Elisa Spiropali dhe Volodymyr Zelensky

Politikë

Mbështetja ndaj Ukrainës, Zelensky dekoron Spiropalin me çmimin e lartë 'Urdhri i Princeshës Ollga i Klasit të Parë'

25 Gusht, 10:48| Përditesimi: 25 Gusht, 19:38

  • Share

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali është dekoruar nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky me Çmimin e Lartë Shtetëror “Urdhëri i Princeshës Ollga, i Klasit të Parë", në kuadër të 34-vjetorit të Pavarësisë së Ukrainës. Ky është nderimi më i lartë që u jepet grave për merita të veçanta në mbështetje të shtetit dhe shoqërisë ukrainase.

Dekorata e lartë për Spiropalin është shenjë mirënjohjeje për qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë në mbështetje të lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, dhe gjithashtu një vlerësim për mbështetjen e vazhdueshme të Kuvendit ndaj luftës së drejtë të popullit ukrainas në arenën e veprimtaritë parlamentare ndërkombëtare si edhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm parlamentar mes Kuvendit dhe Parlamentit të Ukrainës, Verkhovna Rada.

Kuvendi i Shqipërisë shpreh mirënjohjen për nderimin e lartë që Presidenti Zelensky i bëri kontributit të kryetares Elisa Spiropali në mbështetje të Ukrainës mike dhe përfiton nga ky rast për të rikonfirmuar qëndrimin e vendosur të Shqipërisë, Kuvendit, institucioneve dhe qytetarëve shqiptarë për dhënien fund luftës dhe vendosjen e paqes së drejtë e të qëndrueshme në Ukrainë. 
 
Kryetari i Parlamentit të Ukrainës Ruslan Stefanchuk, përmes njoftimit zyrtar për secilën figurë si edhe një postimi në mediat sociale, njofton se së bashku me Kryetaren e Kuvendit Elisa Spiropali, Presidenti Zelenksy ka dekoruar 14 figura të larta politike nga SHBA-të dhe vende evropiane për mbështetjen e tyre të palëkundur dhe bashkëpunimin me Ukrainën në këto kohë të vështira lufte. 

“Faleminderit secilit prej jush, miqtë tanë të dashur, anëtarë të familjes së madhe parlamentare, për çmimet e merituara që u janë dhënë nga Presidenti Zelenskyy, në emër të popullit ukrainas!”, shkruan kryeparlamentari Stefanchuk.

Ambasadori ukrainas në Shqipëri, Volodymyr Shkurov vlerësoi Spiropalin për kontributin e saj në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Kjo dekoratë, shtoi ai, është mirënjohje për sokidaritetin ndja popullit ukrainas. 

"Znj. Spiropali është nderuar me këtë dekoratë të lartë për: kontributin e saj të rëndësishëm dhe personal në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet shtetëror ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë; mbështetjen e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës; veprimtarinë e saj të angazhuar në fushën e bamirësisë; dhe përpjekjet e saj të vazhdueshme në promovimin e Ukrainës në arenën ndërkombëtare.

Kjo dekoratë është shenjë e mirënjohjes së thellë nga ana e popullit ukrainas për solidaritetin e treguar në momentet më të vështira të historisë sonë të re, si dhe për miqësinë e sinqertë që vazhdon të forcojë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona. E urojmë përzemërsisht znj. Elisa Spiropali për këtë vlerësim të merituar.", u shpreh ai. 

Ora 19:36
U dekorua nga Zelensky, reagon Spiropali: E përjetova me emocion, vlerësimi është shenjë respekti për Shqipërinë

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka reaguar pas dekoratës së lartë që iu akordua nga Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali shkruan se është mirënjohëse ndaj këtij nderimi, dhe thekson se vlerësimi ndaj saj është shenjë respekti për qëndrimin që ka mbajtur Shqipëria ndaj Ukrainës në luftën me Rusinë.

Reagimi i plotë kryeparlamentares Spiropali:

I nderuar President Zelensky,

E përjetova me mirënjohje dhe emocion nderin e lartë të Urdhrit Shën Olga, Klasi i Parë, që është akorduar nga Shkëlqesia Juaj, Ditën e Pavarësisë së Ukrainës.

Ky vlerësim në emrin tim është mbi të gjitha shenjë respekti për kontributin dhe qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë krah Ukrainës në këtë kohë të vështirë.

Populli shqiptar, Kuvendi dhe institucionet e Shqipërisë kanë qenë dhe mbeten të bashkuar e të vendosur në mbështetje të Ukrainës. Ky qëndrim buron nga zemra e çdo qytetari shqiptar, nga besimi ynë tek liria, dinjiteti dhe e drejta e një kombi për të jetuar i pavarur dhe për të vendosur vetë për të ardhmen e tij.

Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet një zë i qartë e i fuqishëm në mbrojtje të parimeve dhe vlerave demokratike euroatlantike. Ne do të vijojmë të qëndrojmë pranë Ukrainës, ashtu si deri tani. Do të mbështesim të gjitha përpjekjet e Shteteve të Bashkuara, Presidentit të SHBA-së, udhëheqësve europianë, NATO-s dhe botës demokratike për ndalimin e luftës dhe vendosjen e një paqeje të drejtë e të qëndrueshme në Ukrainë.

Ju falënderoj për nderin e jashtëzakonshëm.

Uroj dhe besoj vendosmërisht se shumë shpejt do të festojmë fitoren e plotë të Ukrainës ndaj agresorit.

Përzemërsisht,

Elisa Spiropali

 

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • shqiptari: 25/08/2025 19:55

    sa kotesi keto dekorata e xhingla qe nuk i hyjne ne pune as dreqit. po ne shqiperi jane aq te vegjel politikanet sa qe gezohen dhe e marin seriozisht kete cirk qe po ndodh.

    Përgjigju
  • E sakt: 25/08/2025 19:03

    Leri dekoratat por njih Kosoven.jam i sigurt se edhe pas luftes nuk ka per ta njohur Kosoven se rraca sllave e urren shqiptarizmin.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Kolegji rrëzon Lapajn dhe i jep mandatin Ana Dajkos, si e vlerësoni?