Mashtrimi i Gulf-it/ Kondi: Nëse shteti i njeh si piramidë, të mbajë përgjegjësi!

23 Prill 2018, 20:34| Përditesimi: 23 Prill 2018, 20:56

  • Share

I ftuar sot në Report TV për të folur lidhur me falimentimin dhe skemën mashtruese nga ana e kompanisë Gulf Oil, përfaqësuesit e së cilës janë zhdukur, pasi kanë mashtruar qindra qytetarë me tollona fiktive, ndërkohë kur në depozitat e tyre nuk kishte më asnjë pikë naftë, gazetari i Shqiptarja.com Genc Kondi, deklaroi se kjo kompani nuk kishte asgjë të vetën, por e kishte me qira aktivitetin.

Sipas Kondit, shteti ka përgjegjësi për këtë, sepse që në momentin dhënies së licencës ai duhet të jetë në dijeni të seriozitetit të kompanive që veptrojnë në tregun e karburanteve.  

“Rezulton që Gulf-i nuk ka asgjë të vetën, e kishte me qira aktivitetin. Prej muajsh nuk është paguar TVSH-ja, dhe as sigurimet e punonjësve të saj. Shteti duhet të kishte ndërhyrë më përpara. Pronarët rezultonin të San Petroleum, e cila nuk është shqiptare, janë kompani të cilat janë krijuar në zona guacka, ku lejohen gjëra të tilla. Emrat që dalin janë ose turq, ose gjeorgjianë. Tollonat janë kthyer në letra pa vlerë" - tha ai. 

Kjo kompani do të ketë dhe detyrime ndaj bashkive të ndryshme, problemi është si do të merren këto para? Qytetarët, janë ata që u dëmtuan më shumë në këtë rast. Kurse qeveria thotë, këto janë gjëra që ndodhin. Çfarë duhet bërë tani?

Kondi: Shteti që kur jep licencën, duhet parë me vëmendje nga është origjina e kësaj kompanie, sepse tek ne është bërë e zakonshme një gjë e tillë. Ata që hyjnë në treg duhet të jenë një kompani serioze. Ka kompani që ofrojnë ose marrin me qira pika të tilla nafte, në rastet kur zhduken pronarët, ti nuk ke ku ta kërkosh.

Jemi një vend i pasur me naftë por me çmime të larta të këtij produkti...

Kondi: Ne jemi prodhues nafte, atëhere çmimi i naftës duhet të jetë më i ulët. Pronarët i keqpërdorin këto kompani, kur nuk paguajnë as punonjësit e tyre. Fakti është që tek ne shfrytëzohet nafta në mënyrë të vazhdueshme por nuk po shohim ndonjë ulje për ne. Korrupsioni në këto drejtime ka qenë gjithmonë i lartë.

Çfarë do të ndodhë me qytetarët që kanë blerë tollonat e rreme të Gulfit?

Kondi: Ne duhet të presim si do të procedohet, nëse këta persona do dalin në skenë. Fakti që u bë në mënyrë të qëllimshme kuptohet pasi administratori gjeorgjian dha dorëheqjen. Kjo praktikë ndiqet në Shqipëri dhe nuk u thellua hetimi tatimor. Këtë mashtrim nuk e mori vesh asnjëri. Nëse shteti i njeh, si në rastin e piramidave, që janë kreditorë, le të marre përgjegjësinë për ta, pastaj të gjejë zgjidhje për pagesat e tyre.

Në këtë rast edhe kryeministri duhej të dilte para shtypit. Tani duhet të presim si do shkojnë hetimet. Shteti shqiptar do të hetojë më me vëmendje për këtë rast.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Vladimir: 24/04/2018 13:54

    Paguajme nje armate inspektoresh me te gjitha mjetet per te shmangur evazionin. Gjejini ata qe e kishin kete detyre te kontrollonin Gulf, pezullojini e procedojini penalisht nga inspektori deri te ministri. Pune e kryer.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?