Ismet Hada, mashtruesi nga Lapardhaja që maskohej si punonjësi i Policisë së Shtetit dhe u merte para e sende të tjera me vlerë banorëve të zonës, është liruar nga burgu dhe mbyllur në “arrest shtëpie”. Vendimi u mor nga gjykata e Beratit, e cila ka vendosur të mos pranojë masën e sigurisë “arrest në burg” të kërkuar nga prokurori Ledjon Tema, duke caktuar masën e “arrestit në shtëpi”. Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë prokurori Tema i tha trupit gjykues se personi i arrestuar Ismet Hida, ka kryer vjedhjen e dy qytetarëve duke i mashtruar.
Për të arritur qëllimin e mashtrimit, Hida përdorte një uniformë policie, duke iu prezantuar banorëve se ishte punonjës i Policisë së Beratit, dhe nëse nuk i jepnin para dhe sende të tjera me vlerë, ai do i arrestonte dhe i gjobiste, pasi qytetarët kishin thyer urdhërin për karantinimin. 43-vjeçari Ismet Hada, nga fshati Mbrakull, akuzohet për veprat penale “Vjedhje me anë të mashtrimit” dhe “Përvetësim i titullit të punonjësit të policisë”.
Sipas dosjes së prokurorisë Hada duke u prezantuar si punonjës policie dhe me anë të presionit, i ka marrë një shumë parash personit me inicialet R.K., banues në Lapardha, me pretendimin se po e falte që kishte thyer karantinën. Gjithashtu, po me anë të mashtrimit dhe presionit, Hada i ka marrë një qytetari tjetër me inicialet P.B. një aparat telefon, për ta falur që kishte thyer karantinën. Deri në këtë fazë ku ndodhet hetimi, janë provuar vetëm dy raste, ndërkohë në ditët në vijim pritet që policia të identifikojë dhe persona të tjerë që kanë rënë preh e mashtrimit të Ismet Hada.