Kanë mbërritur përmes kamionëve nga Sllovenia, fletët e votimit që do të dërgohen tek 245 953 votues në diasporë. Ato janë vendosur në Parkun Olimpik, aty ku nga e mërkura KQZ do të nisë paketimin e tyre.
KQZ do të punojë me 3 turne, ku në 20 tavolina të ndryshme, do të paketohen zarfe të personalizuara për çdo votues, të cilat do të grupohen sipas shteteve. Secilit votues do t’i shkojë fleta e votimit për qarkun të cilit ai i përket në Shqipëri.
Komisioni mendon që puna për zarfet të zgjasë 5 ditë, duke parashikuar që çdo 24 orë të mund t’ia dalë të krijojë 54 mijë pako zgjedhore.
Kur të hapë zarfin zgjedhor, votuesi do të gjejë brenda: një zarf tjetër plastik kthimin e votës, një numërator me kontaktet e postës së shpejtë, sipas shteteve, të cilin duhet ta telefonojë në fund për t’i dorëzuar zarfin, një udhëzues i detajuar se si duhet të plotësohet fleta e votimit, zarfin e jashtëm B, që ka një kod të personalizuar të zgjedhësit, shtetin ku jeton dhe qarkun të cilit i takon në Shqipëri.
Brenda zarfit B, është Zarfi A, i cili është një lloj për të gjithë e nuk ka asnjë shenjë dalluese e mbi të cilin nuk duhet bërë asnjë shënim. Brenda në zarfin A, është fleta e votimit.
Votuesi duhet të lexojë udhëzuesin, të plotësojë fletën, ta fusë brenda në zarfin A, ta mbyllë mirë zarfin A, pastaj ta fusë në zarfin B, e në fund në zarfin e plastik të postës që ju ka ardhur gati nga KQZ. Adresa nuk ka nevojë të shkruhet, sepse është e shkruar paraprakisht në zarf.
Në fund duhet të telefonojë korrierin e postës sipas numrit të telefonit që gjen në numëratorin, brenda në zarfin e mbërritur nga KQZ.
Postjeri dhe votuesi dakordësojnë një orar dhe korrieri vjen dhe e merr vetë votën në shtëpinë e zgjedhësit.
Procesi duhet bërë i gjithi individualisht nga secili zgjedhës.
Dërgimi i zarfeve me fletën e votimit në 85 shtete të botës parashikohet të përfundojë më 17 Prill dhe iu mbërrin emigrantëve për 1 deri në 3 ditë. Sipas KQZ, fletët e votimit pritet të mbërrijnë në vendet evropiane deri më 22 prill, ndërsa në Amerikë dhe vende të tjera ku jetojnë shqiptarë, pritet që të mbërrijnë deri më 25 prill.
Diasporës i sugjerohet që të votojë brenda 3 ditësh nga marrja e zarfit dhe ta postojë për në KQZ, pasi çdo zarf që vjen pas orës 19:00 të datës 11 maj, nuk do të numërohet.
Report Tv ka siguruar disa pamje nga brenda Parkut Olimpik të Tiranës "Feti Borova" ku ndodhen fletët e votimit për zgjedhësit në diasporë. Po ashtu, në të njëjtin ambient do të ndodhë dhe numërimi i votave të diasporës.
Komente
