'Akademi për të trajnuar stafet e pushtetit vendor', Ministri Mazniku: Reforma territoriale uli me 60% borxhet e bashkive! Tre sfidat kryesore për 2024

19 Mars, 20:21| Përditesimi: 19 Mars, 21:58

  • Share

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku i ftuar në emisionin ‘Frontline Interview’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv ka deklaruar se borxhi i bashkive është ulur me 60% që nga 2015.

"Në 2015 para reformës totali i borxheve të bashkive ishte gati trefish i asaj që është sot. Sot borxhi ka rënë me 60%. Ka bashki që kanë ende borxhe. Situata në tërësi është shumë herë më e mirë. "

Sa i përket borxheve që kanë akumuluar, ndalur te bashkitë më problematiket si Vora dhe Kavaja, ministri përmendi dhe arsyet.

"Ka disa bashki si Kavaja apo Vora më problematiket. Quhen në vështirësi financiare një nivel më poshtë se falimenti. Ato kanë borxhe të prapambetura që para 7-8 vjetësh. Borxhet kryesisht kanë të bëjnë me energjinë elektrike të qytetit. Kanë detyrime ndaj palëve të treta që kanë të bëjnë kryesisht me kompani që kanë marrë një punë e kanë mbaruar punën por nuk janë paguar nga bashkia. Kanë detyrime jo të vogla gjyqësore ndaj punonjësve që kanë hequr nga puna dhe gjykata ka vendosur të paguhen pesë rroga, ose gjashtë rroga" 

I pyetur për sfidat që kanë bashkitë në 2024 ai renditi tre më kryesoret.

“2024 është vit specifik pasi gjendemi 10 vjet nga reforma administrative. Bashkitë kanë të paktën 3 sfida. E para në momentin në të cilin gjendemi në raport me BE. Ne fillojmë negocimin e kapitujve specifikë që kanë të bëjnë me BE. Me çështje shumë specifike teknike që lidhen shumë ngushtësisht me bashkitë.

Një pjesë e madhe e programeve të Be janë programe të destinuara për bashkitë, për nivel vendor. Ti duhet ti fitosh përmes projekteve, kjo do të thotë se bashkitë duhet të kenë struktura të afta që jo vetëm ti fitojnë këto projekte por edhe ti zbatojnë. Elementi i dytë ka të bëjë me momentin ku gjendemi në raport me zhvillimin ekonomik të vendit. Bujqësia, blegtoria gjenden në një pikë rritjeje”, tha Mazniku.

“Ne kemi nevojë që bashkitë të mendojnë si agjendë të zhvillimit ekonomik të territorit të tyre.  Bashkitë të mos mendojnë thjeshtë si komunalja por si entitet që bën bashkë qytetarët e kësaj zone, bashkitë do mbajnë mbi shpatulla pjesën e tyre të zhvillimit të vendit. Ka shumë dëshirë nga ana e bashkive.  E treta, demografia”, shtoi më tej ai.

Sa i përket kryebashkiakëve që shkojnë në dyert e SPAK, Mazniku deklaroi se kush nuk e bën detyrën si duhet duhet të mbajë përgjegjësi.

“Për këtë çështje PS ka një pozicion  të qartë, PS i ka dhënë çdo njeriu që të jetë kryetar bashkie, i ka dhënë besim dhe mundësi. Është detyra e tyre që ta bëjë këtë detyrë në mënyrë të drejtë dhe ligjore. Jemi në një situatë të re”.

Për të shmangur sa më shumë gabimet që bëhet nga padija, ministri tha se janë duke krijuar një akademi të pushtetit vendor për të trajnuar stafet e bashkive.

“Ne jemi duke krijuar një akademi të pushtetit vendor që të trajnojë stafet në të gjitha proceset administrative. Struktura do trajnojë stafet në mënyrë periodike. Nëse bëjnë gabime të mos i bëjnë nga padija”.

Ora 20:55
Ministri për Pushtetin Vendor Mazniku: Në qershor rriten pagat për punonjësit e bashkive

Në qershor do të rriten pagat për punonjësit e bashkive. Lajmin e dha në emisionin ‘Frontline Interview’ në Report Tv Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku.

“Kemi ndarje të nivelit të pagave me 5 nivele. Në qershor do ketë rritje pagash. Rritje të qenësishme. Pagat jo më shumë se 10% më pak se Tirana. Tirana nuk lëviz me pagat, është në nivelin e barabartë me ministritë.  Ne do luftojmë që edhe bashkitë e tjera ti afrohen këtij niveli”, tha Mazniku.

Ora 20:54
Ministri Mazniku rendit bashkitë që kanë fituar më shumë dhe më pak fonde nga donatorët

Sa fonde kanë përfituar bashkitë nga donatorët? Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku në emisionin ‘Frontline Interview’ në Report Tv bëri një renditje të bashkive duke nënvizuar ato që kanë thithur më shumë fonde nga jashtë.

“Berati ka marrë më shumë fonde nga Donatorët. Përmeti, Tirana, Gjirokastra. Kanë qenë vgjilente me shkrimin e projekteve. Duhet të bashkërendojmë punën dhe të bëjmë pak shkëmbim mes njëra tjetrës. Nëse bashkitë mbledhin 40 mln euro nga projektet në vit  do kishte shumë impakt në jetën e qytetarëve”.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?