TIRANË- Mbi 32 mijë maturantë në të gjithë vendin iu nënshtruan sot provimit të fundit të Maturës Shtetërore, atë të lëndës me zgjedhje.
Provimi nisi në 10:00 dhe mbyllet në orën 12:30, pra nxënësit kishin në dispozicion për të plotësuar të gjitha pyetjet 2 orë e 30 minuta. Përpara se të futeshin në provim nxënësit duhej të paraqiteshin në qendrën e testimit, 1 orë e 30 minuta para dhe me mjet identifikues me vete si dhe mjetet shkollore të nevojshme.
Në disa shkolla ishin vendosur bllokues valësh në mënyrë që të shmanget kopja me telefon si dhe kishte dedektorë në hyrje për të zbuluar çdo aparat që mund të tentojnë të fusnin nxënësit.
Testi i Maturës në total ka 60 pikë, ku 20 pikë për pyetjet me alternativa dhe 40 pikë pyetjet me zhvillim. Për sa i përket nivelit të vështirësisë 40 % të pikëve të testit do të jenë nivel i parë, 40% niveli i dytë dhe 20 % që do të bëjnë diferencën e maturantëve më të mirë të cilët duan të arrijnë rezultate maksimale.
Maturanti do të jetë kalues nëse merr minimumi 25 % të pikëve të testit. Vlerësimet e testeve do të bëhen brenda një kohe shumë të shkurtër për t’i dhënë mundësinë edhe maturantëve që duan të studiojnë jashtë të kenë diplomat në duar në ditët e para të korrikut. Për të siguruar mbarëvajtjen e provimeve janë vendosur në dispozicion rreth 167 qendra testimi dhe 7 mijë mësues administrues.
Më datë 9 qershor maturantët dhanë provimin e gjuhës së huaj, më datë 11 qershor iu nënshtruan provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, ndërsa më 17 qershor provimit të Matematikës. Ndërkohë opozita denoncoi se teza të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë u publikua në kohën kur nxënësit ishin në provim. Ndërsa në rrjet është publikuar edhe teza e provimit të Matematikës në kohën kur nxënësit ishin ende në klasë.
10 minuta pas fillimit të provimit të Maturës Shtetërore në lëndët me zgjedhje, është publikuar në rrjetet sociale teza e lëndës së Biologjisë dhe Fizikës.