Max Verstappen është shpallur kampion bote për pilotë në Formula 1, në përfundim të garës së zhvilluar në Las Vegas mëngjesin e sotëm. Piloti holandez i Red Bull, u rendit i pesti, por kaq mjaftoi që të sigurojë titullin e katërt për pilotë në karrierën e tij.
Në pistën e Las Vegas triumfoi piloti britanik George Russell, fitorja e tretë në karrierë, në një garë që e nisi nga vendi i parë dhe nuk e lëshoi per asnjë moment kreun. Ai la pas shokun e tij të skuadrës Leëis Hamilton (i dyti).
Në podium u ngjit edhe spanjolli i Ferrari, Carlos Sainz (i treti) që la pas pilotin tjetër të “kokëkuqes”, Charles Leclerc (i katërti). Gjithsesi, vëmendja ishte përqendruar te dueli mes Verstappen dhe Norris, me këtë të fundit që u rendit i gjashti, duke bërë një garë anonime.
Norris u rendit pas Verstappen, duke bërë që holandezi të shpallet matematikisht kampion bote edhe pse ka ende dy gara për t’u zhvilluar (+64 pikë në renditje). Vestappen bëri një garë të mirë, duke rivalizuar me Ferrari dhe duke arritur objektivin e tij.
Kjo është një arritje e madhe per Verstappen, që arriti të shpallet kampion në një sezon të vështirë, sidomos në pjesën e dytë të tij.