Harta e qarqeve, Rama dhe Berisha

Politikë

Mbetet diaspora/ Analiza e shifrave në çdo qark, ku i merr 8 mandate plus PS e ku i humb PD-ASHM 11 deputetë nga 2021! Në 2 qarqe nuk ia dalin as të ‘sigurtët’

13 Maj, 16:15| Përditesimi: 13 Maj, 17:24

  • Share

Numërimi i votave brenda vendit thuajse ka përfunduar dhe ndikimin në mandatet e shpërndara mund ta ketë në vetëm 2-3 të tilla, vetëm vota e diasporës. Nëse asgjë nuk ndryshon atëherë panorama është e qartë, Partia Socialiste në të gjithë vendin merr 82 mandate, 8 më shumë sesa zgjedhjet e kaluara parlamentare të vitit 2021, teksa 5 qarqe i kanë dhënë më shumë ligjvënës socialistëve.

Ndërsa aleanca opozitare merr 52 mandate deputetësh, 11 më pak se zgjedhjet e kaluara kur kishin 63. PD-ASHM humb mandate në 6 qarqe, më së shumti në Tiranë, Fier dhe Elbasan. PSD e Tom Doshit merr 3 mandatet si në 2021-shin, ndërsa 3 parti të reja marrin nga 1 mandat në Tiranë. Sa i përket votës popullore PD-ASHM deri tani ka një rënie rreth 12.5%, ndërsa socialistët një rritje me rreth 3.5%.

Në qarkun e Tiranës i cili shpërndan 37 mandate, Partia Socialiste merr 19 deputetë, 1 më shumë se në vitin 2021. Partia Demokratike dhe aleatët kanë një rënie prej 3 mandatesh, 14 nga 17 që kishin para 4 vitesh. Këto tre mandate i marrin partitë e reja, 1 Mundësia, 1 Bashkë, dhe 1 Nisma Shqipëria Bëhet. Nëse do t’i mbajë 14 mandatet, pasi njëri i rrezikohet nga Mundësia, në Tiranë PD si parti politike del me vetëm 10 deputetë, pasi 4 i kanë aleatët, sigurisht nëse 2 që pritet të fitojnë në listën e hapur do të jenë të PD. Aleanca PD-ASHM në Tiranë ka një rënie votash me mbi 10% krahasuar me vitin 2021.

Dy janë qarqet që kanë bërë një diferencë shumë të madhe për Partinë  Socialiste në këto zgjedhje, Fieri dhe Elbasani. Në Qarkun Fier PS është duke marrë 12 mandate, 3 më shumë se në vitin 2021 kur kishte marrë 9. Të tre mandatet ia merr koalicionit opozitar PD-ASHM, mandate që humben të tria nga PD. Partia e Lirisë e merr mandatin e saj që kishte edhe në 2021-shin pasi ka Brulinda Haxhiun të tretën në listën e fiksuar.

Situatë e përafërt paraqitet në Qarkun Elbasan. Partia Socialiste merr 10 mandate, 2 më shumë se viti 2021 kur rezultati doli 8 me 6. Mandatet i humb Partia Demokratike, e cila ka një rënie 12.5%, përkundrejt rritjes me mbi 5% të Partisë Socialiste. Në Elbasan merr mandat edhe Edmond Haxhinasto i PL, në listën e sigurt, duke i zbritur kështu edhe një tjetër PD-së.

Fieri dhe Elbasani janë edhe 2 qarqet ku koalicioni opozitar humb mandate edhe nga lista që konsiderohej e sigurt. I pesti në Fier, Eduard Sharka, dhe i pesti në Elbasan, Aurel Bylykbashi, që pretendonin të ishin të sigurt, sipas rezultateve nuk do të jenë ligjvënës në Kuvendin e ardhshëm.

Qarkun Dibër ka një përmbysje. Me një rritje që i kalon 11% të votave Partia Socialiste ka arritur të marrë 3 mandate në Dibër përkundrejt 2 të PD-ASHM, që ka një rënie prej mbi 14%.

