Arbëreshët e Italisë janë një monument i paçmuar i kulturës dhe trashëgimisë kulturore të shqiptarëve në të gjitha trevat ku ata jetojnë sot. Në apokalipsin e pushtimeve dhe rrënimeve osmane, ata ishin varka jonë e Noes që duke shkuar drejt tokës mikpritëse, Italisë, morën me vete thesaret e trashëgimisë; gjuhën, librat, historinë dhe fenë dhe i kultivuan, pa e humbur kurrë shpresën e rikthimit tek toka mëmë.
Për më shumë se një shekull, ëndrra e ritakimit me rrënjët është bërë realitet, falë rilindësve dhe dijetarëve arbëreshë të shekullit të 19-të që rishkruan dhe rizbuluan thesaret e trashëgimisë shqiptaro-arbërore. Njëri prej tyre, ylli i diturisë arbëreshe është edhe prof. dr. Matteo Mandalà, që e kujtojmë plotë nderim dhe mirënjohje në këtë 60-vjetor të lindjes së tij për të gjitha meritat dhe kontributet shkencore, ndihmesat e mëdha që ka dhënë për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, universitetet tona e më gjerë. Matteo Mandala ka lindur më 27 qershor 1958. Kontributi i studiuesve dhe dijetarëve arbëreshë ka qenë një prurje e madhe në fushën e albanologjisë, historisë dhe gjuhës shqipe me veprat të Jeronim De Radës, Gavril Darës, Françesk Santorit, Zef Serembes, Zef Skiroit etj. Dhe ky kontribut nuk do të bëhej i mundur pa urat e forta të komunikimit që kemi me intelektualët arbëreshë, jo vetëm me Profesor Matteo Mandalanë, por edhe me Francesko Altimarrin , të cilët kanë bashkëpunuar dhe kanë dhënë ndihmesë të madhe edhe në periudhën e diktaturës komuniste, pavarësisht kufizimeve ideologjike të atij regjimi. Gjatë takimeve me Matteo Mandalanë, kur vjen në Tiranë më ka pohuar se ai është një shqiptar, arbëresh i Italisë, që një degë të origjinës nga nëna e tij e ka prej familjes së Skirojve. Të dy profesorët e shquar Matteo Mandala e Francesko Altimari vijnë sot në Tiranë si në shtëpinë e tyre, jo vetëm si kontribuues shkencorë, por edhe si mbështetës të mendimit shkencor e ruajtës së trashëgimisë kulturore. Për Mandalanë, studimi dhe kërkimi i rrënjëve arbërore shkon përtej pasionit prej shkencëtari. Arbëreshët e tij janë thesar i qytetërimit të sotëm, ndaj nuk ka reshtur kurrë së kërkuari që Kultura dhe trashëgimia arbëreshe të futen ne UNESCO. “Është e vërtetë se arbëreshët përbëjnë një rast të rrallë. Gjithsesi merita e tyre nuk qëndron aq në faktin padiskutim të rëndësishëm se ia kanë dalë të ruajnë gjuhën dhe traditat, sesa në faktin tjetër që gjatë shekullit XVIII atyre iu desh të krijonin një identitet etniko-kulturor për të mbrojtur të drejtat e tyre si pakicë e njëherazi, ta eksportonin atë përtej Adriatikut, tashmë në formën e identitetit kombëtar, duke ua vënë në dispozicion të gatshëm shqiptarëve që një shekull më vonë do të viheshin në kërkim të një fizionomie kombëtare. Në funksion të kësaj ndërmarrjeje titanike të “krijimit” të kombit, intelektualët arbëreshë të shek. XVIII shtinë në punë gjuhën, letërsinë, por edhe historinë. Ata ia hynë kërkimit të dokumenteve që u duheshin për të ndërtuar identitetin në kohë dhe në hapësirë; punuan për t’i dëshmuar botës se shqipja, si gjuhë e lashtë, meritonte një vend nderi mes gjuhëve të tjera, dhe këtë e bënë kryesisht duke shkruar gramatika, fjalorë një dhe shumëgjuhësh, madje edhe fjalorë etimologjikë, por sidomos duke shkruar vepra letrare. Te kjo ndërmarrje e jashtëzakonshme, që ndikoi ndjeshëm edhe shoqërinë kulturore shqiptare përtej Adriatikut, duhen kërkuar elementet që u mundësuan arbëreshëve të mbijetojnë si bashkësi etno-gjuhësore, duke i dhënë jetë në këtë mënyrë një mrekullie të vërtetë antropologjike e kulturore”, rrëfen Matteo Mandala për popullin nga gjiri i të cilit u formua si intelektual dhe studiues me vlera dhe merita të rralla historike.
Për drejtuesit e Akademisë së Shkencave, Matteo Mandala vlerësohet edhe për faktin se ka qenë pjesëmarrës në debatet themelore për të cilat shqetësohet institucioni në pikëpamjen shkencore, si debati për njësinë e gjuhës letrare, debati për identitetin shqiptar, debati për qëndrimin ndaj traditës së hershme e të afërme dhe çështje të tjera.
