MAT- Një gjimnazist u plagos me thikë paraditen e sotme në shkollën e mesme të bashkuar ‘Gjergj Kastrioti’ në fshatin Baz të Matit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në oborrin e shkollës gjatë orës së fiskulturës ku mësohet se dy nxënës janë konfliktuar fizikisht e më pas njëri prej tyre ka përdorur armën e ftohtë.
Këto janë pamjet nga vendi i ngjarjes, ku në stol ka mbetur ende canta e nxënësit të plagosur, ndërsa një helikopter i shëndetësisë e transportoi me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
Fakti i rëndë është se 18-vjeçari mbante thikë me vete në shkollë dhe gjatë sherrit ka goditur 17-vjecarin në shpatull duke i shkaktuar plagë të rëndë.
Policia mbërriti në vendngjarje dhe prangosi autorin e dyshuar Donald Lepuri.
Gjithashtu u sekuestrua thika që është përdorur në konflikt. Policia tha se dy adoleshentët nuk kanë pasur konflikte të mëparshme. Në pyetje për të zbardhur ngjarjen po merren mësuesit dhe nxënësit dëshmitarë.
Ky është krimi i tretë që ndodh në një hark të shkurtër kohor, ku të përfshirë janë nxënësit e shkollave, duke vënë alarmin për dhunën dhe mungesën e sigurisë në institucionet arsimore.
Në nëntor të vitit që lamë pas, u vra pranë shkollës “Naim Frashëri” 14-vjeçari Martin Cani, ndërsa autori i mitur po përballet me drejtësinë. Ndërsa në dhjetor, në Cakran të Fierit mbeti i plagosur në oborrin e shkollës një 17-vjecar pas sherrit me bashkëmoshatarin për postimet fyese në rrjetet sociale.
Komente
