Libri më i ri i prof. Matteo Mandalas, “Jeronim De Rada, portret artisti në rini sapo ka dalë nga shtypi, njofton shtëpia botuese “Naimi”.
Studiusi i njohur arbëresh, prof. Matteo Mandala shkruan në këtë libër se: “De Rada u bë i pari intelektual arbëresh që mori guximin të imagjinojë të ardhmen e Shqipërisë në një nga çastet më të errëta historike, kur Shqipëria as që mendohej se mund të ekzistonte si shtet i pavarur.”
(Libri i Matteo Mandala-së)
Sipas Mandalasë, De Rada ishte nismëtari i letërsisë moderne shqiptare. “Botimi i Këngëve të Millosao-s në vitin 1836, jo vetëm që shënoi fillimin e një faze të re në letërsinë shqipe, por i hapi shtegun europianizmit që do të karakterizojë veprat e autorëve të mëvonshëm.”, shkruan Mandala.
Por vlera e ardhjes në dritën e botimit të një libri të ri për De Radën ka një qëllim të përcaktuar, sipas vetë autorit. Mandala deklaron se “Ka ardhur koha të rihapet çështja “De Rada” si çështje hermeneutike e historisë së letërsisë shqipe dhe si moment kthese e pikë moskthimi në procesin e zhvillimit të kulturës dhe identitetit shqiptar".
Gjatë kërkimeve që i kam kushtuar historisë së letërsisë arbëreshe, duke ndeshur shpesh në vepra që rimarrin formën narrative që futi për të parën herë në vitin 1836 De Rada, më ka lindur natyrshëm ideja për t’i ballafaquar këto tekste që u përkasin kohëve të ndryshme dhe autorëve që kanë jetuar e shkruar në epoka dhe kontekste të ndryshme historike. Kjo ide që më ka tërhequr edhe nga pikëpamja e teorisë së letërsisë erdhi duke u konkretizuar përmes krahasimit të strukturave, të stileve, të diskurseve narrative, duke dhënë kështu një kuadër të ri për studimin e historisë së letërsisë shqipe. I vetmi kufizim kishte të bënte me mungesën a pamjaftueshmërinë e të dhënave jashtëtekstore që do të mund të mbështetnin spekulimet hermeneutike që rridhnin nga dëshmitë ndërtekstore.
Matteo Mandala
Matteo Mandala e lidh letërsinë shqipe të romantizmit pazgjidhshërisht me emrin e De Radës dhe veprën e tij Këngët e Millosaut, botuar në vitin 1836.
Studiuesi arbëresh, i cili së bashku me Françesko Altimarin ka bërë kërkime të thella në krijimtarinë dhe jetën e De Radës, ndalet në veçanti në një këndvështrim diakronik të poetikës së De Radës, ku i ballafaqon tekstet që u përkasin kohëve të ndryshme dhe autorëve që kanë jetuar e shkruar në epoka dhe kontekste të ndryshme historike.
“Kjo ide që më ka tërhequr edhe nga pikëpamja e teorisë së letërsisë erdhi duke u konkretizuar përmes krahasimit të strukturave, të stileve, të diskurseve narrative, duke dhënë kështu një kuadër të ri për studimin e historisë së letërsisë shqipe. I vetmi kufizim kishte të bënte me mungesën a pamjaftueshmërinë e të dhënave jashtëtekstore që do të mund të mbështetnin spekulimet hermeneutike që rridhnin nga dëshmitë ndërtekstore.” Mandala është mbështetur në studimet e autorëve shqiptarë dhe arbëresh ku hulumtimin e plotë të veprave të De Radës në funksion të botimeve kritike e ka bërë nën drejtimin e prof. Francesco Altimarit, por edhe në zbulimin e materialeve të pabotuara arkivore që kam mundur t’i shqyrtoj gjatë punës për botimin kritik të veprave të autorëve të ndryshëm arbëreshë të Sicilisë, që janë pothuajse të gjithë bashkëkohës të De Radës.
