Piro Dode e Nedim Vlora në Tiranë

Masonët shqiptarë/ Që nga Rilindasit, te Ismail Qemali e deri sot, a janë ata “muratorët” e ruajtjes së virtyteve dhe parimeve morale të shqiptarisë?

19 Tetor, 10:50| Përditesimi: 19 Tetor, 16:44

  • Share

Në librin e pasardhësit të Ismali Qemalit, Nedim Qemal Vlora, mbi rrënjët e familjes së tij “Historia e Familjes Vlora”, sjellë për lexuesin nga Botime Emal është ky shënim: “Botimi i këtij libri është falë këmbënguljes dhe përkushtimit të V. Piro Dode, Mjeshtër i Madh i Lozhës së Madhe të Shqipërisë, të cilin e falenderoj me mirënjohje”.

Historia e familjes Vlora e shtjelluar dhe rindërtuar në libër nga vetë Nedim Vlora është e jashtëzakonshme në detaje dhe fakte. Leximi i këtij libri është i këshillueshëm për të gjithë ata që e kanë për zemër patriotizmin dhe për brezat e ardhshëm, që t’i mësojnë, t’i dinë faktet dhe prejardhjen e familjes së Ismail Qemalit, babait të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga pasardhësit e drejtpërdrejtë të tij.  Por ajo që na tërhoqi si fillim vëmendjen ishte se publikimi i librit ishte nismë e “Lozhës së Madhe të Shqipërisë”, entitet që nuk e hasim shpesh në kronikat e të përditshmes shqiptare, ndaj kurioziteti për të mësuar më shumë rreth masonerisë në vendin tonë dhe ekzistencës së saj është tepër i lartë. Për ata që nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për masonerinë botërore, në pak fjalë mund ta përmbledhim kështu:

“Masoneria është një organizatë ndërkombëtare, e strukturuar në formën e shoqërive sekrete, që ka origjinë nga mesjeta, në Evropë. Fillimisht, ajo përfshinte zejtarë dhe ndërtues të katedraleve dhe ndërtesave të mëdha, që formonin një lloj bashkësie për të mbrojtur interesat e tyre profesionale. Me kalimin e kohës, masoneria evoluoi dhe u bë një organizatë filozofike dhe filantropike, duke përfshirë njerëz nga të gjitha shtresat e shoqërisë.

Masoneria përbëhet nga “lozhat”, që janë grupime lokale të anëtarëve. Këto lozha organizohen në nivel kombëtar ose rajonal nga “Lozhat e Mëdha”. Rituale, simbole dhe ceremoni të ndryshme përdoren në lozhat, me qëllim për të mësuar dhe transmetuar parime etike dhe morale. Simbolet e famshme të masonerisë përfshijnë kompasin dhe skuadren, që lidhen me vlera si drejtësia dhe harmonia.

Një aspekt i rëndësishëm i masonerisë është sekreti që e karakterizon, që është burim i shumë teorive dhe legjendave mbi ndikimin e saj politik dhe social. Anëtarët e masonerisë shpesh konsiderohen se ndjekin vlera si ndershmëria, përmirësimi moral dhe shoqëror, dhe ndihma për të tjerët nëpërmjet veprimtarive bamirëse.

Ndërsa masoneria nuk është një fe, ajo kërkon që anëtarët e saj të kenë besim në një Qenie Supreme ose një parim të lartë, pa specifikuar besimet fetare të tyre. Kjo e bën masonerinë të hapur për anëtarë nga shumë fe të ndryshme”.

Në botë ka shumë legjenda dhe konspiracione rreth masonerisë dhe pikërisht ritualet e saj sekrete bëjnë që fantazia njerezore si në letërsi dhe arte të ndryshme, gjithashtu dhe në rrëfime popullore të ketë, ngjyra dhe shumëllojshmëri. Sa u përket masonëve shqiptarë dhe organizimit të tyre, Mjeshtëri i Madh i Lozhës së Madhe të Shqipërisë, V. Piro Dode, mund të na qartësojë e të hedhë dritë mbi realitetin këtu.

Ç’është sot Lozha e Madhe e Shqipërisë, si nisi rrugëtimi i saj dhe nga cilat parime udhëhiqet?

