Sot u mbajt konferenca përgatitore për gjykimin e krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Hagës. Pas një kohe, katër të akuzuarit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë shfaqur fizikisht në sallën e gjykimeve. Prokurori special i gjykatës shprehu gatishmërinë për nisjen e gjykimit në datë 1 mars për ish krerët e UÇK-së.
Krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte gjatë luftës ndaj Serbisë në Kosovë dhe për trafik të qenieve njerëzore.
Prej vitit 2020, ish krerët e Ushtrisë Çlrimtare të Kosovës po mbahen në ambientet e paraburgimit të Hagës. Ndërsa avokatët e tyre mbrojtës kanë argumentuar se ndaj tyre ende nuk ka prova dhe akuza konkrete mbi atë për të cilën akuzohen.
Ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi
Akuzat ndaj ish krerëve të UÇK-së
Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.
Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se është e gatshme që gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të fillojë më 1 mars të këtij viti.
Në seancën përgatitore të mbajtur ditën e sotme, Zyra e Prokurorit të Spcializuar tha se është gati të nisë gjykimin në 1 mars pavarësisht volumit të punës. Edhe avokatët mbrojtës të ish presidentit të Kosvoës, Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës Rexhep Selimi kanë shprehur gatishmërinë për gjykimin që do të mbahet në 1 mars.