Në vitin 1938, u bë regjistrimi i popullsisë në Shqipëri, ku ndër të tjera u pyet edhe për përkatësinë fetare të secilit (rezultuan 70% muslimanë – sunite dhe bektashinj – 20% ortodoksë dhe 10% katolikë). Për shumë dekada, census i 1938-ës shërbente si pikë referimi për përkatësinë fetare të popullsisë shqiptare, ngaqë ajo nuk ishte hulumtuar gjatë regjimit komunist.
Një census më i afërt, i zhvilluar në vitin 2011, krahas regjistrimit të popullsisë, përfshiu pas më shumë se 7 dekadash edhe pyetjen për përkatësinë fetare. Sipas këtij censusi, në popullsinë banuese të Shqipërisë, 56.7 % deklarohej me përkatësi fetare myslimane, 10,03 % deklarohej katolike, 6.75 % ortodokse dhe 2.09 % bektashiane. Por ky ishte një census i kontestuar nga pothuaj të gjitha komunitetet fetare, si dhe nga mjedisi akademik, për mungesën e seriozitetit dhe të parametrave shkencore. Sipas këtij censusi një përqindje e madhe e popullsisë preferoi të mos përgjigjej lidhur me përkatësinë fetare (13.79 %), kurse 5.49 % e konsiderojnë veten besimtarë, por nuk donin ta identifikonin përkatësinë fetare.
Një vrojtim statistior mbi çështjet e sigurisë kombëtare (i zhvilluar në tërren nga Vermoshbi në Konispol gjatë vjeshtës së shkuar) krijoi mundësinë për të patur pasqyrën më të saktë të përkatësisë fetare të banorve të Shqipërisë, qysh prej censusit të 1938-ës. Barometri i sigurisë u financua nga fondacioni gjerman Friedrich-Ebert-Stiftung (https://www.fes-tirana.org/publications/ ) dhe u realizua nga Arjan Dyrmishi (Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes) dhe unë, si specialist i sondazheve.
Për t’i monitoruar anketuesit në terren, u përdor teknologjia më avancuar aktualisht, përmes së cilës mund të monitorohej në kohë reale me zë e figurë (me përzgjedhje të rastësishme) çdo interviste (ndërkohë që përcaktohej edhe vendndodhja ekzakte e çdo interviste). Me një kampion të kalibruar, për të përfaqësuar sa më mirë banoret e rritur gjeografikisht dhe demografifkisht), mund të thuhet se gjetjet e këtij vrojtimi statistikor i afrohen një census rigoroz të popullsisë (rezultatet vijojnë në tabelën shoqëruese).
Në cilën fe besoni, nëse besoni? | % |
Mysliman/e (Sunit) | 61.7 |
I/e Krishtere Ortodoks | 14.9 |
I/e Krishtere Katolik | 10.1 |
Bektashi | 8.0 |
Ateist | 4.2 |
Tjetër | 0.4 |
Protestant | 0.3 |
Agnostik | 0.1 |
(Nuk pranon të tregojë) | 0.4 |
Shënim: Vetëm 22% e atyre që deklarojnë se besojnë në një fe, i frekuentojnë rregullisht shërbimet/ceremonitë fetare. Ndërsa 25% të tjerë i frekuentojnë pak herë në vit.