Do ta filloja me një sqarim. Institucioni i masonerisë është demokratik. Të gjithë drejtuesit i nënshtrohen zgjedhjes periodike. Unë kam qenë Mjeshtër i Madh i Lozhës së Madhe të Shqipërisë për dy legjislatura, nga viti 2016 deri në vitin 2022. Tani është një vëlla tjetër Mjeshtër i Madh. Unë jam ish-Mjeshtër i Madh dhe jam, në përputhje me rregullat e vendosura, në Kryesinë e Lozhës së Madhe.

Lozha e Madhe e Shqipërisë është bashkësia e masonëve (muratorëve) që bëjnë pjesë në lozhat që përbëjnë Lozhën e Madhe të Shqipërisë. Për masonerinë flitet e shkruhet shumë, por gjithmonë ato janë subjektive, se varet nga këndvështrimi i autorit. Por e vërteta është vetëm një, masoneria është nga organizatat më të vjetra, që gjithmonë ka punuar dhe është angazhuar në çështjet themelore që ka patur dhe ka shoqëria njerëzore. Nga pikpamja organizative masoneria është e ndërtuar dhe funksionon mbi bazën e Lozhave të Mëdha, që secila prej tyre është e pavarur dhe sovrane, brenda territorit të shtetit përkatës. Lozha e Madhe e Anglisë është e para Lozhë e Madhe e  themeluar në vitin 1717. Përpara këtij viti masoneria ka qenë e organizuar mbi bazë të lozhave të veçanta. Në shumë vende europiane institucioni i masonerisë është një traditë. Në Shqipëri, për vetë kushtet e zhvillimit të saj, nuk ka qenë kjo traditë. Vëllezër masonë ka patur, por ata kanë bërë pjesë në lozhat e shtetve të tjera si Perandoria Otomane, Italia, AustroHungaria, Franca etj. Mjafton të përmendim faktin që një pjesë e madhe e Rilindasve tanë kanë qenë masonë. Vetë themeluesi i shtetit shqiptar, Ismail Qemali,  ishte mason. Në kolonitë shqiptare jashtë vendit, si Rumani, Egjypt, SH.B.A. kishte shoqata masaone. Gjatë mbretërimit të Zogut dhe regjimit komunist nuk lejohej organizimi i masonerisë.

Mbas viteve ‘90 edhe shqiptarët u vunë në kontakt me masonerinë, qoftë nga emigrantët apo dhe nga literatura, tashmë e lejuar. Duke patur një afërsi më të madhe me Italinë u krijuan kushtet, që në vitin 2008, Lozha e Madhe e Italisë ( e njohur si Grand Oriente d’Italia ose shkurt GOI ) të krijojë një lozhë me shqiptarë, të quajtur “Arbëria”. Me kalimin e kohës dhe shtimin e anëtarëve nga Shqipëria u themeluan dhe dy lozha të tjera. Kjo bëri të mundur që me 11 Tetor 2011, me inisiativën e GOI-t, të konsakrohej në Tiranë Lozha e Madhe e Shqipërisë. Ceremoninë e drejtoi Sekretari Ekzekutiv i Konferencës Botërore të Lozhave të Mëdha Tomas W. Jakson. Në të morën pjesë të gjithë Lozhat e Mëdha të vendeve fqinje si dhe nga vende e kontinente të tjera.

Që nga ky vit Lozha e Madhe e Shqipërisë punon e zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe merr pjesë në të gjitha aktivitetet që organizohen në nivel rajonal, europian e botëror.  Sot Lozha e Madhe e Shqipërisë ka të gjitha organizmat e nevojshëm, si të gjitha Lozhat e Mëdha, përfshirë këtu Ritin e Yorkut (Harku Mbretëror), Ritin Skocez (me 33 grade) dhe Urdhërin DeMolay, të gjithë të pavarur e sovranë, të çertifikuar nga organizmat përkatës ndërkombëtarë.    

Çfarë do të thotë Mjeshtër i Madh dhe sa të tillë ka në Shqipëri? Cili ishte kontakti juaj i parë me parimet masonike dhe si e ndërmorët ju këtë rrugëtim?

