Mazhoranca pro nismës së Alibeajt për dekomunistizimin: Projektligji i mirë, por pak i komplikuar! Duhet konsultim më i gjerë

27 Shkurt 2023, 12:20| Përditesimi: 27 Shkurt 2023, 15:57

  • Share

Partia Socialiste është shprehur pro projektligjit të sjellë nga PD e Alibeajt në gusht të vitit të kaluar për ndërgjegjësimin, kujtesën kolektive, ekspozimin dhe ndëshkimin publik të regjimit totalitar komunist. Në komisionin për Edukimin dhe Mjetet për Informimin, deputeti i PS, Florian Spaho ka thënë se mazhoranca do ti votojë këto ndryshimet ligjore. Spaho ka shigjetuar Berishën si shkak të vonesës së miratimit të ligjit.

“Për sa u përket 32 viteve që u kërkua falje, ju keni patur të gjitha mekanizmat për ta bërë në vitet pas komunizmit, por në krye të partisë tuaj keni patur një prej tyre, që ka drejtuar partinë Demokratike. Ndoshta ka patur interesat e veta. Për sa i takon qëllimit, ajo që doja të sillja në relacion, një thellim bashkë me institutin e studimit të krimeve të pasojave të komunizmit, të fokusohemi te gjenocidi kulturor. Do ta votojmë, unë shpreh votën pro këtij projektligjit.”- tha Spaho.

Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj më herët prezantoi ndryshimet ligjore, ku dhe kërkoi ndjesë për vonesën në sjelljen e këtyre ndryshimeve ligjore.

“Është e vonuar, në fakt, ndjesë që nuk u drejtohem ju kolegë të së majtës pasi skam asnjëlloj të drejte, port ë së djathtës që kemi qenë kaq të vonuar. Kemi patur dhe mundësitë dhe detyrimin, misionin politikë, shtysën, po të duam ne të asaj pjese të shoqërisë që na ka mbështetur dhe se kemi bërë. Ndjesë drejtuar të gjithë shoqërisë shqiptare. “, tha Alibeaj.

Deputeti i PS, Petro Koçi, tha se mazhoranca është përpjekur përmes nismave të caktuara, muzeve si Bunk’art apo Shtëpia që brezat e rinj të informohen mbi atë çfarë ka shkaktuar diktatura në Shqipëri.

“Në thelb projektligji është i mirë, por i komplikuar, duhet një shqyrtim më i detajuar. Jam dakord me idenë e konsultimit pak më të gjerë”-tha Koçi.

Çfarë parashikojnë ndryshimet ligjore në projektligj:

Nisma ligjore e PD së Alibeajt parashikon ndalimin e simboleve të regjimit totalitar komunist, i veprave intelektuale për propagandë, i materialeve audio-vizuale për propagandë dhe i propagandës në veprimtaritë politike. Me simbole të regjimit komunist, nënkuptohet ‘fshirja’ e yllit të regjimit komunist, yllit të kuq shqiptar me pesë cepa, shallit të kuq me tre cepa, të flamurit me akronimet e PKSH dhe PPSH, të stemës “pushkë, kazmë dhe libër”, të stemës “drapër dhe çekan”, himni i Internacionales Komuniste, shenja përkujtimore dhe shënime të dedikuara për personat kyç në PPSH. Gjithashtu, parashikohet heqja e monumenteve, lapidareve, parullave, citateve të personave kyç në PPSH, heqjen e emrave të qyteteve, rretheve, vendndodhjeve, rrugëve, shesheve, urave, emra ndërmarrjesh, institucionesh ose organizatash që përmbajnë emrat ose pseudonimet e personave kyç në PPSH dhe të punonjësve të organeve të diktaturës komuniste apo emra që tregojnë aktivitete dhe ngjarje të lidhura me veprimtarinë e PPSH, duke përfshirë edhe ditë përkujtimoresh të festuara nga kjo parti.

Me ndalimin e veprave intelektuale për propagandë nënkuptohet ndalimin e veprave letrare, publicistike, leksionet, predikimet, fjalimet, çdo krijim tjetër me gojë, krijimet dramatike, kompozimet muzikore, krijimet koreografike, krijimet audio-vizuale, krijimet kinematografike dhe krijimet e tjera audio-vizuale të krijuara në mënyra të ngjashme me ato kinematografike, veprat radiofonike, krijimet e artit pamor në fushën e pikturës, skulpturës dhe grafikës, artet dekorative monumentale, krijimet arkitekturore që përfshijnë vizatimet, planet dhe skicat.

Parashikohet zhdukja e fotografive, listat, hartat, krijimet hartografike, krijimet shkencore, monografitë, studimet, leksionet universitare, librat shkollorë etj.

Ora 12:28
Flutura Açka: Ata që shkruanin për Enverin në diktaturë, më të ndershëm se ata që sot bëjnë romane për Berishën dhe Ramën

Deputetja e PD-së, Flutura Açka, gjatë diskutimit të projektligjit  të dorëzuar nga PD e Alibeajt për dekomunistizimin, solli në vëmendje edhe njëherë situatën e shkrimtarëve gjatë kohës së diktaturës.

Ajo tha se shkrimtarët që kanë shkruar poezi për Enverin, janë viktima dhe jo fajtorë. Ndërsa duke e krahasuar situatën e atëhershme me aktualitetin, Açka tha se shkrimtarët asokohe janë më të ndershëm sesa personat që sot shkruajnë romane dhe poezi për Ramën dhe Berishën në kohë demokracie.

“Ne nuk ia kemi shpjeguar shqiptarëve që ata që kanë shkruar poezi për Enverin, janë viktima jo fajtorë. Ne i kemi futur në një kallup të gjithë dhe i kemi dënuar edhe publikisht pse ata kanë shkruar një poezi për Enverin. Po ta kishim bërë këtë debat publik me kohë, këta njerëz nuk do të ndiheshin sot viktima dhe të intimiduar. Ne duhet ti mbrojmë ata duke u shpjeguar qasjen ashtu siç është e vërteta. Nëse nuk e bëjmë këtë gjë, do ti lëmë viktima të kohës së tyre.

Është më e ndershme ajo që kanë bërë ata që kanë shkruar një poezi për Enverin në atë kohë, sesa ata që shkruajnë romane sot për Sali Berishën dhe libra e poezi për Edi Ramën në kohë lirie. Midis të dyve, zgjedh të parët që e kanë bërë në kushte dhune sesa këta që e kanë bërë në kushte lirie. E vërteta u duhet thënë siç ka qenë”-tha deputetja e PD.

B.V//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Maks: 27/02/2023 12:43

    Do denoni komunizmin ju te degjenerum qe nuk lat gje pa vjedh e shkaterruat Kush do mbaj pergjegjedin per shkaterrin e aftesis mbrojtese o te pa fytyr Kush do mbaj pergjegjedin per shkaterrin e fabrikave e uzimave Kush do japi llogari per privatizimin abuzuv te industris minarare e naftes Kush doembaj pergjigjesin e faljes se detit ndyresira Mallkimi i popullit rent mbi ju e famileve tuaja

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?