truri i grupit ai nuk është kapur. Burime të Report Tv bëjnë me dije, se këto janë rastet e provuara të mashtrimit të tij, por ai dyshohet se ka bërë edhe tentativa të tjera, duke mashtruar në emër të kryebashkiakut aktual të Laçit, apo ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi.