Foto ilustruese

Sociale

Matura Shtetërore/ 27 mijë nxënës testohen në Matematikë! Përsëritet skema, publikohet teza! Ministria: Nuk cenon procesin

17 Qershor, 07:03| Përditesimi: 17 Qershor, 12:40

  • Share

Mbi 27 mijë maturantë iu nënshtruan këtë të martë provimit të tretë të maturës shtetërore atë të Matematikës. Provimi zgjati 2 orë e 30 minuta, ndërkohë si çdo vit u përsërit sërish skema, vetëm pak nga nisja e provimit, në rrjetet sociale doli teza.

Sërish ministria e Arsimit në një reagim publik, tha se kjo gjë nuk ndikonte në mbarëvajtjen dhe integritetin e procesit, pasi testimi u zhvillua nën zbatimin e një sërë masash paraprake përfshirë kamerat e sigurisë dhe kontrolle në hyrje dhe dalje të nxënësve

"Provimi i Maturës Shtetërore në lëndën e Matematikës, po zhvillohet në përputhje të plotë me standardet e sigurisë të përcaktuara në rregulloren përkatëse dhe publikimi i tezës së Matematikës pas nisjes së provimit nuk cenon procesin.

Ministria e Arsimit dhe Sportit garanton të gjithë maturantët dhe opinionin publik se në 145 qendra provimi në të gjithë vendin testimi po vijon në një atmosferë të qetë dhe të sigurt, duke u dhënë mundësi të 27 mijë maturantëve të demonstrojnë njohuritë dhe aftësitë në lëndën e Matematikës.

Vëmë dhe njëherë theksin se publikimi i tezës së provimit pasi nxënësit kanë nisur testimin, nuk ndikon në mbarëvajtjen dhe integritetin e procesit.

Ministria dhe strukturat arsimore kanë ndërmarrë një sërë masash paraprake për të siguruar zhvillimin e drejtë dhe të barabartë të procesit të Maturës Shtetërore, përfshirë: mbikëqyrjen e ambienteve të provimit përmes kamerave të sigurisë, trajnimin e administratorëve, kontrollin e rreptë të hyrjes dhe daljes, si dhe krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për të reduktuar stresin te maturantët për të arritur rezultate të merituara. Këto masa garantojnë një proces të besueshëm, transparent dhe të drejtë për të gjithë", shkroi Ministria e Arsimit në rrjetet sociale.

Këtë vit Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur që të ketë edhe teste të personalizuara për maturantët që janë me aftësi të kufizuara.

Janë ngritur 145 qendra testimi sipas standardeve, ndërsa 640 mësues janë përfshirë në procesin e vlerësimit.

Në këtë ditë të rëndësishme për nxënësit, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, përcolli një mesazh inkurajues për maturantët.

“SUKSESE të gjithë maturantëve që nisin pas pak provimin e Matematikës të Maturës Shtetërore. Jepni më të mirën tuaj”, shkroi Manastirliu në rrjetet sociale.

Provimi i fundit që do të zhvillojnë  maturantët është ai me Zgjedhje më 24 qershor.

Provimi me zgjedhje ofron një gamë të gjerë lëndësh, përfshirë: Shkencat e Natyrës: Kimi, Fizikë, Biologji, Shkencat Shoqërore: Histori, Gjeografi, Qytetari dhe Psikologji, Filozofi dhe Sociologji dhe Ekonomia dhe Artet: Ekonomi, Histori Arti, Histori Muzike, Histori Baleti.

Për orientimin dhe përgatitjen e maturantëve, testet model për provimet e ardhshme janë shpërndarë shumë më herët në të gjitha shkollat, duke i orientuar nxënësit për formatin e provimeve në mënyrë që ata të jenë sa më të përgatitur.

 

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD ankohet në Strasburg për zgjedhjet e 11 majit dhe SPAK, si e vlerësoni?