25 drejtues gjykatash të larta apo gjyqtarë të lartë u mblodhën këtë të hënë në Vlorë, në konferencën e kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore. Konferenca organizohet nga Gjykata e Lartë shqiptare, në bashkëpunimin me CEELI Institute, ku marrin pjesë dhe presidenti Bajram Begaj dhe ministri i drejtësisë Ulsi Manja.
Ndikimi i teknologjisë dhe globalizimi i çështjeve juridike ishte në fokusin kryesor të këtij takimi që bëri bashkë toga të zeza jo vetëm nga Evropa por edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Fjalën hapëse e mbajti kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i cili e nisi duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së kësaj konference pikërisht në Vlorë, aty ku u hodhën themelet e shtetit modern shqiptar.
“Prandaj Vlora bart një simbolikë të veçantë për drejtësinë që synojmë të ndërtojmë: një drejtësi të pavarur dhe bashkëkohore. Ky vend na kujton se pavarësia nuk është vetëm çlirim territorial, por mbi të gjitha çlirim i mendjes dhe i institucioneve nga çdo influencë që synon të cenojë parimet e drejtësisë.”, theksoi Sadushi.
Si ‘moto’ të këtij takimi, Sadushi theksoi ‘drejtësia që duam është një drejtësi pa kompromis’, teksa përmendi edhe faktin se jemi dëshmitarë të kalimit nga shteti i diktaturës në atë të së drejtës. Theksoi gjithashtu se konferenca po zhvillohet në një kohë kur gjyqësori përballet me sfida që shkojnë përtej kufijve kombëtarë,
“Jemi këtu jo vetëm për të diskutuar sfidat, por për të ofruar zgjidhje konkrete, për të krijuar mekanizma të përbashkët dhe për të forcuar besimin te institucioni më i vyer i demokracisë - gjykata. Duhet t’u tregojmë qytetarëve se nuk ka vend për kompromis, kur vjen fjala te paanshmëria dhe integriteti profesional. Ne ndajmë jo vetëm jurisprudencën, por edhe kurajën për të mbrojtur të vërtetën, pa u trembur nga asnjë presion, cilado qoftë natyra e tij. Vetëm kështu do të rrisim besimin e çdo qytetari se Gjykata e Lartë është strehë drejtësie dhe se pas çdo objektivi të ligjit qëndron njeriu, dinjiteti dhe e drejta e tij për një vendim të drejtë”, tha Sadushi.
Presidenti Bajram Begaj, në fjalën e tij, u ndal te përgjegjësia që kanë gjyqtarët e gjykatave të larta, duke theksuar rolin e tyre si garantë të drejtësisë si edhe rëndësinë e ruajtjen së pavarësisë gjyqësore si themel i demokracisë.
“Në këtë kontekst, pavarësia e sistemit gjyqësor ka rëndësi jetike. Ajo nuk është privilegj apo ekskluzivitet i një posti, por themel i demokracisë, garanci e paanshmërisë së gjykimit dhe kusht i domosdoshëm për një drejtësi që u shërben qytetarëve.”, tha Begaj, teksa shtoi se mbështet punën e institucioneve të pavarura të drejtësisë.
Teksa përmendi si sfidë numrin e lartë të çështjeve të mbartura, Begaj u ndal edhe te anëtarësimi në BE dhe roli që ka sistemi gjyqësor në këtë proces.
“Shqipëria është duke ndërmarrë hapa të shpejtë dhe vendimtarë në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Procesi i harmonizimit të legjislacionit të brendshëm me atë të BE-së kërkon angazhimin maksimal dhe të trupës gjyqësore. Gjyqtari nuk është thjesht zbatues i ligjit, por një aktor aktiv në përafrimin e standardeve juridike të vendit tonë me ato të BE-së nëpërmjet jurisprudencës.”, shtoi Begaj.
Ndërkohë, ministri Manja përmendi se kanë ndërmarrë një ndër investimet më të mëdha në dixhitalizimin e sistemit gjyqësor përmes ngritjes së Sistemit të Integruar të Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore (ICMIS). Theksoi gjithashtu se në vitin 2027, Shqipëria do të presë edhe Kongresin Botëror të Drejtësisë.
“Qeveria Shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë ka siguruar planifikimin e duhur buxhetor afatmesëm (për shumën totale 1,059,950 mijë lekë (10,75 milion Euro)) dhe janë siguruar fondet e duhura në Buxhetin e vitit 2025 për të siguruar implementimin dhe financimin e plotë të këtij Sistemi për gjyqësorin shqiptar. Ky investim, së bashku me mbështetjen mbi 7.5 milion Euro nga Bashkimi Evropian dhe mbi 1.8 milion Euro nga Suedia, sigurojnë që brenda pak vitesh i tërë sistemi i drejtësisë të shërbehet nga sisteme moderne dhe të jetësojë e-Drejtësinë (Drejtësinë Digjitale), me impakt të drejtpërdrejt për publikun shqiptar.”, tha Manja.
Kjo konferencë do të vijojë edhe nesër më 10 qershor. Të pranishëm janë mbi 20 kryetarë dhe gjyqtarë të lartë nga Evropa Qendrore dhe Lindore, si dhe përfaqësues të CEELI Institute dhe gjyqtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky është një ndër forumet më të rëndësishme gjyqësore i këtij niveli, që i jep njëkohësisht Shqipërisë një rol qendror në diskutimet mbi pavarësinë e drejtësisë, transparencën dhe standardet evropiane.
Konferenca e kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore zhvillohet në Shqipëri për herë të dytë, pasi më parë është organizuar edhe në vitin 2022. Në vitin 2027 Shqipëria do të jetë mikpritëse e Kongresit Botëror të Drejtësisë, ngjarjes më të rëndësishme në rang global për drejtësinë dhe shtetin e së drejtës, që mbledh së bashku krerët e gjykatave kushtetuese, gjykatave të larta dhe profesionistë të drejtësisë nga e gjithë bota.
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, në fjalën që mbajti në Konferencën e Kryetarëve të Gjykatave të Larta në Vlorë, përmendi me reformën në drejtësi, u rikthye besimi i publikut te drejtësia. Kjo konferencë, tha ministri, zhvillohet në një moment të veçantë për vendin pasi në vitin 2027 do të mikpresë Kongresin Botëror të Drejtësisë.
Përmendi gjithashtu se Shqipëria ka ndërmarrë një investim të madh në dixhitalizimin e sistemit gjyqësor përmes ngritjes së Sistemit të Integruar të Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore (ICMIS). Ministri theksoi se janë siguruar fondet e duhura për implementimin dhe financimin e plotë të këtij sistemi për gjyqësorin shqiptar.
Ky investim, sipas tij, së bashku me mbështetjen mbi 7.5 mln euro nga BE dhe mbi 1/8 mln euro nga Suedia, do të bëjë të mundur që brenda pak vitesh sistemi i drejtësisë shqiptare të ketë sisteme moderne dhe të jetësojë e-drejtësinë.
Fjala e plotë e Ministrit Manja
Është një nder i veçantë për mua, si Ministër i Drejtësisë të përshëndes në emër të Këshillit të Ministrave këtë Konferencë të rëndësishme ndërkombëtare që zhvillohet në qytetin e bukur të Vlorës, djep i pavarësisë shqiptare dhe tashmë një qendër e rëndësishme e reflektimit mbi drejtësinë.
Falënderoj Gjykatën e Lartë të Shqipërisë dhe Institutin CEELI për organizimin e kësaj ngjarjeje që mbledh së bashku mendje të ndritura të sistemit gjyqësor ndërkombëtar. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të ndarë përvoja, për të reflektuar mbi sfidat e përbashkëta dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes juridiksioneve.
Të nderuar të pranishëm,
Temat që do trajtohen në këtë konferencë janë më aktualet dhe më thelbësoret për funksionimin e një shteti të së drejtës, efikas dhe të besueshëm.
Së pari, besimi i publikut në gjyqësor është themeli i çdo sistemi demokratik. Reforma jonë në drejtësi, e nisur mbi 10 vjet më parë në 2014, ka pasur si objektiv pikërisht rikthimin e këtij besimi, përmes një pastrimi të sistemit dhe rritjes së transparencës, integritetit dhe profesionalizmit në gjykata dhe prokurori. Kjo qe pikënisja e procesit të ‘vettingut’, ku u krye rivlerësimi kalimtar i mbi 800 gjyqtarë e prokurorë dhe që përfundoi suksesshëm në nëntor të vitit të kaluar.
Së dyti, diskutimet mbi marrëdhënien mes juridiksionit vendas dhe atij ndërkombëtar është kyç, sidomos për vende si Shqipëria, që synojnë integrimin evropian dhe mbështeten në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe praktikat më të mira të gjykatave evropiane dhe më gjerë. Ministria e Drejtësisë si institucioni kyç në marrëdhëniet juridiksionale në fushën civile dhe penale, bashkëndan besimin se ndërveprimi mes juridiksioneve duhet të jetë harmonik, në shërbim të qytetarit dhe të drejtësisë universale.
Së treti, fokusi në përdorimin e mjeteve dixhitale për një drejtësi më efikase është në përputhje të plotë me përparësitë tona strategjike, duke zënë një vend kyç në Strategjinë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024-2030, të udhëhequr nga Ministria e Drejtësisë me pjesëmarrjen aktive të të gjitha institucioneve dhe aktorëve në fushën e drejtësisë dhe të miratuar në Dhjetor 2024.
Dua të theksoj me krenari se Shqipëria ka ndërmarrë një ndër investimet më të mëdha në dixhitalizimin e sistemit gjyqësor përmes ngritjes së Sistemit të Integruar të Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore (ICMIS). Qeveria Shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë ka siguruar planifikimin e duhur buxhetor afatmesëm (për shumën totale 1,059,950 mijë lekë (10,75 milion Euro)) dhe janë siguruar fondet e duhura në Buxhetin e vitit 2025 për të siguruar implementimin dhe financimin e plotë të këtij Sistemi për gjyqësorin shqiptar. Ky investim, së bashku me mbështetjen mbi 7.5 milion Euro nga Bashkimi Evropian dhe mbi 1.8 milion Euro nga Suedia, sigurojnë që brenda pak vitesh i tërë sistemi i drejtësisë të shërbehet nga sisteme moderne dhe të jetësojë e-Drejtësinë (Drejtësinë Digjitale), me impakt të drejtpërdrejt për publikun shqiptar.
Të nderuar miq,
Kjo konferencë zhvillohet në një moment të veçantë për Shqipërinë, e cila në vitin 2027 do të jetë mikpritëse e Kongresit Botëror të Drejtësisë, ngjarjes më të rëndësishme në rang global për drejtësinë dhe shtetin e së drejtës, që mbledh së bashku krerët e gjykatave kushtetuese, gjykatave të larta dhe profesionistë të drejtësisë nga e gjithë bota për diskutime të thelluara mbi temat më të rëndësishme dhe themeltare. Ky është një vlerësim për progresin tonë dhe një përgjegjësi për të ecur përpara me përkushtim.
Ju ftoj që këto ditë në Vlorë të shërbejnë si një platformë për diskutime të thella dhe konkrete, për të ndarë praktika të mira, dhe për të ndërtuar sinergji që i shërbejnë drejtësisë, qytetarëve dhe demokracisë.
Presidenti Bajram Begaj, në fjalën që mbajti në Konferencën e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore, u ndal te përgjegjësia që kanë gjyqtarët e gjykatave të larta, duke theksuar rolin e tyre si garantë të drejtësisë, duke siguruar respektimin e ligjit dhe ruajtjen e të drejtave e lirive themelore të qytetarëve, si dhe ndërtimin e besimit të publikut te drejtësia.
“Ky rol kërkon profesionalizëm, integritet dhe një ndjenjë të thellë përgjegjësie publike", u shpreh Presidenti i Republikës.
Kreu i Shtetit theksoi se roli i gjyqësorit bëhet edhe më i rëndësishëm teksa shoqëritë e vendeve tona përballen me një larmishmëri sfidash, të cilat kërkojnë zgjidhje jo vetëm juridike, por edhe një frymë që reflekton vlerat tona të përbashkëta demokratike.
Presidenti Begaj u ndal në rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së gjyqësorit, që “nuk është privilegj apo ekskluzivitet i një posti, por themel i demokracisë, garanci e paanshmërisë së gjykimit dhe kusht i domosdoshëm për një drejtësi që u shërben qytetarëve. Pavarësi do të thotë autonomi në gjykim, jo shkëputje nga përgjegjësia dhe llogaridhënia. Ajo është liri për të marrë vendime të drejta dhe objektive, larg çdo ndërhyrjeje apo influence politike e financiare”- theksoi ai.
Fjala e plotë e Presidentit Begaj
Është kënaqësi që sot t’ju drejtohem në këtë konferencë të rëndësishme për drejtësinë dhe demokracinë në rajonin tonë. Ju përgëzoj për organizimin e kësaj konference, të nderuar kryetarë të lartë të gjyqësorit nga vendet e rajonit e më gjerë!
E vlerësoj nismën e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore të dobishme për dialogun, shkëmbimin e eksperiencave më të mira dhe bashkëpunimin në fushën e drejtësisë.
Ju, gjyqtarët më të lartë, mbani mbi supe një përgjegjësi mjaft të madhe: jeni garantë të drejtësisë, duke siguruar respektimin e ligjit, ruajtjen e lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve, si dhe ndërtimin e besimit publik.
Ky rol kërkon profesionalizëm, kërkon integritet dhe një ndjenjë të lartë dhe të thellë përgjegjësie publike. Aspiratat tona për drejtësi janë të përbashkëta. Qytetarët tanë presin dhe meritojnë drejtësi të shpejtë, të paanshme, transparente dhe të shpejtë për të gjithë.
Një drejtësi e vonuar, në fund të fundit, është një drejtësi e mohuar. Prandaj, roli i gjyqësorit bëhet edhe më i rëndësishëm teksa shoqëritë e vendeve tona përballen me një larmishmëri sfidash. Këto sfida, komplekse në natyrë, shpesh kërkojnë një mendim juridik që mund t’i tejkalojë edhe kornizat ligjore në interpretim.
Ato kërkojnë jo thjesht zgjidhje juridike, por edhe një frymë, një frymë që reflekton vlerat tona të përbashkëta demokratike. Në këtë kontekst, pavarësia e sistemit gjyqësor ka rëndësi jetike. Ajo nuk është privilegj apo ekskluzivitet i një posti, por themel i demokracisë, garanci e paanshmërisë së gjykimit dhe kusht i domosdoshëm për një drejtësi që u shërben qytetarëve.
Pavarësi do të thotë autonomi në gjykim, jo shkëputje nga përgjegjësia dhe nga llogaridhënia.
Ajo është liri për të marrë vendime të drejta dhe objektive, larg çdo ndërhyrjeje apo influence politike apo financiare.
Pikërisht për këtë arsye ajo duhet mbrojtur vazhdimisht nga korrupsioni, influencat e jashtme dhe çdo kërcënim tjetër që mund ta cenojë.
Transparenca dhe llogaridhënia janë dy parimet themelore që garantojnë drejtësinë, besueshmërinë dhe efektivitetin e sistemit gjyqësor.
Ato janë ana tjetër e medaljes së pavarësisë së gjyqësorit dhe të dyja së bashku garantojnë standardet e drejtësisë.
Në një shtet të së drejtës, sigurimi i aksesit të plotë, të lirë dhe të barabartë të qytetarëve në drejtësi mbetet thelbësore në mënyrë që drejtësia të mos jetë një privilegj, por e drejtë e gjithkujt.
Përdorimi i duhur dhe i sigurt i teknologjisë mund ta bëjë drejtësinë më gjithëpërfshirëse, duke përmirësuar aksesin dhe transparencën dhe duke zvogëluar numrin e çështjeve të mbartura në kohë në mënyrë efikase.
Teknologjia duhet të shoqërohet me masa të forta për të mbrojtur sigurinë e institucioneve dhe me mjaft rëndësi çmohet ruajtja e privatësisë dhe të dhënat personale të qytetarëve.
Në Shqipëri ne kemi ndërmarrë një reformë, e cila ka sjellë zhvillime pozitive të rëndësishme në sistemin e drejtësisë, si: forcimi i pavarësisë dhe rritja e profesionalizmit të Magjistratëve, rritja e transparencës dhe mekanizma të rinj për të parandaluar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Megjithatë, sfidë kryesore mbetet numri i lartë i çështjeve të mbartura, të cilat kanë shkaktuar vonesa në dhënien e drejtësisë duke rënduar mbi qytetarët tanë dhe kërkon zgjidhje urgjente dhe efikase.
Unë, si President i Republikës, kam mbështetur dhe do të vazhdoj të mbështes reformën në drejtësi, pavarësinë e institucioneve të reja të drejtësisë dhe përpjekjet e tyre në mbrojtje të të drejtave të individit dhe interesit publik, në dhënien fund të fenomenit të pandëshkueshmërisë, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Mbështes rezultatet e deritanishme të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Gjykatës përkatëse kundër Korrupsionin dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Këto rezultate iu kanë dhënë atyre statusin e institucionit me besimin më të lartë publik në vend.
Unë mbështes të gjithë profesionistët e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, që të vijojnë punën me profesionalizëm, me pavarësi dhe integritet të plotë.
Shqipëria është duke ndërmarrë hapa të shpejtë dhe vendimtarë në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Procesi i harmonizimit të legjislacionit të brendshëm me atë të BE-së kërkon angazhimin maksimal dhe të trupës gjyqësore.
Gjyqtari nuk është thjesht zbatues i ligjit, por një aktor aktiv në përafrimin e standardeve juridike të vendit tonë me ato të BE-së nëpërmjet jurisprudencës.
Garantimi i procesit të rregullt ligjor, rritja e kapaciteteve profesionale dhe interpretimi i normave në përputhje me parimet themelore të BE-së, janë thelbësore për një proces integrimi të suksesshëm.
Jam besimplotë se kjo konferencë do të shërbejë si një mundësi e mirë për të bashkëndarë eksperiencat tuaja, për të mësuar nga njëri-tjetri dhe për të forcuar bashkëpunimin nëpërmjet nesh.
Përvoja e vendeve tuaja dhe mësimet e nxjerra mund të shërbejnë si model për përmirësime të mëtejshme në sistemin e drejtësisë si dhe modele për rritjen e besimit të publikut, transparencës, si dhe aksesit të publikut në drejtësi.
Shpreh bindjen dhe shpresën se së bashku do të mund të ndërtojmë një sistem drejtësie më të pavarur, më profesional, më efikas dhe më pranë qytetarëve tanë.
Kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi mbajti fjalën hyrëse në Konferencën e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendore dhe Lindore, që po mbahet në Vlorë. Sadushi tha se jo pa qëllim vendosën që ta mbajnë këtë konferencë në Vlorë, në vendin ku u hodhën themelet e shtetit modern.
Ai thotë se ne kemi qenë "dëshmitarë të kalimit nga shteti i diktaturës tek shteti i së drejtës, dhe e dimë mirë çfarë çmimi është paguar për këtë. Prandaj, jemi këtu për të thënë qartë: drejtësia që duam është një drejtësi pa kompromis." Përmendi gjithashtu se konferenca po zhvillohet në një kohë kur gjyqësori po përballet me sfida.
Sadushi shtoi se për ta si Gjykatë e Lartë, ruajtja e qëndrueshmërisë dhe interpretimit të ligjit është një mision thelbësor për forcimin e shtetit të së drejtës, garantimin e sigurisë juridike dhe koherencën e sistemit.
Fjala e plotë:
Është një nder i veçantë që, pas 13 vjetësh, të presim sërish këtë Konferencë të Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore e Lindore.
Si Kryetar i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, ndjej një përgjegjësi të madhe dhe një privilegj të veçantë për t’ju përshëndetur në emër të kolegëve të mi gjyqtarë, duke iu bashkuar falenderimit për CEELI Institute dhe për të gjithë Ju që na besuat organizimin e Konferencës së XV të Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Europës Qëndrore dhe Lindore, me synimin e vazhdimit të dialogut dhe bashkëpunimit për një drejtësi më të pavarur, transparente dhe të unifikuar në rajonin tonë.
Jo pa qëllim, vendosëm ta zhvillonim këtë konferencë, pikërisht në Vlorë. Përveç bukurive që natyra i ka dhuruar, Vlora është qyteti ku, në vitin 1912, u shpall pavarësia e Shqipërisë nga pushtimi mbi 500-vjeçar i Perandorisë Osmane. Këtu u hodhën themelet e shtetit modern shqiptar. Prandaj Vlora bart një simbolikë të veçantë për drejtësinë që synojmë të ndërtojmë: një drejtësi të pavarur dhe bashkëkohore. Ky vend na kujton se pavarësia nuk është vetëm çlirim territorial, por mbi të gjitha çlirim i mendjes dhe i institucioneve nga çdo influencë që synon të cenojë parimet e drejtësisë.
Ne krenohemi që mblidhemi sot si përfaqësues të Gjykatave të Larta të vendeve që dolën nga errësira e regjimeve komuniste. Ne kemi qenë dëshmitarë të kalimit nga shteti i diktaturës tek shteti i së drejtës, dhe e dimë mirë çfarë çmimi është paguar për këtë. Prandaj, jemi këtu për të thënë qartë: drejtësia që duam është një drejtësi pa kompromis.