Prof. dr. Matteo Mandalà, prej afro 28 vjetësh është përgjegjësi i seksionit të albanologjisë në Universitetin e Palermos (Università degli Studi di Palermo). Albanolog i mirënjohur; historian dhe studiues i letërsisë arbëreshe dhe shqipe prej fillimeve deri në kohën e sotme, filolog e botues i shkrimeve dhe veprave shqip në disa periudha letrare; intelektual me interesa të gjerë dhe dijetar me ndihmesa origjinale në disa fusha të dijes kombëtare; përfaqësues i shquar i mendimit shkencor shqiptar në gjithë botën e sotme akademike-universitare.
Prof. dr. Matteo Mandalà është historian i letërsisë, studiues i disa periudhave të saj, duke përfshirë letërsinë më të hershme, letërsinë parakombëtare, letërsinë arbëreshe dhe atë të degës lindore të romantizmit shqiptar (E. Çabej), letërsinë e periudhës midis dy luftërave dhe atë të gjysmës së dytë të shek. XX.
Së bashku me prof. dr. Francesco Altimarin, Anëtar Nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ai është themelues i filologjisë moderne shqiptare, që sot në pikëpamjen metodologjike funksionon si një shkollë për të gjithë studiuesit e teksteve shqip. Ai ka përgatitur dhe botuar me shqyrtim kritik dhe me principe shkencore europiane veprën e Lekë Matrangës, veprën e Nicolò Chetta-s, veprën e Nicolò Figlia-s (Il Codice Chieutino), veprën e Giuseppe Schirò-it, veprën e Gavril Darës. Janë dekada të tëra punë e lodhshme, e vështirë, përgatitja e botimeve filologjike të veprës së plotë edhe të autorëve më pak të njohur gjatë katër shekujve letërsi arbëreshe në Italinë ishullore palermitane, botuar në antologjinë më të madhe të kësaj letërsie, realizuar në tre vëllime, me titullin Profilo storico-antologico della letteratura degli Albanesi di Sicilia (2005-2007-2012). Dhe prapa çdo studimi qendron një çështje jo e propozuar, e parashtruar, por e zgjidhur e historisë së letërsisë, historisë së shkrimeve, historisë së gjuhës.
Së fundmi, në 200-vjetorin e lindjes së De Radës, ai ishte përkujdesës kryesor për botimin për herë të parë në Shqipëri të veprës së poetit të madh.
Në një vlerësim te ASHSH, Prof. dr. Matteo Mandalà njihet gjithashtu si studiues i një niveli të lartë profesional-shkencor i prozës së Ismail Kadaresë dhe i disa autorëve bashkëkohore. Studimi hyrës që do të shoqërojë ribotimin e afërm të veprës së plotë të I. Kadaresë, me fizionominë e një monografie, është njëherësh një vështrim rreth zhvillimeve të letërsisë shqipe pas vitit 1960.”, njofton Akademia e Shkenvace të Shqipërisë, e cila është duke përgatitur edhe surprizën e 60-vjetorit të Matte Mbndalsë që pritet të manifestohet në fillim të shatorit të këtij viti, sipas burimeve për “shqiptarja.com.
Prof. dr. Matteo Mandalà është një prej zërave më të respektuar në të gjitha konferencat dhe ngjarjet shkencore që zhvillohen kudo në botë; ai është bashkëpunëtor i shkollave më të rëndësishme të albanologjisë (italiane, gjermane, austriake, ruse, greke etj.). Ka qenë profesor i ftuar në shumicën e universiteteve shqiptare dhe në vende të tjera.
Prof. dr. Matteo Mandalà njihet si studiues që ka shtruar dhe ka zgjidhur probleme, sidomos çështje të autorësisë (Matranga, Figlia, Dara, Budi), të tekstologjisë kritike dhe të hermeneutikës. Me emrin e tij, krahas udhëheqësit dhe bashkëpunëtorit të tij më të F. Altimarit, lidhet fusha e filologjisë së re shqiptare, e cila këto vitet e fundit i ka dhënë një drejtim të ri, të veçantë shkencës albanologjike. Emri i prof. dr. Matteo Mandalà-së çmohet shumë për ndihmesat e tij si shkencëtar dhe për besueshmërinë intelektuale si pjesëmarrës në debatet themelore për të cilat shqetësohet Akademia e Shkencave në pikëpamjen shkencore, si debati për njësinë e gjuhës letrare, debati për identitetin shqiptar, debati për qëndrimin ndaj traditës së hershme e të afërme dhe çështje të tjera. Këto janë disa nga kontribute për të cilat e vlerëson dhe e ka vlerësuar ndër vite Akademisë e Shkencave të Shqipërisë. Albanologu arbëresh Matteo Mandala është bërë prej vitesh anëtar nderi i Akademisë së Shkencave.