Në Lezhë Aleanca PD-ASHM ruan 4 mandatet përkundrejt 3 të Partisë Socialiste, por rritja me mbi 4% e socialistëve dhe rënia me mbi 13.5% e opozitës e ka bërë garën për deputetin e shtatë shumë të ngushtë, teksa pritet të numërohen edhe disa mijëra vota të diasporës.

qarkun e Vlorës Partia Socialiste është rritur pak në pikë përqindjeje, ndërsa aleanca opozitare ka një rënie drastike prej 8%, por shpërndarja e mandateve nuk ndryshon. Shpërndarja e mandateve mbetet 8 me 4 në favor të PS, por vota e diasporës mund ta ndryshojë duke i dhënë 1 mandat më shumë socialistëve, që mund të shkojnë në 9.

Në Shkodër Partia Demokratike ruan avantazhin por me një mandat më pak. Në këto zgjedhje PD-ASHM fitojnë 5 mandate përkundrejts 4 të socialistëve që ruajnë deputetët e legjislaturës së kaluar, edhe pse kanë një rritje prej gati 10% të votave. 2 mandate në kryeqendrën e veriut i merr Partia Socialdemokrate, ashtu si edhe para 4 vitesh. Mandati humbet nga Partia e Lirisë e cila si LSI në zgjedhjet e 2021-shit mori një mandat.  

Edhe në Qarkun e Korçës socialistët mbajtën 6 mandatet që morën në vitin 2021, edhe pse këtë vit Korça çonte 10 deputetë në Kuvend, dhe jo 11 siç para 4 vitesh. Mandatin e 11 e humbi PD-ASHM, pasi rënia në përqindje krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021 është rreth 14%.

Një qarku shumë i rëndësishëm si ai i Durrësit nuk ka pasur ndryshime në shpërndarjen e mandateve. Rezultati është 8 me 6 në favor të Partisë Socialiste, ashtu siç ndodhi para 4 vitesh. Koalicioni opozitar ka arritur t’i mbajë 6 ligjvënësit e Durrësit, edhe pse ka një rënie në vota me mbi 9%.

Në Kukës nuk kishte histori. Ashtu siç edhe pritej rezultati mbeti 2 me 1 në favor të Partisë Demokratike, edhe pse fillimisht u duk mandati i dytë i saj rrezikohej nga PSD e Tom Doshit. Pa histori është edhe Qarku i Gjirokastrës i cili mbyllet 3-1 në favor të Partisë Socialiste. Demokratët e ruajtën një mandat, edhe pse bashkë me aleatët ranë me 14% përkundrejt rritjes me mbi 8% të socialistëve.

Edhe në Berat situata nuk ndryshon, të dyja palët mbajnë të njëjtat mandate, 5 me 2 në favor të Partisë Socialiste. Socialistët thuajse kanë ruajtur të njëjtat kuota në pikë përqindje me një rritje të lehtë, ndërsa PD-ASHM ka rënë mbi 12%.

PS 8 mandate shtesë në 5 qarqe
TIRANË               PS 19 (+1)           
FIER                    PS 12 (+3)                     
ELBASAN           PS 10 (+2)
DIBËR                 PS 3   (+1)
SHKODËR          PS 4   (+1)
         
 
PD-ASHM 11 mandate më pak në 6 qarqe
TIRANË               PD-ASHM 14 (-3)         
FIER                    PD-ASHM 4 (-3)                    
ELBASAN            PD-ASHM 4 (-2)
DIBËR                  PD-ASHM 2 (-1)
SHKODËR           PD-ASHM 5 (-1)
KORÇË                PD-ASHM 4 (-1)
 
Qarqet ku nuk ndryshojnë mandatet
VLORË                         PS 8          PD-ASHM 4
DURRËS                      PS  8         PD-ASHM 6
BERAT                         PS 5           PD-ASHM 2
GJIROKASTËR           PS 3           PD-ASHM 1
KUKËS                        PS 1            PD-ASHM 2
LEZHË                         PS  4           PD-ASHM 3

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Pse sipas jush vonohet kaq shumë procesi i numërimit: