Janë libra të vjetër, të rrallë e të përdorur, por edhe botime të reja, të cilat prezantohen në një panair, që për dy ditë mbahet nga “Pika pa sipërfaqe” e që tashmë është shndërruar në traditë. Mes titujve të prezantuar ka botime të rralla, të cilat rëndom nuk gjenden në biblioteka.
“Librat e vjetër e të përdorur janë të shumëllojshëm për nga autorët, gjuha dhe fusha e studimit. Librat e vjetër i blejmë kryesisht nga familje që nxjerrin në shitje një pjesë ose të tërë bibliotekën e tyre. Po kështu veprojmë edhe me librin e rrallë, por për të ne blejmë dhe nga koleksionistë ose shitës të huaj të librave që janë botuar para 1945.”, - thotë për "Report TV", Joli Lamaj, redaktore e "Pika pa sipërfaqe".
Librat e rrallë që vijnë për lexuesin janë të shumtë dhe çmimet e tyre variojnë nga të ulëta ndonjëherë deri në disa qindra mijëra lekë.
“Mes librave të rrallë që vijnë për lexuesin janë ky botim i Visaret e Kombit (vëllimi i III), botim i 1937, me mbledhje te materialit folklorik nga Filip Fishta dhe Karl Gurakuqi. 'Kosova, djepi i shqiptarizmit', një botim i 1943, nga Ramit Kokalari. Një libër me çështje historiko-politike. Është i veçantë se përmban edhe hartat e vjetra etnografike.”, - tregon Lamaj.
Dy libra të tjerë të veçantë janë edhe një Fjalor i Arbëreshëve t’Italisë i vitit 1963, si dhe një dispensë për xhirimin e filmave të animuar.
“Është i veçantë pasi është botim i periudhës komuniste, por i rrallë ne llojin e vet, duke qene se përshkruan metodikën e xhirimit të këtyre filmave dhe teknikat e asaj kohe për këtë lloj kinemaje.”
Sipas Lamajt, synimi i këtij panairi është që të rrisë kontaktet me lexuesit, studiuesit e dashamirësit e kulturës në përgjithësi ndërsa çmimet janë të përballueshme. Ata që vizitojnë panairin janë të ndryshëm, dashamirës të artit dhe kulturës, ose studiues e studentë, por edhe të huaj, që për interesa të ndryshme vizitojnë dyqanin dhe panairin.
Komente