"Mjeshtri i Madh është drejtuesi dhe përfaqësuesi i Lozhës së Madhe, i zgjedhur rregullisht e me votim të lirë nga të gjithë vëllezërit që përbejnë Lozhën e Madhe. Ai qëndron në këtë detyrë për një kohëzgjatje të caktuar. Ai është i pari ndërmjet të barabartëve. Lozhat e Mëdha funksionojnë mbi bazën e parimit të territorialitetit, që do të thotë se në një territor të caktuar ka vetëm një Lozhë të Madhe. Në këtë kuptim ka vetëm një Mjeshtër të Madh në Shqipëri. Edhe në botë ka njerëz që e quajnë veten Mjeshtër i Madh, por ky është një emërtim i vendosur vetë dhe nuk ka aspak të bëjë me Lozhat e Mëdha që janë pjesë e Masonerisë botërore. Ka mjaft organizime me emra të njëjtë ose të ngjashëm, që janë krijuar nga njerëz të ndryshëm, por ato nuk janë pjesë e zinxhirit të Masonerisë së Lirë Universale Botërore. Ato përpiqen të përfitojnë nga emri  dhe reputacioni që ka masoneria, ashtu siç ka individë që përpiqen t’i mveshin masonerisë të gjitha konspiracionet apo të keqiat që ndodhin. Për t’u kthyer në realitetin shiptar dikush, sigurisht pa njohuritë e nevojshme, i quan dhe oganizimet “gyleniste” si organizata masonike, një tjetër thotë se gërma “G”  e vendosur në disa simbole masonike do të thotë “Mjeshtër i Madh”, njëri nxjerr lajmin se në vendin tonë bëri një vizitë drejtuesi i “Iluminatit” etj.  Një gjë është reale, masoneria nuk është një organizim sekret, por një organizim i rezervuar, ku mund e marrin pjesë të gjithë ata që duan të kontribuojnë vullnetarisht për kombin, atdheun dhe gjithë shoqërinë.

Kontaktet e mia të para me parimet e masonerisë ishte literaratura. Më pas, ishin shtetasit italianë qe vizitonin Shqipërinë dhe më pas zyrtarët e GOI-t që na bënë të kuptojmë parimet e masonerisë dhe funksionimin e saj.

Rrugëtimi im dhe i gjithë vëllezerve vetëm fillon me pranimin në masoneri. Në këtë rrugëtim, që zgjat sa vetë jeta, masoni duhet gjithnjë të “gdhendë gurin e tij” që do të thotë të punojë e studiojë pa rreshtur, për t’u bërë, ai vetë në radhë të parë, më i ditur e më  i  fortë, për të qenë i aftë të përballojë sfidat, për të qenë i gatshëm të kontribuojë për komunitetin e të ndihmojë pa zhurmë, bujë apo reklamë, njerëzit në nevojë. Për ne mbetet gjithnjë një devizë vjersha që masoni e nobelisti Kipling i kushton djalit të tij kur ky i fundit pranohet në masoneri. Kjo vjershë përmbledh gjithë filozofinë e të qenit mason,      

Në munç

Përkthyer nga Fan S. Noli

 

Në munç të mbash në kokë terezinë

Kur shokët çmenden dhe fajtor të nxijnë;

Në munç të kesh besim, kur kushdo të dyshon,

dhe s'ka asnjënjeri që të beson;

 

Në munç të preç, dhe pritjen s'e kursen,

Në të gënjefshin, e ti nuk i gënjen,

Në të urrefshin, ti s'i çan me brirë,

Dhe s'hiqesh as m'i mënçim as m'i mirë.

 

Në munç të çndërrosh e të mejtosh,

Dhe nga këto në mos u robërofsh;

Në munç të preç Triumfin dhe Hatanë,

Dhe t'i shkelmosh të dy si kallpazanë;

 

Në munç të mbahesh, kur një dreq ta dreth

Të drejtën dhe në lak syleshin heth,

Kur sheh kalan' e jetës të rëzuar

Dhe prap e ngre me veglën e çkallmuar;

 

Në munç të vësh m'i grumbull çdo thesar,

Edhe t'i loç të gjitha me një zar,

T'i humpç edhe të nisësh përsëri

Pa thën' asgjë për këtë batërdi;

 

Në munç të kesh një zemër, trup e kokë

Që të shërbejnë sa të bëhen trokë,

Dhe të vazhdosh i djegur shkrump në furrë,

Dhe të thërrasë vullneti: "Mbahu, or burrë!"

