Nga kjo e enjte të gjithë do të dalin me maska në ambiente të hapura në Shqipëri. Në të kundërt gjoba për këtë shkelje do të shkojë në faturën e dritave. Por vendi ynë nuk është i pari që po e merr këtë masë drastike, pasi më herët ky rregull është vendosur në zbatim në disa shtete të botës, me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të COVID-19.
Një ndër më të hershmet që e ka marrë këtë masë është Maqedonia e Veriut. Prej muajit maj çdo qytetar është i detyruar të mbajnë maskë kudo nëpër vende publike dhe institucione, sidomos nëse ata janë të shoqëruar me dikë që nuk e kanë pjesëtar të familjes. Nëse ky rregull nuk zbatohet gjoba është 20 euro. Pavarësisht shtimit të masave mbrojtëse ANTI-COVID, shifrat e të infektuarve gjatë dy muajve të fundit vijojnë të jenë të larta.
Në Kosovë vendosja e maskës në publik është e detyrueshme prej muajit korrik. Për të gjithë ata që nuk e zbatojnë këtë rregull gjoba është 50 euro.
Nga data 8 tetor edhe Italia e bëri të detyrueshme mbajtjen e maskës në ambientet publike. Nëse ky rregull nuk zbatohet, gjoba është nga 400 deri në 1000 euro. Teksa gjendja e jashtëzakonshme e emergjencës shëndetësore do të zgjatet deri më 31 janar 2021, pavarësisht se Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza, në Parlament deklaroi se Italia për momentin është shumë më mirë se disa vende evropiane në lidhje me valën e dytë të pandemisë.
Vendosja e maskave në hapësira publike është e detyrueshme edhe në Francë, Gjermani dhe Spanjë. Këto rregulla nuk janë përqafuar nga qytetarët e këtyre vendeve dhe për këtë arsye janë ngritur në protesta masive.