Kjo konferencë zhvillohet në një kohë kur gjyqësori, kudo, përballet me sfida që nuk njohin kufij kombëtarë: nga ndikimi i teknologjisë e globalizimit të çështjeve juridike, deri te rreziqet e dezinformimit dhe ndërhyrjet në gjyqësor. Çdo konflikt, pavarësisht qëllimit, përfundon në dyert e gjykatave. Për këtë arsye, rëndësia e dialogut ndërgjyqësor bëhet edhe më e madhe. Vetëm përmes komunikimit të hapur, shkëmbimit të praktikave më të mira dhe ndarjes së përvojave konkrete mund të identifikojmë problemet e përbashkëta që na shqetësojnë si rajon dhe të gjejmë zgjidhje të qëndrueshme, të bazuara mbi parime të përbashkëta të drejtësisë.
Për ne, si Gjykata të Larta, ruajtja e qëndrueshmërisë në interpretimin e ligjit është një mision thelbësor për forcimin e shtetit të së drejtës, garantimin e sigurisë juridike dhe koherencën e sistemit. Po kaq e rëndësishme është të gjejmë balancën mes autoritetit të juridiksionit të brendshëm dhe detyrimeve ndërkombëtare, çështje e cila kërkon maturi, ndjeshmëri dhe bashkëpunim të vazhdueshëm.
Vendosja e standardeve të përbashkëta, si shqyrtimi në kohë i çështjeve, zbatimi i unifikuar i ligjit apo përdorimi inteligjent i mjeteve digjitale, duhet të jetë pjesë e agjendës së çdo gjykate bashkëkohore, nëse dëshiron të funksionojë me hapin e kohës dhe të fitojë mbështetjen e qytetarëve për një drejtësi cilësore dhe të përshtatshme me realitetin e sotëm.
Forca e një gjyqësori qëndron në unitetin dhe vizionin e përbashkët, me synimin që drejtësia të bëjë drejtësi. Ne duhet të jemi shembulli më i lartë i integritetit dhe mbrojtësit më të zjarrtë të shtetit të së drejtës. Jemi këtu jo vetëm për të diskutuar sfidat, por për të ofruar zgjidhje konkrete, për të krijuar mekanizma të përbashkët dhe për të forcuar besimin te institucioni më i vyer i demokracisë - gjykata.
Duhet t’u tregojmë qytetarëve se nuk ka vend për kompromis, kur vjen fjala te paanshmëria dhe integriteti profesional. Ne ndajmë jo vetëm jurisprudencën, por edhe kurajën për të mbrojtur të vërtetën, pa u trembur nga asnjë presion, cilado qoftë natyra e tij. Vetëm kështu do të rrisim besimin e çdo qytetari se Gjykata e Lartë është strehë drejtësie dhe se pas çdo objektivi të ligjit qëndron njeriu, dinjiteti dhe e drejta e tij për një vendim të drejtë.
Mesazhi kryesor që dëshirojmë të përcjellim nga kjo konferencë është se drejtësia e vërtetë lind dhe zhvillohet në frymën e bashkëpunimit, përkushtimit ndaj ligjit dhe respektimit të dinjitetit të çdo individi. Pikërisht me këtë frymë ndërtojmë ura besimi dhe bashkëpunimi mes gjykatave tona.
Gjykata e Lartë e Shqipërisë, si mikpritëse e këtij forumi, por edhe si pjesëmarrëse aktive në nismat aktuale dhe ato që mund të lindin gjatë punimeve të kësaj konference, është e angazhuar të kontribuojë në formalizimin e bashkëpunimit ndërgjyqësor. Synimi ynë është që ky bashkëpunim të jetë i qëndrueshëm, i institucionalizuar dhe në shërbim të punës së përditshme të gjyqtarëve të këtij rrjeti.
Le ta shndërrojmë këtë konferencë në një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit tonë për ndërtimin e një drejtësie më të mirë, më të shpejtë dhe më të besueshme për qytetarët e vendeve tona. Ta bëjmë këtë pikënisjen e rrugëtimit tonë të përbashkët drejt sundimit të së drejtës.
Ju uroj punë të mbarë dhe diskutime frytdhënëse!
Komente