 

Në munç të zbreç në turm' e ta mbash nderin,

Të hash me mbretin, e të pish me neferin;

Në mos të ngaftë dot as mik as hasmë,

N'i daç të gjithë, po asnjë për dasmë;

 

Në munç për çdo minutë të përpjetë

Të rëntë tamam sekunda gjashtëdhjetë;

Zaptove dhenë me çdo mall dhe hir,

Dhe ca më mirë, qënke trim, or bir!

 

Masoneria është një organizëm i gjallë, me një frymë të lartë gatishmërie e përkushtimi nga të gjithë vëllezërit. Hierarkia në masoneri nuk është një hierarki eprorësh e vartësish, por një hierarki për të patur një organizim më të mirë, një koordinim të ativiteteve ndërjmet lozhave dhe një përfaqësim dinjitoz me të gjithë organizmet e tjera të shoqërisë.     

 

Sa lidhje ka masoneria me misteret dhe konsipacionin që vërtitet rreth saj? A është ky grupim i vjetër njerëzor edhe një mënyrë për të këmbyer favore dhe interesa apo edhe për ndikime politike në vend dhe në glob?

"Është një përpjekje e vazhdueshme, por pa rezultat, i gjithë atyre që duan të duken si të shumëditur. Masoneria nuk ka kurrfarë lidhje me konspiracionet. Masoni betohet se do të zbatojë me perpikmëri  kushtetutën dhe ligjet që rrjedhin prej saj, se do të përmbushë me besnikëri detyrimet që rrjedhin nga pozicioni dhe detyra në jetën publike. Për një mason pushteti civil është pushteti më i lartë të cilit i nënshtrohen të gjithë.

Në masoneri nuk lejohet të flitet për politikë e për fe. Masonët pranohen nga shtetasit me pikpamje të ndryshme politike apo bindje fetare. Librat e Shenjtë të të gjitha feve nderohen e respektohen nga të gjithë. Sigurisht masonët besojnë në Qenien Supreme dhe punojnë gjithnjë për Lavdinë e Arkitektit të Madh të Gjithësisë dhe për të Mirën e Njerëzimit.

Masoneria nuk është organizatë masash. Ajo nuk kërkon shtimin e numrit të anëtarëve për t’u bërë më e fuqishme. Ajo përzgjedh elementë që pranojnë programin e saj, që janë të gatshëm të punojnë për realizimin e qëllimeve të saj, njerëz të lirë, me sjellje e emër të mirë.

Modestia është një nga virtutet e masonit. Ne punojmë pa bujë e zhurmë, me aq sa mundemi, për përsosjen tonë morale, për rritjen e interesit të të gjithë vellezërve  për dijet, shkencën e artin, për ruatjen dhe transmetimin e traditave të kombit tonë, për nderimin dhe respektimin e figurave të shquara të popullit tonë, për mbështetjen e talentve në fushën e shkencës, artit e kulturës.

Të gjitha këto e përjashtojnë masonerinë nga veprimtaritë për këmbim favoresh e interesash, e aq më shumë për ndikime politike në planin politik kombëtar apo global.  Në historinë e gjatë të masonerisë ka  patur individë apo dhe grupe të veçanta që kanë vepruar për interesa të tyre, por, sapo ato janë marrë vesh, individët e tillë, qofshin dhe grupe, nuk kanë më vend në masoneri.  Që në momentin e parë të rrugëtimit masonik kandidatëve iu bëhen pyetje lidhur me konceptin e tyre për detyrimet ndaj vetes, shoqërisë e njerëzimit dhe u shpjegohen qartë virtutet dhe parimet morale që ndjek masoneria. U deklarohet haptazi dhe pa asnjë ekuivok se nëse ka ardhur që nga masoneria të përfitojë vlera materiale apo ndikime të caktuara, nuk ka vend në radhët tona e duhet të largohet ose do ta largojnë". 

