Durrësi ka nisur zyrtarisht sezonin e kroçierave turistike edhe për këtë vit kalendarik. Mëngjesin e kësaj të hëne është akostuar në Portin e Durrësit “La Belle De L’Adriatique”, e cila ka sjellë 134 turistë, kryesisht francezë. Për të disatin vit radhazi është pikërisht “Bukuroshja e Adriatikut”, që hap siparin e sezonit turistik për kroçierat të cilat sjellin turistë nga vende të ndryshme të botës. Për këtë ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama i cili ka publikuar pamjet e kroçeres.
“Mbërrin në Durrës kroçiera e parë për këtë sezon. Bukuroshja e Adriatikut me 134 turistë, kryesisht francezë”, shkroi Rama.
Turistët e huaj, gjatë qëndrimit një ditor në Durrës, ndalen në sitet arkeologjike të Durrësit, Krujës e Tiranës. Anija me gjatësi 111 m, e cila lundron nën flamurin belg u ankorua në kalatën 5 të portit. Ky nuk do të jetë lundrimi i saj i vetëm drejt Durrësit për këtë vit, ndërsa mësohet se gjatë këtij sezoni kjo anije turistike do të vizitojë portin më të madh të vendit edhe 5 herë të tjera.
“Monet”, “Sea Cloud, “Amadea” apo “Seven Seas” janë disa nga kroçerat që do të rikthehen edhe këtë sezon në portin e Durrësit. Anijet turistike dhe jahtet po përfshijnë gjithnjë e më shumë vendin tonë në agjendat e tyre, duke e kthyer në një prej distanacioneve të preferura. Sipas të dhënave zyrtare nga Dispeçeria Qendrore e Autoritetit Portual Durrës, përgjatë periudhës prill-tetor 2023, 23 kroçiera kanë konfirmuar ndalesë turistike në Durrës.
Autoriteti Portual Durrës ka marrë të gjitha masat për pritjen e anijeve dhe sigurinë e turistëve në territorin portual, duke vënë kalatë të dedikuar në funksion të tyre përgjatë gjithë sezonit. Në përfundim të vizitës së saj në Durrës, kroçera “La Belle de L’Adriatique” do të niset drejt Portit të Bar(Mal i Zi) për të vijuar agjendën e planifikuar.
Eshte Tivar dhe jo Bar. Dmth eshte tivari yne
Përgjigju