Hetimeve për falimentin e kompanisë së naftës “Gulf”, i janë shtuar dhe 15 kallëzime të reja. Denoncimet kanë mbërritur në prokurorinë e Tiranës, ku banorë të ndryshëm, disa institucione shtetërore por edhe kompani private që kanë blerë tollona nafte në kompaninë “Gulf”, kërkojnë ndjekjen penale dhe shpagimin e dëmit ekonomik nga personat përgjegjës.
Një burim pranë akuzës së kryeqytetit tha se të gjithë kallëzimit e depozituara janë bashkuar në një dosje të vetme, të cilat janë duke u hetuar me imtësi. Hetimet për këtë çështje kanë përparuar për sa i përket verifikimit te depozitave qëndrore të naftës të kësaj kompanie, të cilat kanë rezultuar të jenë bosh.
Por pavarësisht se në prokurori ka pasur 15 kallëzime për këtë mashtrim që përllogaritet diku tek 1.5 milion euro, organi i akuzës ende nuk ka proceduar me kërkesën në gjykatë, për caktimin e masës së sigurisë ndaj personave përgjegjës që kishin ngritur në këmbë këtë skemë mashtrimi. Burimet i thanë gazetës “Shqiptarja.com” se institucionet shtetërore kanë rënë brenda në këtë skemë mashtrimi, pasi kanë shpallur fitues kompaninë “Gulf” në disa tendera për blerje nafte.
Ndërkohë bizneset dhe persona të ndryshëm, janë joshur të blenë tollonat e naftës, falë çmimit tepër të ulët që varionte nga 125 deri në 130 lekë të reja litri. Menaxheri kryesor i kësaj kompanie Albano Aliko dhe administratori gjeorgjian Irakli Svanidze, kanë shitur tollona nafte në një kohë kur kompania që ata drejtonin nuk kishte gjëndje nafte.
Të dy këta persona janë larguar duke ju fshehur drejtësisë, ndërkohë që Svenidze ka dhënë dorëheqjen nga kompania dhe është larguar nga Shqipëria vetëm 24 orë para se prokuroria të niste hetimin.Për më tepër prokuroria e Tiranës është duke verifikuar dhe konfliktet e brendshme të kësaj kompanie pasi ka dyshime se përfaqësuesit shqiptarë kanë dashur ti lenë këtë detyrim financiar të akumuluar në vite, përfaqësuesve kryesorë të Gulf-it në SHBA.
Superoferta mashtruese ndodhi në katër ditë
Mashtrimi i qindra binzeseve dhe qytetarëve të ndryshëm me shitjen e tollonave, ka ndodhur brenda një periudhë katër ditore. Nga verifikimet e bëra prokuroria e Tiranës ka konstatuar se shitja e tollonave të naftës në masë të madhe dhe me çmim tepër të ulët që varionte nga 125 deri në 130 lekë për litër,ka nisur që prej datës 15 prill 2018.
Superoferta e “Gulf” ka vijuar të ekzistojë edhe për katër ditë të tjera, deri në datën 19 prill, kur gjithçka është ndaluar, ku një ditë më vonë shoqëria “Gulf” ka shpallur falimentin në të gjitha pikat e ushtrimit të aktivitetit të saj tregtar. Në fakt gjithçka duket se ka qënë e inskenuar, pasi jo pa qëllim dhe administratori i kompanisë “Sun Petroleum Albania” që kishte në pronësi karburantet e “Gulf”, në datën 18 prill 2018 ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i kësaj firme dhe është larguar jashtë shiqpërisë.
Mësohet se brenda afatit 4 ditor në pikat e shitjes së naftës, janë shitur mijëra tollona, ndërkohë ka pasur biznese që kanë porositur deri në 20 milion lekë tollona. Sipas burimeve nëse këto depozita gjatë periudhës 15 prill deri në 19 prill 2018 kanë qënë bosh, atëherë jemi përballë një skeme klasike të mashtrimit.
“Gulf” në tre vite me bilance në humbje
Gazeta “Shqiptarja.com” disponon të plota bilancet e kësaj kompanie, madje në një vendim të marrë nga ortaku i vetëm i kësaj shoqërie David Okrotsovidze, mbajtur në 20 qershor 2017 thuhet se:”… miratojmë humbjen ushtrimore të vitit 2016 në shumën 274,199,148.00 lekë të reja.Kjo humbje do të mbulohet nga fitimet e periudhave të ardhshme…”.
Por edhe në bilancin e vitit 2015, kompania e sipërcituar nuk ka qënë në gjëndje të jetë me fitim. Kjo pasi sipas dokumentave që zotëron “Shqiptarja.com”, humbjen gjatë ushtrimit të aktivitetit tregtar gjatë 2015 shkojnë në shifrën 289.442.355 lekë të reja. Por vijimi i humbjeve të kësaj shoqërie shkojnë edhe më thellë në vite, pasi në datën 30 qershor 2014 kompania në fjalë ka miratuar bilancin e saj, ku rendit një humbje financiare prej 26.281.908 lekë të reja.
Edhe këtë herë, përfaqësuesit e kësaj shoqërie e justifikojnë humbjen me premtimin se do e rikuperojnë në fitimin e vitit të ardhshëm. Megjithëse në total kjo kompani ka paraqitur në bilancet e saj të tre viteve një humbje prej 589.923.411 lekë të reja, kjo kompani sërisht ka vijuar qetësisht të punojë, duke mos u ndaluar në asnjë moment nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Pergjeghes kryesor per veprimtarine kriminale te kompanise Gulf nuk jane vetem pronaret nashtrues , por dhe ministrite e financave dhe te transporteve qe nuk kontrollojne sic duhet firma fantazem qe kane 17 vjet qe vjedhin dhe rrjepin shqiptaret . Pa suport politiko shteteror nuk ja nashtrim dhe korrupsion . SPAKu ka shume pune jur te filloj se hustiria e krimit ekonomik filloi ne fillimin e demokratures . Majtas dhe djathtas jane lejuar vjedhjen e popullit
Përgjigju