Një nga misionet e masonerisë është dhe “transmetimi i parimeve etike dhe morale”. A e shihni vendin tonë sot të brishtë në këto virtyte? Si kontribuoni ju dhe anëtarët e Lozhës së Madhe të Shqipërisë për përhapjen e tyre?

"Normat e moralit janë ato që e mbajnë të lidhur e të bashkuar një popull. Në këtë kuptim ajo që ju e quani “brishtësi” është vetëm në dukje. Është media që e ngarkon opinionin me publikime të panevojshme dhe ngjarje të pakëndëshme. Po normat e moralit të popullit tonë janë të qëndrueshme e të dallueshme. Regjimi i mëparshëm u përpoq të njësonte moralin e popullit me atë të partisë, por nuk ja arriti. Me ndryshimin e sistemit ra fasada e vendosur artificialisht dhe, pavarësisht kohës së gjatë të tranzicionit, normat morale të popullit evidentohen gjithnjë e më mirë.

Një ndër detyrat kryesore të një masoni është të gdhendë gurin e tij, që do të thotë të bëhet më i mirë ai vetë, t’i respektojë e t’i zbatojë mirë normat e moralit. Lozha e Madhe e Shqipërisë jo vetëm e mbështet, por dhe kërkon nga të gjithe vellezërit, që në çdo hap e veprim të tyre, të zbatojnë normat morale. Në të njëjtën kohë, Lozha e Madhe e Shqipërisë, në çdo veprmtari të saj, nxit  e mbështet këto norma. Duke qenë vetë ne shembull, në zbatimin e respektimin e normave morale të popullit tonë, do të mund të kemi dhe nje ndikim real në komunitet".     

Ju jeni mbështetës dhe ndaj kauzës së Tempullit të Dodonës dhe tezave që ai Tempull me orakullin e famshëm të lashtësisë në të vërtetë nuk është në Janinë, por diku në Dishnicë të Përmetit. Ku mbështetet Lozha e Madhe e Shqipërisë në mbrojtjen e kësja teze dhe a ka veprime konkrete?

"Lozha e Madhe e Shqipërisë ka mbështetur dhe do të mbështetë aktivitete dhe vepra që i bëjnë jehonë ngjarjeve e figurave historike të popullit tonë, studimet apo hulumtimet në fusha të ndryshme. Çdo Mjeshtër i Madh e ka bërë, e bën dhe do ta bejë një veprim të tillë. Ndërsa përkrahja e ndonjë aktiviteti që lidhet me origjinën, kjo është rastësi. I kemi dhënë mbështetje studimit për Dodonën pasi ai është tempulli më i vjetër në trojet pellazgjike, shumë kohë para tempullit të Delfit. Të gjithë autorët e lashtë e quajnë Dodonën Tempull pellazg, ilir, epirot, thesprot, mollos, të gjithë paraardhës të shqiptarëve. Nuk mund të thuhet që ky tempull ndodhet në Dishnicë, pasi duhet vërtetuar me prova materiale, por studimi në fjalë është një fillim i mbarë.

Veprimet konkrete në të ardhmen, në këtë drejtim, do të jenë krijimi i një opinioni që të diskutojë me kurajo  rreth kësaj teme, botimi i librit në gjuhë të huaj dhe nxitja e mbështetja e sigurimit të provave materiale nga kalaja e vjetër ilire, që ndodhet ne mesin e malit të Trebeshinës (shumë më sipër se rrënojat e kalasë së Ali Kelcyrës)".      

 A mund të zbuloni disa nisma të tjera që ju dhe Lozha e Madhe e Shqipërisë do të ndërmarrë në të ardhmen siç ishte mbështetja për botimin e librit të familjes Vlora apo kauza e Tempullit të Dodonës?

