Policia e Durrësit ka ushtruar kontroll në banesën e Leonard Kokës, i njohur ndryshe si Nar Koka, vëllai i ish-ministrit që ndodhet në burg, Lefter Kokës. Policia tha se nga kontrolli i ushtruar në banesë kanë gjetur një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Në kuadër të operacionit të koduar “Kalibri” u arrestua djali i Leonard Kokës, Haki Koka, 29 vjeç, i cili e mbante armën e zjarrit pa leje.
Ish-ministri Koka ndodhet në burg për aferën e inceneratorëve. Më 7 Shkurt, SPAK kërkoi 4 vite burg për ish ministrin në lidhje me çështjen e inceneratorit të Tiranës, por nëse shpallet fajtor, ai do të përfitojë uljen e 1/3 se dënimit duke zbritur në 2 vite e 8 muaj heqje lirie.
"Durrës/Goditje të njëpasnjëshme kundër armëmbajtjes pa leje. Finalizohet operacioni policor i koduar “Kalibri”.
Mbante armë zjarri, pa leje, në banesë, arrestohet në flagrancë 29-vjeçari. Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me municion luftarak.
Në vijim të aksioneve të Policisë, kundër armëmbajtjes pa leje, të bazuara te kontrollet intensive dhe te puna e inteligjencës policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës finalizuan operacionin “Kalibri”. Gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi H. K., 29 vjeç, banues në Durrës.
Nga kontrolli në banesën e tij, u gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, që e mbante pa leje. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme", njofton policia.
Materialet procedurale i janë referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Komente
