Politikë

Maturantët u ankuan se provimi matematikës ishte i vështirë, drejtoresha e QSHA, Vrapi: Në test kishte pyetje për të gjitha nivelet

11 Qershor 2021, 21:41| Përditesimi: 11 Qershor 2021, 22:14

  • Share

Sot është zhvilluar provimi i tretë i Maturës Shtetërore, me detyrim për lëndën e matematikës. Por pas përfundimit të testimit, maturantët u shprehën se hasën vështirësi në zgjidhjen e tezës.

Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi tha në një intervistë për Report Tv se provimi i matematikës është një ndër më të rëndësishmit dhe më të vështirët, por ai është hartuar në mënyrë të tillë që të mund të zgjidhet nga çdo maturant. Vrapi tha se niveli i vështirësisë është i ndarë sipas arritjeve dhe rezultateve të çdo nxënësi.

'Sot u zhvillua një nga provimet më të rëndësishme të Maturës Shtetërore, siç është lënda e Matematikës. Deri në një farë mënyrë janë të pritura edhe reagimet në lidhje me vështirësitë që hasin maturantët. Në test ka pyetje lehtësisht të bëshme dhe në total janë 24 pyetje të tilla. Po ashtu ka pyetje vetëm për nxënës të nivelit të dytë dhe të tretë dhe vetëm për nivelin e tretë. Pyetjet që i takojnë nivelit të notës 10 nuk mund të zgjidhjen nga nxënës me nota me të ulëta. Niveli i vështirësisë të nivelit të lartë, varjon edhe brenda nivelit të tretë ka ndryshime. Kjo është normale, pasi në një popullatë pre 33 mijë maturantësh duhet të diferencohen ato që hyjnë në fashën e 10.'- tha Vrapi.

Rezana Vrapi ka qetësuar maturantët, ku theksoi se nëse do të rezultojë ndonjë pyetje që ka kaluar pritshmëritë apo ka dalë më vështirë sa mendohet do të ketë një rishikim të elementëve të pyetjes. Vrapi shtoi se asgjë nuk do të jetë në dëm të maturantëve.

'Nëse ne vërtet do të na rezultojë ndonjë pyetje që ka kaluar pritshmëritë apo ka dalë më vështirë sa mendohet, do të kemi një rishikim të elementëve të caktuar të kësaj pyetje, asgjë nuk do të jetë në dëm të maturantëve.'- tha Vrapi.

Sa i përket daljes së tezës së provimit në rrjetet sociale, ende pa përfunduar testimi, Vrapi tha se ka edhe persona që duan të prishin procesin dhe për këtë ka nisur një hetim nga ana e ministrisë së Arsimit.

'Nëse dikush ja vënë synimin qëllimshme që ta prishë procesin, nuk është çudi dhe të ndodhin gjëra të tilla. Ka një proces hetimi nga ana e ministrisë dhe do presim se çfarë do të ndodhë.'- tha Vrapi.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?