Sociale

Maturantët dinë gjithnjë më pak shqip, nën nivelin historik mesatarja e gjuhës dhe letërsisë! QQ: Duhen masa për Maturën Shtetërore

25 Korrik, 16:17| Përditesimi: 25 Korrik, 17:25

  • Share

Maturantët shqiptarë gjithnjë e më pak e njohin gjuhën dhe letërsinë shqipe. Në tre vitet e fundit mesatarja e rezultateve në provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsi në Maturën Shtetërore ka pësuar një rënie të ndjeshme, duke shkuar në 6.87. Një vit më parë ishte 7.29, ndërsa në vitin 2023 rezultonte edhe më e madhe.

Në një raport të posaçëm për maturën Shtetërore, organizata Qëndresa Qytetare e lidh këtë tregues shqetësues me rënien e aftësive të shprehurit të nxënësve. Raporti e lidhe me notën mesatare të gjuhës së huaj, e cila këtë vit ishte 7.8, duke shënuar rritje. Sipas analizës kjo nuk vjen nga njohuri më të thella, por nga një test më i lehtë dhe sipërfaqësor. Vetë maturantët pohojnë se testi i gjuhës së huaj ishte i thjeshtë për t’u kaluar, ndryshe nga gjuha amtare, ku mësimi bazohet më shumë në memorizim dhe riprodhim sesa në kuptim dhe mendim kritik.

Matematika vijon të jetë “sfida” më e madhe për maturantët. Pas një përmirësimi të lehtë në vitin 2024, rezultatet ranë sërish në 2025, ku nota mesatare ishte 6,47, duke e renditur këtë lëndë si më të vështirën. Po ashtu në këtë lëndë ka një rënie të kalueshmërisë prej -2.19% nga viti 2024 në 2025,

Në anën tjetër, duke marrë parasysh se lëndët me zgjedhje ndajnë dhe profilet e aplikimeve në Universitete, ato shfaqin një trend rritës të performancës, gjë që tregon se nxënësit zgjedhin dhe përgatiten më mirë në ato fusha ku ndihen më të sigurt ose të motivuar.  Nota mesatare të këtij viti ishte 7.72.

Një tjetër shqetësim është edhe numri në rënie i nxënësve që ndjekin arsimin e mesëm dhe i nënshtrohen Maturës. Në vitin 2025, ishin rreth 27 mijë maturantë, rreth 1000 më pak se në vitin e kaluar dhe 3000 më pak se në vitin 2023. Kjo prirje lidhet me faktorë shoqërorë, ekonomikë dhe demografikë që ndikojnë direkt në sistemin arsimor.

Problematikat nuk kanë munguar as këtë vit në procesin e provimeve. Maturantët kanë arritur të fusin telefona celularë në sallat e provimit, të cilët janë përdorur për kopje. Ministria e Arsimit deklaroi se vetëm një maturant është përjashtuar për këtë arsye, ndërsa rrjedhja e tezave dhe përgjigjeve në rrjetet sociale u konsiderua si “e papranueshme, por pa ndikim në proces”.

Në Shqipëri, sipas raportit, mungojnë dispozitat konkrete ndëshkuese dhe transparenca për masat ndaj personave përgjegjës. Ndryshe nga Kosova, ku ligji parashikon gjoba deri në 3 mijë euro dhe masa penale për shkeljet në procesin e maturës.

K.T./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Lirim me kusht pas 35 vitesh për të dënuarit përjetë, si e vlerësoni?