Dy skafe, me të cilat po lundronin 12 persona janë shpëtuar nga policia kufitare, pasi ngecën në mes të detit në Vilun, Velipojë dhe në “Bishtin e Pallës” në Durrës.
Njëri nga mjetet lundruese, me 8 pasagjerë, 3 prej tyre të mitur pësoi defekt në mes të detit, në Vilun, Velipojë, ndërsa mjeti tjetër lundrues me 4 pasagjerë u përplas me gurët dhe rrezikoi të fundosej në vendin e quajtur “Bishti i Pallës”, Durrës.
Shërbimet e Policisë Kufitare Shëngjin dhe të Policisë Kufitare Velipojë, pasi kanë marrë njoftimin se mjeti lundrues skaf, me të cilin lundronin 8 persona, kishte pësuar defekt në plazhin e Vilunit, dhe e kishte të pamundur të dilte në breg të detit, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, me një mjet lundrues.
Brenda disa minutash, shërbimet e Policisë Kufitare kanë lokalizuar mjetin lundrues skaf që kishte pësuar defekt në mes të detit dhe kanë nxjerrë në breg të detit, 8 pasagjerët e këtij mjeti lundrues, 3 prej të cilëve ishin të mitur.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë Kufitare Durrës kanë marrë njoftim se një tjetër mjet lundrues skaf me 4 pasagjerë, ishte përplasur me disa gurë në vendin e quajtur “Bishti i Pallës” dhe rrezikonte të fundosej pasi kishte futur ujë.
Menjëherë pas njoftimit, në adresën e dhënë kanë Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare, të cilat kanë lokalizuar mjetin lundrues që po rrezikonte të fundosej në det dhe kanë ndërhyrë menjëherë duke e nxjerrë në breg me mjetin lundrues të policisë.
Të gjithë pasagjerët e 2 mjeteve lundruese skafe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Ata kanë falënderuar shërbimet e Policisë, për gatishmërinë dhe ndihmën e ofruar
Shërbimet e Policisë Kufitare ftojnë çdo qytetar/pushues që gjendet në nevojë që lidhet me detyrat funksionale të Policisë së Shtetit, të kërkojë ndihmë, dhe ndërhyrja nga shërbime të specializuara për secilin rast, do të jetë e menjëhershme", njofton policia.