Më rëndësi në studimin e kësaj vepre për Matteto Mandalanë është studimi i rinisë së De Radës dhe ndarja në periudha e historinë së marrëdhënieve që ka mbajtur De Rada me arbëreshët e Sicilisë, që e përcaktyon në tri faza:
“Faza e parë që mbulon periudhën nga 1834 deri në 1860, u zhvillua në Napoli, ku, për një sërë arsyesh historike dhe politike që nuk është vendi të trajtoj këtu, u mblodhën shumë intelektualë arbëreshë që vinin nga Kalabria dhe nga Sicilia. Në këtë kryeqendër De Rada hyri në kontakt me të tjerë intelektualë arbëreshë, disa prej të cilëve lozën një rol vendimtar në karrierën e ardhme të poetit dhe patriotit si edhe në peshën që ai zuri në lëvizjen e Rilindjes kombëtare”. Mandala kujton se:
Vetë De Rada në autobiografinë e tij pranon se krizën e identitetit që e mbërtheu gjatë muajve të parë të qëndrimit në Napoli e kaloi falë ndihmës dhe përkrahjes morale që i dhanë dy arbëreshë të shquar, të dy të njohur dhe të vlerësuar në mjediset e rafinuara intelektuale të Napolit: njëri ishte Vincenzo Torelli nga fshati arbëresh Barile, i cili i vuri në dispozicion faqet e së përkohshmes që drejtonte Omnibus ku De Rada botoi disa rapsodi; tjetri ishte Emanuele Bidera, arbëresh nga fshati Palazzo Adriano në Sicili, figurë poliedrike që kujtohet edhe sot si libretisti i kompozitorit të shquar Donizetti (shkroi për të libretin e operës Gemma di Viergy), i cili e pranoi në shkollën e recitimit që drejtonte ku De Rada u njoh e u miqësua veç të tjerësh edhe me Francesco de Sanctis. De Rada i kaloi turbullimet e para rinore që e pengonin të botonte Këngët e Millosaut falë nxitjes dhe këmbënguljes së Biderës i cili i ngazëllyer prej atyre vargjeve, sikurse na thotë vetë poeti "nuk kurseu asnjë arsyetim […] për të më nxitur t'i nxirrja në dritë. E ma gjeti vetë ai shtypshkronjën, ndërkohë që unë prisja të më dërgonin nga shtëpia paratë për ta shtypur"…. Mandala shkruan më tej se “Lidhja e ngushtë me Biderën krijoi kushtet për njohjen dhe shkëmbimin e të dhënave mes dy komuniteteve arbëreshe të Kalabrisë dhe të Sicilisë. Bidera përfaqësonte hallkën lidhëse, që deri më sot është injoruar nga studiuesit e historisë së letërsisë dhe të kulturës të kësaj periudhe kyçe të Rilindjes kombëtare.
Matteo Mandala
Ndërsa takimi i dytë i rëndësishëm i De Radës në Napoli ishte ai me Dhimitër Kamardën, gjuhëtarin arbëresh nga Hora e Sicilisë, që ishte syrgjynosur në Napoli për shkak të ideve të tij patriotike liberale. Ky takim shënoi një këmbim të mëtejshëm idesh që përforconim ato që De Rada kishte marrë nga mentori i tij Bidera. Për më tepër Kamarda i dha De Radës mundësinë të lexonte e të kopjonte tekstet e këngëve popullore që në vitin 1700 kishte mbledhur bashkëfshatari i tij Francesco Avati dhe ia kishte dërguar në shenjë nderimi at Gjergj Guxetës. Falë këtyre dëshmive të shkruara të traditës poetike gojore në mendjen e De Radës u përvijua projekti i asaj ndërmarrjeje madhështore që u botua në vitin 1866 me titullin Rapsodi të një poeme arbëreshe. Mandala krijon një këndvështrim të ri për De Radën, me një dimension që e kapëcen kohën e jetëgjatësisë së tij. De Rada shfaqet më një profil të panjohur ku në letërsinë shqipe është stdudiua vetëm maja e ajsbergut.
“De Radës i shkruante arbëreshi nga Palazzo, Pietro Chiara, për t'i rrëfyer përshtypjet që pati gjatë vizitës në Shqipërinë që dergjej nën sundimin osman. De Radës i drejtohej edhe Gavril Dara i Riu për ta njoftuar se mbaroi së shkruari veprën e tij të famshme Kënga e spërasme e Ballës. Në fakt ishte pikërisht interesimi i De Radës që bëri të mundur botimin e veprës së Darës pas vdekjes së autorit në vitin 1906. Prapë De Radës i shkruante plot admirim Cristina Gentile Mandalà, Dora D'Istria e Horës së Arbëreshëve, e vetmja grua që iu kushtua mbledhjes së përrallave popullore e që ishte e para që bëri të njohur krijimet poetike të kushëririt të ri Zef Skiroit, që më pas u bë imituesi dhe trashëgimtari letrar i De Radës. Së fundi, De Radës i shkruante Francesco Crispi Glaviano, shkrimtari dhe poeti që na ka lënë një numër të madh veprash, shumë prej të cilave ruhen, ende të pabotuara, në fondin Albansk Sammling të Bibliotekës Mbretërore të Kopenhagës.”, shkruan Mandala, i cili ka stdudiaur në një mënyrë tejet depërtuese në aspektin krijues e shpirtëror fazat e jetës së De Radës.
“Faza e fundit është ajo që shkon nga vdekja e De Radës deri në ditët tona e që dallohet nga dy fazat e para prej faktit që perceptimi i poetikës deradiane nuk bëhet më me ndërmjetësinë e figurës së vetë autorit. “, shkruan ndër të tjera Mandala.