Kolegji Zgjedhor vendosi sot të rrëzojë kërkësat e fundit të opozitarëve për përsëritjen e zgjedhjeve në Fier e Elbasan, duke përmbyllur shqyrtimin e të gjitha ankimimeve të PD e LSI për zgjedhjet e 25 prillit. Sot është vulosur rezultati edhe për Fierin e Elbasanin, qarqe në të cilat PD kërkoi pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve. Kolegji i ka rrëzuar këto kërkesa duke i konsideruar pretendimet e tyre të pabazuara në prova dhe në ligj.
Tashmë Kolegji Zgjedhor, ka mbyllur përfundimisht ankimet e partive politike për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Ndërkohë PD deklaroi se beteja e saj për transparencën e procesit zgjedhor nuk do ndalet këtu, por do të vijojë në Gjykatën Kushtetuese dhe Strasburg.
Kujtojmë se Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ankimuan rezultatin për 9 qarqe, fillimisht në KAS e më pas në Kolegj Zgjedhor. Me përfundimin edhe të Fierit dhe Elbasanit i hapet rrugë certifikimit të rezultatit nga ana e KQZ për të vijuar në shtator me konstituimin e Kuvendit të ri.
Kujtojmë se në Kolegj Zgjedhor i sollën nga partitë politike të opozitës, PD dhe LSI, thuajse të gjitha vendimet e marra në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ, institucion në të cilin mbërritën të paktën 19 ankime për 10 qarqe. Të vetmet qarqe që nuk u ankimuan në KAS ishin Dibra dhe Kukësi. Partia Demokratike kërkoi pavlefshmëri dhe ripërsëritje zgjedhjesh për qarqet Tiranë, Gjirokastër, Korçë, Elbasan, Fier, Vlorë, Durrës, Berat dhe Shkodër. Ndërsa LSI kërkoi pavlefshëmri dhe ripërsëritje zgjedhjesh për qarqet, Gjirokastër, Korçë, Vlorë, Durrës dhe Berat, ndërkohë që kërkoi rinumërim për Beratin dhe Durrësin. Të vetmet kërkesa që u pranuan ishin ato për rinumërim të Beratit dhe Durrësit.
KAS përfundoi rinumëroi 114 kuti votimi të qarkut të Beratit, me rreth 35 mijë fletë votimi të numëruara për herë të dytë në një qark ku kanë votuar gjithsej 80.929 qytetarë. LSI rikuperoi gjithsej me 15 vota, shumë larg votave të duhura për të marrë mandatin e pretenduar pasi 77 vota i duheshin për t'i marrë mandatin Partisë Socialiste. Ndërsa nga 108 kuti të rinumëruara në Qarkun Durrës LSI s'ka rikuperuar asnjë votë nga 136 që kërkonte për të marrë mandatin. Madje gjatë rinumërimit të 108 kutive të numëruara LSI humb 1 votë , PD-së i janë zbritur 38 vota ndërsa PS-së i janë zbritur 26. Për të bërë verifikimin dhe rinumërimin, ishin ngritur 8 grupe në sallën e KAS. LSI synonte që të merrte mandatin e Edi Ramës, i cili ishte i 8-i në listën e Durrësit. Mandatin e prentenduar të LSI do ta merrte Elona Guri e renditur e para në Durrës.
Tre ankimet e tjera të rëndësishme në KAS u bënë nga kandidatët e pavarur në Lezhë, Gjirokastër dhe Tiranë, kandidatë të ardhur nga radhët e Vetëvendosjes të cilët kërkuan pavlefshmëri dhe ripërsëritje zgjedhjesh, kërkesa që nuk u pranuan nga KAS. Por pavarësisht se opozita nuk pranon rezultatin e zgjedhjeve, në shtator ajo do të futet në parlament.
Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar padinë e partive politike edhe për qarkun e Elbasanit, duke vulosur rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit edhe për këtë qark. Sot Kolegji ka rrëzuar kërkesat e fundit të opozitarëve për përsëritjen e zgjedhjeve në Fier e Elbasan, duke përmbyllur shqyrtimin e të gjitha ankimimeve të PD e LSI për zgjedhjet e 25 prillit.
Pas rrëzimit të Partisë Demokratike nga Kolegji Zgjedhor për ankimimet për zgjedhjet e 25 prillit, për qarkun e Fierit, ka reaguar edhe përfaqësuesi ligjor i kësaj partie Marash Logu.
Logu thotë se betejës së tyre për zbardhjen e masakrës së 25 prillit do ti shkojnë deri në fund. Logu tha se do të përgatisin strategjinë ligjore që do të ndjekim në Gjykatën Kushtetuese dhe në gjykatën e Strasburgut.
‘Këto vendime janë të paprecedent dhe në kundërshtim flagrant me ligjin zgjedhor në Shqipëri. Ne e dimë se kush ka qenë prapa këtyre vendimeve. Ka shumë qytetar që na pyesin kush është i frikësuar nga masakra e 25 prillit, kush është dora e zezë që mbyll gojën e përgjigja është një dhe e vetme është Edi Rama. Ky është i interesuar për të shuar çdo hapësirë lirie. Ne do t’i shkojmë deri në fund, demokratët nuk dorëzohen dhe në do ta vazhdojmë deri në fund betejën për zbardhjen e masakrës së 25 prillit. Do përdorim çdo mjet do përgatisim strategjinë ligjore që do të ndjekim në Gjykatën Kushtetuese dhe në gjykatën e Strasburgut.’- tha Logu.