EMRAT/ Mashtrimi me kriptovalutat me dëm 50 mln euro, kush janë 4 shqiptarët e arrestuar! Dy prej tyre do ekstradohen drejt Spanjës

11 Nëntor 2022, 11:17| Përditesimi: 11 Nëntor 2022, 11:26

  • Share

TIRANË- Irisa Puca 31-vjeç, Adrian Korriku 29-vjeç, Bernardo Saraçaj 32-vjeç, Erind Pysqyli 31 vjeç janë 4 të arrestuarit në kuadër të operacionit ndërkombëtar të udhëhequr nga Eurojust, Europol dhe Guardia Civil spanjolle në Bashkëpunim me SPAK.

Ata janë ndaluar gjatë operacionit "Stuhia" dhe dy prej tyre, përkatësisht Bernardo Saraçaj dhe Erind Pasqyli do të ekstradohen drejt Spanjës, pasi do të gjykohen në këtë shtet, për mashtrim online me kriptomonedhat.

Nga 15 Call Centerat e kontrolluar në disa vende të Europës, 6 ndodheshin në Shqipëri, ndërsa nga 5 të arrestuarit, 4 janë vënë në pranga në vendin tonë. Autoritetet pranojnë se Call Centerat tashmë kanë marrë përmasa të krimit të organizuar, ndërsa qarkullojnë qindra miliona euro të përfituara nga skemat e mashtrimit kompjuterik edhe me kriptomonedhat.

Një mega operacion ndërkombëtar i drejtuar nga EUROJUST dhe i shtrirë në 10 vende, përshirë edhe Shqipërinë, çoi shkatërrimin e një grupi kriminal të cilët kishin mashtruar përmes investimeve në kriptovaluta mijëra qytetarë, kryesisht në BE. Grupi kriminal ka arritur të përfitojë rreth 50 mln euro për çdo tre muaj.

Ku u shtri operacioni? 
Operacioni është shtirë në 10 vende dhe hetimet kanë nisur që prej vitit 2018, konkretisht në Shqipëri, Bullgari, Finlandë, Gjeorgji, Gjermani, Letoni, Maqedonia e Veriut, Spanjë, Suedi dhe Ukraina. Si rezultat, u kontrolluan 15 qendra telefonike (6 në Shqipëri, 5 në Gjeorgji, 3 në Ukrainë dhe 1 në Maqedoninë e Veriut), si dhe 27 vende të tjera dhe 5 automjete.

Si funksiononte skema?
Grupi kriminal i emërtuar si (OCG) dyshohet se është përfshirë në mashtrime përmes investimeve online me kriptomonedha. Grupi kriminal përdorte Call Centera dhe platforma të tjera online si Absolut Global Markets, AurumPro, Finaxis, SNP Broker, CapitalMarketsBanc etj, dhe mashtronte qytetarët që të investonin online përmes kriptovalutave.

Ata u prezantoheshin qytetarëve si ndërmjetës që do t’i ndihmon të investonin në kriptovaluta shuma të vogla parash dhe përfitimet më pas do të ishin kolosale. Por këto shuma që investoheshin nga qytetarët, kryesisht të vendeve të BE, përvetësoheshin nga ky grup kriminal. Qindra mijëra investitorë në të gjithë botën kanë rënë viktima të mashtrimit të paktën që nga viti 2016. Dëmi i shkaktuar llogaritet në 50 milionë euro në tremujor.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?