Testimi për lëndët me zgjedhje, mbylli zyrtarisht procesin e maturës shtetërore për vitin 2025. Rreth 27 mijë maturantë në të gjithë vendin iu nënshtruan këtij testimi, që shënon edhe hapin e parë drejt universiteteve.
Në këtë provim, nxënësit kishin mundësinë të zgjidhnin mes një game të gjerë lëndësh, në varësi të interesave dhe prirjeve të tyre: nga ato shoqërore, te lëndët shkencore.
Report TV u ndal në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, ku shumica e maturantëve kanë zgjedhur ekonominë, më shpresë për të studiuar mjekësi apo drejtësi.
Vetëm pak minuta pas nisjes së provimit, foto të pyetjeve filluan të shpërndaheshin në rrjetet sociale. Përgjigja e ministrisë së Arsimit ishte e njëjta si në çdo provim, se publikimi i provimeve nuk cenoi procesin.
Por, në një reagim tjetër Ministria e Arsimit informoi se një maturant në Durrës u përjashtua nga provimi pasi i bëri foto tezës, ndërsa masa do të merren edhe për administratorin e provimit për mos zbatim të rregullores të Maturës Shtetërore.
"Është ngritur një sistem i posaçëm monitorimi dhe identifikimi, i cili ka mundësuar zbulimin e personave përgjegjës për rrjedhjen e testit pas nisjes së provimit. Konkretisht, është përjashtuar nga provimi një maturant, në një prej gjimnazeve të qarkut Durrës, i cili është evidentuar që kishte fotografuar testin me telefon. Sa më sipër janë ndjekur të gjitha hapat për marrjen e masave administrative për mos zbatim të rregullores të Maturës Shtetërore edhe ndaj përgjegjësit të administrimit të provimit në atë shkollë, i cili kishte për detyrë të garantonte ndalimin absolut të përdorimit të celularëve në ambientet e provimeve", thuhet ndër të tjera.
Ndërkohë janë publikuar edhe notat për dy provimet e detyruara, gjuhën e huaj dhe “gjuhë shqipe e letërsi”.
Në provimin e gjuhës së huaj, 399 maturantë nuk arritën të kalojnë, ndërsa 216 nxënës shkëlqyen, duke marrë 10-ën absolute. Në provimin e gjuhës shqipe 365 maturantë ishin ngelës, dhe vetëm 29 morën notë maksimale. Në fund të korrikut maturantët do të plotësojnë formularin për 10 degët që ata dëshirojnë të studiojnë.
Pas publikimit të tezave të provimeve të Maturës Shtetërore, Ministria e Arsimit ka reaguar sërish në rrjete sociale duke theksuar se janë identifikuar personat që kanë fotografuar tezën.
Konretisht në Durrës një maturant është përjashtuar nga provimi, ndërsa për administratorin e provimit në atë shkollë, Ministria shprehet se do të merren masa të nevojshme.
Reagimi i plotë
Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe institucionet e saj nga Qendra e Shërbimeve Arsimire, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar si dhe ekipet e administratorëve të provimeve dhe vlerësuesit e tyre janë angazhuar maksimalisht në proçesin e administrimit të provimeve të Maturës Shtetërore, duke garantuar standardet më të larta në organizim, ruajtjen e konfidencialitetit të testeve dhe zhvillimin korrekt të procesit të testimit.
Në këtë kuadër, theksojmë se çdo akt i publikimit të testit pas përfundimit të provimit, megjithëse nuk cënon vlefshmërinë e tij, është një veprim i papranueshëm dhe i dënueshëm. Dalja e testit në rrjete sociale përpara publikimit zyrtar përbën një shkelje serioze të etikës dhe rregullave të provimit, dhe ndaj këtij fenomeni Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar menjëherë.
Është ngritur një sistem i posaçëm monitorimi dhe identifikimi, i cili ka mundësuar zbulimin e personave përgjegjës për rrjedhjen e testit pas nisjes së provimit. Konkretisht, është përjashtuar nga provimi një maturant, në një prej gjimnazeve të qarkut Durrës, i cili është evidentuar që kishte fotografuar testin me telefon. Sa më sipër janë ndjekur të gjitha hapat për marrjen e masave administrative për mos zbatim të rregullores të Maturës Shtetërore edhe ndaj përgjegjësit të administrimit të provimit në atë shkollë, i cili kishte për detyrë të garantonte ndalimin absolut të përdorimit të celularëve në ambientet e provimeve.
Ministria e Arsimit dhe Sportit mbetet e përkushtuar në ruajtjen e integritetit të procesit të Maturës Shtetërore dhe do të vazhdojë të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për të parandaluar çdo akt që cënon këtë proces të rëndësishëm për arsimin dhe të ardhmen e të rinjve tanë.
Foto: Tezat e publikuara
Ashtu si në provimet e tjera u përsërit sërish skema, vetëm pak nga nisja e provimit, në rrjetet sociale doli teza provimeve.
Sërish ministria e Arsimit në një reagim publik, tha se kjo gjë nuk ndikonte në mbarëvajtjen dhe integritetin e procesit, pasi testimi po zhvillohet nën zbatimin e një sërë masash.
Njoftimi i plotë:
Provimi i lëndëve me zgjedhje, pjesë e Maturës Shtetërore 2025, po zhvillohet në përputhje me standardet dhe procedurat e sigurisë dhe publikimi i tezave pasi provimi ka filluar në të gjitha qendrat e testimit nuk e cënon në asnjë moment procesin.
Procesi i Maturës Shtetërore është zhvilluar me masa të shtuara sigurie, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, për të garantuar barazi dhe integritet për të gjithë maturantët.
MAS është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse dhe ka ngritur strukturat e monitorimit në terren, me qëllim garantimin e një procesi të drejtë dhe të sigurt për nxënësit tanë.
Ministria falenderon të gjithë mësuesit, drejtuesit e shkollave, administratorët e provimeve për angazhimin në mbarëvajtjen e Maturës Shtetërore.
Komente
