Arben Meskuti dhe Elda Ibro

Kronikë

SPAK çon për gjykim grupin e mashtrimit me mikrokredi, mes tyre dy ‘kokat’ e ‘skemës piramidale’! Në 9 vite u zhvatën 36 mln euro e prona mijëra qytetarëve

23 Korrik, 11:39| Përditesimi: 23 Korrik, 12:50

  • Share

TIRANË- SPAK ka mbyllur hetimet për grupin kriminal të mashtrimit me mikrokreditë dhe ka dërguar për gjykim 16 persona, si edhe 4 shoqëri. Përmes skemave mashtruese të mikrokredive, ky grup kriminal ka zhvatur mijëra qytetarë përmes rifinancimeve me kushte të disfavorshme të kredive të vjetra ose përmes shantazhit, duke i bllokuar pronat e luajtshme dhe të paluajtshme.

Mes të dërguarve për gjykim janë edhe dy 'kokat' e grupit, Elda Ibro dhe Arben Meskuti. Ndërsa Prokuroria kishte identifikuar si drejtues të grupit edhe Olsi Ibron, bashkëshorti i Elda Ibros, por ai humbi jetën pasi u hodh nga një pallat në muajin korrik të vitit 2024. SPAK thotë se hetimet kanë konkluduar se shoqëritë e përfshira në këtë skemë kanë vepruar si një entitet i vetëm, duke pasur karakteristika të qarta të një grupi të strukturuar kriminal.

16 të pandehurit dhe shoqëritë “Micro Credit Albania” sh.p.k., “ADCA” sh.p.k., “Final” sh.p.k. dhe “TDR Group” ushtronin aktivitet në të njëjtin ambient, përdornin të njëjtin sistem kompjuterik, ndanin burime monetare, personel dhe ndihmonin njëra-tjetrën në mënyrë të qëllimshme për të zhvatur qytetarët. Në pamje të jashtme, këto kompani dukeshin se operonin për mbledhjen e detyrimeve të cilësuara si “kredi të këqija”, por në thelb, aktiviteti i tyre kishte vetëm një qëllim të qartë: pasurimin e paligjshëm në dëm të qytetarëve. 

“Këto shoqëri ushtronin aktivitetin në të njëjtin vend, përdornin të njëjtin sistem kompjuterik apo softe kompjuterike, të krijuara në funksion të kryerjes së veprës penale, Financonin me burime monetare reciprokisht njëri-tjetrin, punonjësit e tyre kalonin sa në një shoqëri në tjetrën dhe kryenin veprimtarinë e tyre, në dukje për mbledhjen e detyrimeve të cilësuara si kredi të këqija, por me qëllimin e qartë kriminal, të pasurimit të paligjshëm, në dëm të një numri shumë të lartë  qytetarësh. Qëllimi i tyre u bë i qartë prej momenteti të krijimit të këtij aktivitetit, i cili  ka zgjatur më shumë se 9 vite”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Aktiviteti i tyre kriminal ka zgjatur për 9 vite dhe kanë arritur të zhvasin miliona euro nga qytetarët në vështirësi ekonomike. Organi i akuzës sqaron se të pandehurit kanë marrë e keqpërdorur jo vetëm të dhënat personale të qytetarëve të dëmtuar, por dhe rrethit të tyre familjar e farefisnor, duke siguruar dhe të dhënat e punësimit dhe të ardhurave të tyre. Sipas prokurorisë, të dhënat personale janë përdorur në kundërshtim me ligjin, duke bërë që qytetërt të bien në grackën e tyre. Grupi ka zhvatur të paktën 36.8 milionë euro dhe 1700 pronave të paluajtshme nga rreth 17 mijë qytetarë.

“Si rezultat i veprimtarisë  kriminale të këtij grupi të strukturuar kriminal, qytetarët në vështirësi ekonomike kanë rënë në grackën e kësaj skeme përmes: Shtrëngimit, Përdorimit në kundërshtim me ligjin të të dhënave personale të familjarëve të debitorëve Keqbesimit dhe fakteve të pavërteta”, thotë SPAK.

Qëllimi i skemës

Të pandehurit kanë mundësuar së pari të shumëfishojnë në mënyrë të paligjshme detyrimet e qytetarëve përtej detyrimit të përcaktuar në urdhrat e ekzekutimit. Në vijim, ky detyrim i rritur padrejtësisht, shtohej nga tarifat përmbarimore dhe shpenzimet ligjore të fryra. Pasi realizohej ristrukturimi i të ashtëquajturës kredi, detyrimi shumëfishohej për shkak të aplikimit të interesave dhe kamatave të larta, deri në 2% në ditë. Madje, nëpërmjet ristrukturimit të kredisë, detyrimi kalonte dhe tek familjarë që kishin mundësi pagese.

