Mashtrimi i qytetarëve me mikrokreditë, Gent Sejko te Ekonomia: Likuidator për secilën kompani! Kadastra të mos bëjë tjetërsim pronash

28 Maj, 14:55| Përditesimi: 28 Maj, 21:31

  • Share

TIRANE- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko sqaroi sot (28 maj 2024) për deputetët e komisionit të Ekonomisë si do të procedohet me kredimarrësit e subjekteve financiare jo banka, “Final” sh.p.k. dhe “Micro Credit Albania” sh.p.k., të cilat akuzohen se kanë përdorur licencat si kompani mikrokrediti dhe përmbarues gjyqësorë për të zhvatur mijëra qytetarë përmes skemave të rifinancimit me kushte të këqija të kredive të vjetra.

Guvernatori Sejko, bëri me dije se është njoftuar Kadastra që të mos bëjë tjetërsim pronash në favor të këtyre kompanive, ndërsa theksoi se do të komunikohet edhe me Ministrinë e Drejtësisë, për të përcaktuar një likuidator për secilën kompani.

“Ne kemi ngritur një grup pune, të cilat janë alokuar vetëm për këto dy kompani. Kemi bllokuar llogaritë e tyre vetëm për mos tërheqje. I kemi çuar një njoftim Kadastrës që të mos kryejnë tjetërsime pronash, për t'i informuar dhe për ta ditur këtë revokim liçense. Kemi një plan pune dhe jemi duke bërë definimet ligjore, pasi është hera e parë që bëhet fjalë për një gjë të tillë. Në varësi të ligjit të bankave që kemi për institucionet financiare dhe bankat, po bëjmë definimet ligjore, për të bërë definimet për administrimin e këtyre kompanive. Do të komunikojmë me Ministrinë e Drejtësisë, në bazë të kërkesave ligjore, për të përcaktuar një likuidator për secilën kompani dhe pastaj do të përpunohet një plan masash në vazhdueshmëri për trajtimin e problematikave me likudatorin, gjithmonë nën mbikëqyrjen e bankës së Shqipërisë”, tha ai.

Guvernatori foli edhe për problematikën që ekziston në ato raste që është dhënë vendim gjykate dhe kanë kaluar në përmbarim. Ndërsa kredimarrësit do të vijojnë të shlyejnë huanë e marrë.

"Problematika do të ketë, sidomos për ato raste që janë në përmbarim, pasi përmbaruesit nuk janë në targin tonë ligjor. Por nga ana ligjore do të shohim se çfarë mund të bëjmë. Pati aty ku fillon gjykata, mbaron roli i Bankës Qendrore, ky është standard ndërkombëtar. Kjo është një punë do të të marrë kohë. Por kërkoj që të ecim shpejt me miratimin e ligjeve, pasi rregulloret ne i bëjmë vetë, si ligji për proceduarat përmbarimore, ligji për tavanin e normës së interesit” tha ai.

Guvernatori Gent Sejko, bëri me dije se në Bankën e Shqipërisë është hapur një zyrë, ku çdo klient mund të ankohet ose të bëjë kërkesa për sqarim.

 “Klientit i është dhënë një adresë e-maili dhe një numër kontakti, kemi dhe një zyrë në bankën e Shqipërisë, jemi edhe vet atje ku çdo klient mund të ankohet ose të bëjë kërkesa për sqarim. Ne po verifikojmë të gjithë databasin që ka kompania nga serverat e tyre për të parë numrin e klientave,” tha Sekjo.

Më 23 maj 2024 Banka e Shqipërisë u ka hequr licencat, duke nxjerrë nga tregu dy subjektet financiare jobanka, përkatësisht licencën e shoqërisë “Final” sh.p.k. dhe të shoqërisë “Micro Credit Albania” sh.p.k. Ndërkohë po në këtë ditë, Gjykata e Tiranës la në fuqi masat e sigurisë për 8 persona, 4 prej të cilëve arrest në burg e 4 arrest në shtëpi të akuzuar për mashtrimin përmes mikrokredive të mijëra qytetarëve debitorë. Një tjetër është në kërkim.  Togat e zeza dhanë masën e sigurisë “arrest me burg” për Arben Meskutin, përmbarues gjyqësor, administrator i "FINAL"; Aldo Dakën, Albert Gegën dhe Edmond Maton, të tre administratorë të Star-FS ndërkohë që u dha masa e sigurisë arrest në shtëpi për administratoren e Micro Credit Albania Elda Ibron si dhe për tre përmbarueset Jorsida Dervishi; Alketa Tanushi, Kejda Seferi.

