Kronikë

Masakra e Gërdecit/ Mediu në GJKKO pas kthimit nga SHBA: 6 kongresmenë letër gjykatës, pranoni dëshminë e personaliteteve të huaja

18 Qershor, 14:36| Përditesimi: 18 Qershor, 18:48

  • Share

Rikthehet pas dy muaj procesi për tragjedinë e Gërdecit, ku i pandehur është ish ministri i Mbrojtjes  Fatmir Mediu. Më herët seancat nuk janë zhvilluar për shkak të mungesës së gjyqtares së çështjes Irena Gjoka, por edhe mungesës së ish-ministrit, i cili ka qenë për vizita në SHBA.

Gjatë seancës, teksa ishte duke bërë deklarimet në lidhje me kundërshtimet e ekspertëve tekniko ushtarak, Mediu foli për një letër që 6 kongresmenë amerikanë i kanë dërguar Ministrisë së Drejtësisë, ku kërkojnë që dëshmitë e personaliteteve amerikane, të kërkuar nga Mbrojtja që janë dhënë në SHBA të merren parasysh.

“6 kongresmenë amerikanë i kanë dërguar një letër Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë, ku kërkojnë që dëshmitë e personaliteteve ushtarake dhe politike të kohës të dhëna në SHBA vullnetarisht me (afidavid) që është deklarim nën betim dhe ka vlerën e provës në sistemin e drejtësisë amerikane, të merren parasysh në procesin “Gërdeci”, tha Mediu në seancë.

Bëhet fjalë për deklarime të personaliteteve ushtarake të kohës që janë dhënë vullnetarisht me (afidavid), që do të thotë deklarim nën betim, dhe ka  vlerën e provës në sistemin e drejtësisë amerikane. Ky veprim i Mediut vjen pasi GJKKO refuzoi thirrjen e tyre si dëshmitar. Por prokurori i SPAK, Klodian Braho kërkoi që i pandehuri të përqëndrohej tek objekti i shqyrtimit gjyqësor në fazën që jemi.

“I pandehuri të përqendrohet tek objekti i shqyrtimit gjyqësor në fazën që jemi”, tha ai.

Pas daljes nga seanca, Mediu në një prononcim për mediat, tha se nuk ekziston asnjë akt ligjor që i kërkon Ministrit të Mbrojtjes të njohë ose të bëjë ndarjen e kalibrave të municioneve.

Sipas tij, është kërkuar që në listën e dëshmitarëve të ishin edhe ushtarakët e lartë të SHBA, që kanë asistuar në përgatitjen e akteve ligjore për demontimin. 

‘E bëra të qartë se është në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën që ministri i mbrojtës ti kërkohet që të njoh kalibrat. Nuk ka asnjë akt ligjor që ndan kalibrat e mëdhenj dhe të vegjël. Më tej pastaj ajo që ka të bëjë me transportin e municioneve, ti thuash ministrit që ti duhet që të përcaktosh në urdhër sepse urdhri i ministrit të mëparshëm ka thënë se kush paguan do të thotë që ta vendosësh një ministër në varësinë e një ministrit tjetër.

Ministri është përgjegjës përballë kushtetutës dhe ligjeve dhe vendimet e qeverisë. Edhe ekspertë ushtarak kanë thënë nuk ka akte që përcaktojnë përgjegjësit e ministrit sa i përket kalibrave. Ne kemi kërkuar në listën e dëshmitarëve të ishin edhe ushtarakët e lartë të SHBA që na kanë asistuar në përgatitjen e akteve ligjore për politikat e mbrojtjes dhe çështjet e demontimit’, tha ai.

Seanca e radhës u la në 24 qershor ora 13.00. Procesi aktualisht ndodhet në fazën e leximit të 150 pyetjeve dhe pikave të kontestimit që po lexon ish-ministri dhe që ka lexuar vetëm gjysmën e tyre. Kjo procedurë do vijojë edhe disa seanca, derisa Mediu të mbarojë objeksionet për ekspertimin.

Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi sipas SPAK janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të municioneve.

Vetë Mediu i ka kundërshtuar akuzat e ngritura dhe gjithashtu gjetjet e ekspertëve. Gjyqi për Mediun vijon që prej prillit 2023 dhe ndodhet ende në fazën e kundërshtimeve që ish-ministri i mbrojtjes po bën ndaj akt-ekspertizës së sjellë nga ekspertët.

Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes Durda, e një prej viktimave të shpërthimit në 15 mars 2008, në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • djon: 18/06/2025 17:13

    Kjo është pa aftësia e SPAK që nuk meret me vrasës të kësaj kategorie por bën spektakël me ndo një kryetar komune,çfar mund të presësh nga këta të pa aftë që marin rroga milionëshe dhe bëjnë sikur punojnë sigurisht që faji bie mbi Dumanin që fryhet si gjel deti.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se rinumërimi i 44% të kutive të votimit do ndryshojë rezultatin?