Mashtrimi me bursat e studimit në SHBA, arrestohet 20-vjeçari, ‘koka’ e skemës! Prodhonte dokumente me vulat e ambasadës amerikane (EMRI)

23 Korrik, 10:11| Përditesimi: 23 Korrik, 15:33

  • Share

Strumbullari i skemës më të madhe të mashtrimit në sistemin arsimor në të gjithë vendin, Ermes Hoxhalli u arrestua këtë të hënë me akuzën e falsifikimit kompjuterik dhe të dokumenteve. Banues në Devoll dhe vetëm 20 vjeç, ai kishte arritur të bënte pjesë të supermashtrimit edhe zyrtarë të arsimit, vepër penale për të cilën u mor në hetim edhe drejtoresha e gjimnazit Qemal Stafa Klotilda Jaupi.

Sipas policisë, Ermes Hoxhalli i mashtronte institucionet arsimore, me projektet e ashtuquajtura “Let’s Talk Together about US 23” and “Let’s Talk Together about US 24”. Programet u premtonin nxënësve dhe mësuesve, udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara. 20-vjeçari kishte arritur të krijonte një identitet të rremë, duke u angazhuar me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe shkollave në mbarë vendin. Viktima të mashtrimit, siç bën me dije policia u bënë qindra studentë, mësues dhe zyrtarë arsimorë.

Në këtë hetim kompleks që zgjati 6 muaj, pjesë ishte edhe njësia e Hetimeve Kriminale pranë Ambasadës së ShBA-së në Tiranë.

Ishte ambasada amerikane që pas arrestimit bën me dije se 20-vjeçari mashtronte duke paraqitur programe si të lidhura me ambasadën dhe prodhonte dokumente që mbanin vulat dhe emrat e zyrtarëve të ambasadës.

Në qershor të këtij viti, nisën hetimet për zyrtaren Valentina Lamaj dhe drejtoreshën e gjimnazit “Qemal Stafa”, Klotilda Jaupi, si pjesë e kësaj skeme mashtrimi.

Ora 12:29
Mashtronte qytetarët duke u premtuar programe arsimi dhe udhëtime falas në SHBA, Ambasada Amerikane reagon pas arrestimit të 20-vjeçarit

1721671767_ambasadaamerikane.JPG

Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar në lidhje me arrestimin e 20-vjeçarit Ermes Hoxhalli, i cili mashtronte institucionet arsimore, me projektet e ashtuquajtura “Let’s Talk Together about US 23” and “Let’s Talk Together about US 24”.

Në një postim në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA ka falënderuar policinë dhe Prokurorinë e Tiranës për bashkëpunimin me Njësinë e Hetimit Kriminal Ndërkombëtar të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë.

'Ambasada e SHBA falënderon Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Tiranës dhe i përgëzon për bashkëpunimin me Njësinë e Hetimit Kriminal Ndërkombëtar të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë. Njësia e Hetimeve Kriminale Ndërkombëtare dhe Departamenti i Hetimeve Kriminale të Policisë së Shtetit kanë një njësi të posaçme që kryen hetime të përbashkëta. Një hetim gjashtë-mujor nga kjo njësi speciale kulmoi me arrestimin e djeshëm të një individi që mashtronte duke paraqitur programe si të lidhura me ambasadën dhe prodhonte dokumente që mbanin vulat dhe emrat e zyrtarëve të ambasadës. Ambasada falënderon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, Drejtorin e Policisë Kriminale Neritan Nallbati, kreun e Prokurorisë së Tiranës Arenc Çela, prokuroren e çështjes Eloida Goxhi dhe oficerët e përkushtuar të Policisë së Shtetit për ndihmën e dhënë për këtë çështje.'- njofton ambasada e SHBA.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?