Po ashtu, është konstatuar se detyrimet mblidheshin me metoda të paligjshme, edhe tek familjarët apo të afërmit e debitorëve, të cilët nuk kishin asnjë lidhje me kredinë fillestare. Në rast të mosshlyerjes së detyrimeve, pronat e paluajtshme të debitorëve kaloheshin në pronësi të MCA dhe Final përmes ankandeve fiktive.

“Qëllimi i skemës: Të shumëfishojë në mënyrë të paligjshme detyrimet e qytetarëve përtej detyrimit të përcaktuar në urdhrat e ekzekutimit. Detyrimi shumëfishohej për shkak të aplikimit të interesave dhe kamatave ligjore të larta, deri 2% në ditë.

Të mblidhte detyrimin e detyrimit duke e kaluar këtë detyrim me metoda të paligjshme edhe tek familjarë apo të afërm të debitorëve që nuk kishin asnjë lidhje me kredinë fillestare. Përmes ristrukturimit të kredisë detyrimi kalonte tek familjarë që kishin mundësi pagese.

Të kalonin pasuri/prona të paluajtshme në ankande fiktive, në pronësi të institucioneve financiare jo banka: Micro Credit Albania sh.a/sh.p.k (MCA) dhe Final sh.p.k”, njofton SPAK.

SPAK thotë se “për realizimin e qëllimit kriminal, punonjësit e këtyre shoqërive të urdhëruar nga drejtuesit apo organizatorët e kësaj skeme, kryen qindra mijëra njoftime të paligjshme dhe telefonata kërcënuese tek debitorët dhe familjarët e tyre, Dhjetëra – mijëra llogari bankare të qytetarëve u bllokuan dhe qëndruan të bllokuara në kundërshtim me ligjin për disa vite. Pasuri të paluajtshme u sekuestruan për vlera detyrimi minimale dhe u kaluan në pronësi të shoqërive MCA dhe Final me ankande fiktive. Përveç pasojave të kundraligjshme ekonomike, veprimtaria kriminale e këtij grupi të strukturuar kriminal, ka shkaktuar edhe pasoja shumë të rënda sociale."

Në vazhdë të këtij hetimi, është vendosur sekuestrimi për subjektet financiare MCA dhe Final mbi të gjitha asetet si pasuri të luajtshme dhe te paluajtshme të këtyre shoqërive. Po ashtu, janë sekuestruar mbi 420 milionë lekë dhe rreth 1.3 milionë euro. Këto shuma monetare janë sekuestruar në llogari personale, depozita, bono thesari dhe letra me vlerë të të pandehurve.

Të pandehurit dhe akuzat:
Arben Meskuti, i akuzuar për: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. 
Elda Ibro, e akuzuar për: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, “Grup i strukturuar kriminal”, në rolin e ekzekutorit, dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Alban Kote, i akuzuar për : “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, kryer nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentit, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. 
Aldo Daka, i akuzuar për: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Albert Gega, i akuzuar për: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Andis Gjoka, i akuzuar për: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, “Grup i strukturuar kriminal”, në rolin e ekzekutorit, dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Vasil Bakallbashi, i akuzuar për: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Yliana Sejfo, e akuzuar për: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Indrit Çuberi, i akuzuar për: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal".
Rigels Bejko, i akuzuar për: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, kryer nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentit, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Altin Vako, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, “Grup i strukturuar kriminal”, në rolin e ekzekutorit, dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. 
Helidon Xhindi, i akuzuar për: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Fatos Alimadhi, i akuzuar për: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Lefter Canaj, i akuzuar për: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Roland Deda i akuzuar për: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Endri Myftari, i akuzuar për: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Personi juridik “Micro Credit Albania” sh.pk., akuzuar për: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Personi juridik “ADCA” sh.p.k., akuzuar për : “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Personi juridik “Final” sh.p.k., akuzuar për: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikimi i dokumentave”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
“Zyra e Përmbarimit Privat TDR Group”, akuzuar për: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumentave”, kryer nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentit, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • nini: 23/07/2025 13:21

    Kopilet e Sudes qe bente te njeten gje para 30 vjeteve, por atehere s'kishte kompjuter et iphone. Plehra qe duhen denuar rende.

    Përgjigju
  • Qytetari: 23/07/2025 12:21

    Tani, e dimë që u arrestuan u zbulua skema, tani duhet fshirja e kredive të çdo klienti që kanë mashtruar, ose të zbriten ato që janë paguar ose me pasuritë e sekretruar të paguhen kreditë e qytetarëve. Kjo është që ndihmon në fund.

    Përgjigju
    • Anonim: 23/07/2025 14:27

      Kriminelet me te medhenj jan kto qe kan zhvat qytetaret e thjeshte,i kan pire gjakun deri ne fund drejtesia duhet te vendoset,denim maksimal per kta plehra

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se ka pasur rezultat aksioni për lirimin e hapësirave publike?