"Besoj se çdo shqiptar e ndjen detyrim të shprehë mirënjohjen e nderimin për themeluesin e shtetit shqiptar, burrit e atdhetarit të shquar Ismail Qemal Vlorës. Botimi i historikut të Familjes Vlora (historik që fillon në shekullin e X dhe mbaron në fillimin e shekullit të XXI) të shkruar nga vëllai jonë Nedim Vlora, është një kontribut modest i joni për këtë familje. Do të donim të bënim më shumë si p.sh. ngritjen në Kaninë e një muzeu të Ismail Qemalit apo realizimi i një shtatoreje dinjitoze e vendosjen e saj në një vend të dukshëm të Tiranës, por këto gjëra kërkojnë fonde e mirëdashjen e organeve shtetërore.

Aktualisht ne po mbështesim veprimtarinë e profesor Petraq Ilollarit (Sotirit), figurë e ndritur e bujqësisë shqiptare, fatkeqësisht i harruar nga ata që e kanë detyrë, në ralizimin e dy veprave madhore të tij, një traktat për ullirin dhe një trilogji të vreshtarisë e vertarisë. Keto vepra janë rezultat i një pune kërkimore shkencore  me këto bime, gjatë 70 viteve punë,  afirmojnë lashtësinë e këtyre kulturave në vendin tonë, kultivaret autoktone, të rrallë e të çmuar në vend, zhvillimin e tyre në periudha të ndryshne kohore e mundësitë e mëdha që kanë këto kultura për të ardhmen e popullit tonë.

Shumë nga vellezërit tanë janë të apasionuar me veprën gjuhësore të Petro Zhejit mbi lashtesinë e gjuhës shqipe e rolin e saj formues. Do të jetë me vlera nxitja e mbështja e studimeve e veprimtarive kushtuar veprës së Petro Zhejit, vepër e lënë në hije nga veprimtaria e sotme shkencore. Lozha e Madhe e Shqipërise do të ishte e nderuar për çdo veprimtari lidhur me këtë fushë".     

Cilat janë lidhjet e Lozhës së Madhe të Shqipërisë me simotra të vendeve të tjera dhe si e shihni ju të ardhmen politike dhe ekonomike të Shqipërisë?

"Lidhjet e Lozhës së Madhe të Shqipërisë me Lozhat e tjera të Mëdha të botës janë  miqësore e vëllazërore.  Janë vendosur lidhje zyrtare pothuaj me të gjitha lozhat e mëdha europiane,  me lozha të mëdhe të Amerikës Veriore e Jugore, me lozha të mëdha të Afrikës, Azisë e Australisë. Ne shkojmë e vijmë tek njëri tjetri duke shkëmbyer përvojën. Kemi disa binjkëzime të lozhave tona me lozha të vendeve të tjera, të cilat bëjnë veprimtari të përbashkëta. Gjithnjë bëhet fjalë për Lozhat e Mëdha të rregullta që bëjnë pjesë në masonerinë e lirë universale.

Politika nuk është fushë e veprimtarisë tonë e ne nuk anojmë institucionalisht nga asnjëra parti politike. Individualisht secili është i lirë në zgjedhjen e tij. Por ne të ardhmen e shikojmë gjithmonë me  syrin optimist, se vendi ynë i ka të gjitha resurset për një zhvillim gjithnjë e më të mirë e për një  jetesë më të mirë të popullit".       

Piro Dode në aktivitete ndërkombëtare të Masonerisë

 

Mjeshtër të Mëdhenj të Lozhave të Masonerisë ndërkombëtare

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lindita: 22/10/2024 10:04

    Interesant shkrimi. Problem akut është si ndihmohet vendi...!

    Përgjigju
  • Bedri: 21/10/2024 11:59

    Nje interviste interessante qe na njeh me historine dhe masonerine.

    Përgjigju
  • Xhuvanaq: 21/10/2024 01:25

    Nje punim te mirefillte shkencor ne lidhje me Tempullin e Dodones dhe vendndodhjen e tij, ka shkruar edhe Prof. Dhimiter Pilika, duke percaktuar afersisht edhe vendndodhjen e tij. Kam vizituar edhe vendin ku pretendojne greket se ka qene Tempulli i Dodones, por gjeografia dhe objektet, si dhe lugins me malet qe e rrethojne nuk perputhet me ate qe kane shkruardijetaret e vjeter, qofte edhe ato greke.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?