Mbahu Ukrainë! Protesta e artistëve shqiptarë në pikturë! ‘Metamorfoza e dëliri i diktatorit Putin’ piktura e Arizit

7 Mars 2022, 10:20| Përditesimi: 7 Mars 2022, 13:37

  • Share

Një vogëlush veshur me ngjyrat e flamurit ukrainas, mbulon fytyrën e përlotur. Është i plagosur, por qëndron në këmbë.

Piktori Agim Sulaj, e portretizon kështu “Ukrainën”, në këto ditë kur vendi vuan pushtimin rus.

Arti nuk mund të jetë indiferent, veçanërisht, kur mijëra jetë njerëzish shuhen përpara syve të botës, e ekzistenca e një shteti vihet në pikëpyetje, ndaj të tjerë artistë shqiptarë, e thonë fjalën e tyre përmes pikturës.

Lufta ka një iniciator, e nga Greqia artisti Bujar Arizi, e hedh në telajo “Metamorfozën dhe dëlirin e diktatorit, Putin”!

Ndërsa Arben Biçoku bashkohet artistëve shqiptar që thonë njëzëri “Ne qëndrojmë me Ukrainën”, duke pikturuar “zemrën” e këtij shteti, kryeqytetin e Kievit. Konflikti ka marrë  në artin pamor fytyrën e familjeve të ndara, të fëmijëve të plagosur, e britmës së një nëne."

Vizatimi i Vlash Drobonikut, me sfondin e zi të Luftës, vjen gati si një lutje, “Për paqen në Ukrainë”. E më tej, në një tjetër punim i bashkohet thirrjes së Ukrainës: “Ndaloni Luftën!” Për diktatorët që për ambicie territoriale e pushteti, tronditin botën e nuk mëshirojnë as të vegjlit e pafajshëm, karikatura e Endri Beqos është therëse. Diktatorin e Luftës së re, ai e sjell “Në gjuhën e Hitlerit”, “Në kripën e botës” e “Duke dëgjuar veten, kur e gjithë bota është kundër tij dhe luftës” që ka shkaktuar.

Dastid Miluka kërkon “Paqe për Ukrainën”. E përforcon këtë gjuhë të artit pamor Arif Lushi me  “Vajzën Ukrainase”. Ndërsa solidariteti i Shqipërisë, ndaj këtij vendi, shfaqet në punimin e Jona Dividit ,“Detaje nga Tirana dhe Kievi”. Natasha Bega po ashtu rebelohet prej Luftës e kërkon “Paqe për të gjithë”, ndërsa tabloja e përgjakur e  Vangjel Gjikondit është një britmë “Për Ukrainën” e viktimat e kësaj Lufte.

Janë me dhjetëra artistët pamorë shqiptarë, që në këto ditë të cilat mbushen me lajmet e jetëve të humbura, si dhe të një stoicizmi  që nuk ka vija dallimi me qytetarëve të thjeshtë e funksionarëve me kollare, përmes veprave të tyre, thërrasin “Mbahu Ukrainë!”.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?