Ora 15:56
Kursi i këmbimit, Sejko: Ka një presion të madh eurosh nga kanalet informale, nuk e masim dot

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë  gjatë raportimit sot në Komisionin e Ekonomisë theksoi se superleku është pasojë e rritjes së eksporteve dhe turizmit, dhe përsa kohë rritja ekonomike do të vijojë, leku do të forcojë pozitat ndaj euros.

"Nëse Shqipëria do të ketë një ecuri të mirë me një rritje 4%, investimet do të vijojnë e programet do të jenë pozitive, leku do të mbiçmohet"

Për guvernatorin kemi të bëjmë me një realitet të ri të kursit të këmbimit dhe se BSh 'nuk mbron dot sektorë të caktuar të ekonomisë ndaj kursit të këmbimit"

i pyetur për qarkullimin e parasë jashtë sistemit bankar Sejko tha, se ka një presion të madh eurosh nga kanalet informale por se kjo e dhënë nuk matet nga BSH.

“Ne nuk i komunikojmë dot. Vjet kemi blerë 260 milionë euro dhe këtë vit nga 260 që kishim parashikuar kemi blerë 330 mln euro. Nuk mund të them nëse kemi ndërhyrë, sepse kjo ndikon në spekulime në treg.  Komunikimi quhet ndërhyrje. Pas 3 muajsh do të dalin të dhënat dhe ju do ta shihni se a kemi ndërhyrë, por sidoqoftë kursi është stabël. Është një realitet i ri i kursit të këmbimit.

Kemi një normalitet, kemi një kurs të ri këmbimi, ka një presion të madh eurosh. Ofertë e shtuar eurosh nga kanalet informale s'e masim dot por sigurisht që ekzistojnë, por vetëm në kanalet formale që ne i masim shifrat janë me miliarda. Ne masim euron që qarkullon në sistemin bankar financiar dhe zyrat e këmbimit valutor, për ato që janë jashtë tregut, pra eurot informale që mund të vijnë nga aktivitete kriminale, informale apo korruptive është e pamundur për tu mbajtur nga BSH ”, tha ai.

Sejko bëri me dije se forcimi i monedhës vendase në kursin e këmbimit valutor ka ardhur si pasojë e përmirësimit të bilancit të shkëmbimeve tregtare dhe financiare të Shqipërisë me botën. dhe se forcimi i lekut ka ndikuar pozitivisht në ekonominë e vendit.

“Gjatë vitit 2022 ne kryem pesë rritje të normës të interesit, për një efekt kumulativ prej 2.25 pikësh përqindjeje, gjatë vitit 2023 ne kryem vetëm dy rritje të normës bazë, me një efekt kumulativ prej 0.5 pikësh përqindjeje. Ky ngadalësim pasqyroi forcimin e kursit të këmbimit dhe kahun konsolidues të politikës fiskale. Mbiçmimi i shpejtë i lekut ndihmoi në zbutjen e presioneve të huaja inflacioniste, ndërsa konsolidimi fiskal ndihmoi në frenimin e presioneve të brendshme”, deklaroi Sejko.

Ora 12:52
Shqipëria me rritje ekonomike 3.2 - 3.5 % këtë vit! Sejko raporton në Komision: Nuk parashikojmë rritje të kredive me probleme

 

Banka e Shqipërisë parashikon një rritje të mëtejshme të ekonomisë gjatë viteve të ardhshme, e mbështetur nga rritja e konsumit, e investimeve, eksporteve, punësimit dhe pagave, si dhe stabilizim të inflacionit pranë objektivit prej 3 %.

Guvernatori i BSH-së duke raportuar në komisionin e Ekonomisë, raportin e vitit 2023 të institucionit që ai drejton thotë se rritja ekonomike për 2024, pritet të jetë 3.2-3.5% këtë vit.

"Për këtë vit rritja ekonomike luhatet që të jetë midis 3.2 dhe 3.5 %. Vitet që vijmë do të jetë më i lartë, drejt 4 %", tha ai. 

Guvernatori u shpreh se kreditë me probleme nuk parashikohet që të kenë rritje..

‘Nuk parashikojmë rritje e kredive me probleme por rreziku mbetet, megjithëse do të mbahet nën kontroll nëse respektohet ” tha Sejko. 

 

S.B//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?