Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson tronditi vendin të premten duke dhënë dorëheqjen si ligjvënës pasi iu tha se do të sanksionohej për mashtrim të Parlamentit. Ai u largua me akuza të ashpra ndaj kundërshtarëve të tij politik dhe pasardhësit të tij Rishi Sunak, që mund të sjellë tensione brenda Partisë Konservatore në pushtet.
Johnson dha dorëheqjen pasi mori rezultatet e një hetimi nga ligjvënësit për deklaratat mashtruese që ai bëri në Parlament për "partygate", një seri festash qeveritare që thyen rregullat gjatë pandemisë COVID-19.
Në një deklaratë të dhënë gjatë dorëheqjes, Johnson akuzoi kundërshtarët se po përpiqeshin ta dëbonin atë dhe la të kuptohej se karriera e tij politike nuk ka përfunduar ende.
"Është shumë e trishtueshme që po largohem nga Parlamenti, të paktën tani për tani" tha ai.
Johnson, 58 vjeç, tha se kishte "marrë një letër nga Komiteti i Privilegjeve duke e bërë të qartë se do të ndiqen procedurat kundër tij për ta përjashtuar nga parlamenti.
Ai e quajti komitetin që e hetonte atë, i cili ka anëtarë si nga qeveria ashtu edhe nga partitë opozitare, një "gjykatë kanguri".
“Qëllimi i tyre që nga fillimi ka qenë të më shpallin fajtor, pavarësisht nga faktet,” tha Johnson.
Dorëheqja do të shkaktojë zgjedhje të posaçme për të zëvendësuar Johnson në një vend në periferi të Londrës në Dhomën e Komunave.
Johnson, karriera e të cilit ka parë një sërë skandalesh dhe rikthimesh, i çoi konservatorët në një fitore të madhe në vitin 2019, por u detyrua nga partia e tij që të dorëhiqej më pak se tre vjet më vonë.
Ai kishte qenë në pritje të rezultatit të një hetimi nga një komitet i standardeve të Dhomës së Komunave lidhur me deklaratat që ai bëri në Parlament për mbledhjet në 2020 dhe 2021 në ndërtesat qeveritare që shkelën rregullat e bllokimit pandemik.