Apeli i GJKKO ka prishur vendimin e Shkallës së Parë për Erjon Kasmin dhe Xhuljan Xhafën, të dënuar me 21 vite burg për vjedhjen e 7 milionë eurove ndaj gjermanëve përmes mashtrimit në Call Center që të investonin në bursa. Apeli ka urdhëruar që çështja të rigjykohet nga fillimi me trupë tjetër në GJKKO.
Më 8 Korrik, Kasmi, i akuzuar si organizator i skemës mashtruese, u dënua me 11 vite burg në aplikim të gjykimit të shkurtuar 7.4 vite ndërsa Xhafa u dënua me 10 vite, 6.8 me gjykim të shkurtuar. Sipas SPAK 'Blue energy call' në Tiranë ishte përfshirë në mashtrimin e shtetasve gjermanë duke u marrë mbi 7 milionë euro.
Të pafajshëm u shpallën 11 operatorët: Anduel Gjergji, Ariol Zenuni, Denada Bardhi, Emion Orizaj, Ermir Shehu e Eris Kurila, Evis Mahmutaj, Ilir Shkurti, Indrit Tila, Klevin Molla dhe Skerdi Llupi.
SPAK nisi hetimin në vitin 2021 pas informacioneve të marra nga autoritetet e vendeve të tjera ku shteas gjermanë, francezë, italianë, spanjollë dhe grekë mashtroheshin nga agjentët e subjektit Bluenergycall sh.p.k., shoqëri me lidhje me Kasmin dhe Xhafën, që të investonin në bursa ndërkombëtare.
Në Shkurt të këtij viti, me urdhër të GJKKO, u sekuestruan 1.2 milionë euro pasuri të Erjon Kasmit, që kishin burim të paligjshëm nga mashtrimi kompjuterik në bursa me Call-Center. Bëhej fjalë për një apartament, 1 subjekt tregtar si dhe dy vendparkime për automjete.
Vendimi i gjykatës:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Saida Dollani (anëtare) dhe Nertina Kosova (anëtare), më datë 23.04.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 13 akti, datë 20.01.2025 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe ankimeve të ankuesve/të pandehurve E.K. dhe Xh.Xh., kundër vendimit nr. 43, datë 08.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
- Prishjen e vendimit nr. 43, datë 08.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke urdhëruar dërgimin e akteve për gjykim një kolegji tjetër të së njëjtës gjykatë.
Dënimet që dha GJKKO
Komente
