Kronikë

Landfilli i Elbasanit digjet prej së martës, ndërhyn dhe helikopteri 'Cougar'! Banorët për Report TV: S'hapim dot dritaret! Eksperti: Shkalla e ndotjes mund të jetë 10-fish mbi normën e BE

3 Korrik, 13:26| Përditesimi: 3 Korrik, 17:27

  • Share

Edhe pse flakët janë vendosur nën kontroll, mijëra tonë mbetje urbane vazhdojnë të digjen në thellësi të depozitës. Pamjet e xhiruara mesditën e se enjtes nga Report TV tregojnë kamionët që vazhdojnë të hedhin dhera, në përpjekje për të ulur intensitetin e zjarrit.

Pasditen e sotme Ministria e Mbrojtjes vuri në dispozicion të forcave operacionale dhe emergjencave edhe helikopterin e ushtrisë "Cougar" për të hedhur ujë nga lartësia mbi vatrën e zjarrit. Gjithashtu duke ndjekur situatën nga afër ka qenë i pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.

Banorët e fshatit Bradashesh, që jetojnë pranë vendgrumbullimit, thanë se shendeti i tyre është i rrezikuar, për shkak të ajrit te ndotur. 

"Jemi shumë të shqetësuar, por kujt t’ia kërkojmë? Kemi mall të hapim dritaret për vapën, por nuk i hapim dot për tym. Kjo situatë përsëritet çdo sezon, por tani ka zgjatur më shumë.", thonë ata. 

Një grua e moshuar që ka 24 vite në Elbasan e zhvendosur nga fshatrat e Korçës, thekson se meraku i madh janë nipërit, të cilët qëndrojnë kyçur në banesë. 

"Këtu ka qenë metalurgjia, tani na sollën plehrat e gjithë rretheve dhe ndizet zjarri çdo sezon. Dyert dhe dritaret nuk i hapim dot, fëmijët nuk mund të dalin jashtë, kalojnë makina me plehra në mes të lagjes.", u shpreh ajo. 

Një tjetër banor i Bradasheshit tregon se ka probleme me mushkëritë, si ai dhe shumë bashkëfshatare. 

"Landfilli na dërrmoi, u mbytëm nga tymi. Kazanet me plehra nëpër rrugë janë kthyer në rrezik për shëndetin tonë. Të gjithë jemi të sëmurë nga mushkëritë”.

Eksperti i pavarur i mjedisit, Ahmet Mehmeti shpjegon shkakun dhe pasojat e zjarrit në landfill ku hidhen çdo vit 50 mijë ton mbetje të 7 bashkive të qarkut të Elbasanit. 

"Kjo katastrofë ishte e pritshme, pasi temperaturat e larta të verës favorizojnë vetëndezjen e mbetjeve të depozituara, që çon në zjarr. Ndotja nga tymi dhe era e keqe janë të jashtëzakonshme dhe ndikojnë direkt në shëndetin e njerëzve.", tha ai.

Mehmeti thekson se zgjidhja e këtij problemi është ndarja e mbetjeve në burim dhe riciklimi i tyre. 

"Impianti i incenerimit që u ndërtua nuk i përgjigjet realitetit, sepse mbetjet urbane nuk ndahen dhe nuk përpunohen si duhet. Për të shmangur katastrofa të tilla, duhet ndarje dhe riciklim i mbetjeve, si dhe bashkëpunim mes qeverisë qendrore, qeverisë vendore dhe ekspertëve të pavarur.", tha eksperti. 

Për ekspertin, niveli i ndotjes sot në qytet është 5 herë më i lartë se normat e BE-së, ndërsa në fshatrat prane landfillit, mund të arrijë deri në 10-fish.

“Atje në vendgrumbullim shkalla e ndotjes mund të jetë 10-fish mbi normën e BE-së. Ndërsa këtu në qytet ndotja është 5-fish. Flas nga eksperienca se aktualisht nuk janë bërëmatje. Duhet të ulet qeveria qendrore, qeveria vendore dhe ekspertët e pavarur më të mirët në vend, duhet të mblidhen sëbashku për t'i dhënë zgjidhje se ndryshe s’kemi ku shkojmë. Ne s’mund të hyjmë në BE vetëm me ligje, ato duhen zbatuar. Se ndryshe nuk të qas njeri në derë”, u shpreh eksperti. 

Ora 17:22
Elbasan/ Vijon puna për shuarjen e zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve, mbi 100 forca të angazhuara, 10 mjete zjarrëfikëse dhe 20 mjete të specializuara

1751556364_wafawfafaf.JPG

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se për më shumë se 72 orë, forcat e emergjencës dhe strukturat përkatëse janë angazhuar intensivisht për të shuar dhe izoluar vatrën e zjarrit që ka shpërthyer në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane në Bashkinë Elbasan.

Situata mbetet e ndërlikuar dhe po monitorohet vazhdimisht nga strukturat lokale dhe ato qendrore.

Në terren janë angazhuar më shumë se 100 forca nga Bashkia Elbasan, bashkitë fqinje dhe Forcat e Armatosura, ndërsa po përdoren 10 mjete zjarrfikëse dhe 20 mjete të specializuara për shuarjen e flakëve. Pjesë e operacionit janë edhe mjetet e rënda vetshkarkuese dhe forcat xheniere, të cilat po punojnë për mbulimin e vatrës së zjarrit.

Po ashtu, ndërhyrjet ajrore po mbështesin operacionin, ndërkohë që ekspertët e Forcave të Armatosura po kryejnë matje të vazhdueshme të nivelit të ndotjes dhe rrezikshmërisë mjedisore në zonë.

Ora 17:10
Zjarri në landfillin e Elbasanit/ Mbërrin edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu e ndjek operacionin nga afër (VIDEO)

 

Emergjencat Civile dhe forcat zjarrfikëse po vijojnë operacionin për shuarjen e flakëve në landfillin e Elbasanit, që digjet prej ditës së martë.

I pranishëm pasditen e sotme në zonë ka qenë edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu. Ai ka ndjekur nga afër operacionin e trupave në terren, teksa u aktivizua nga ajri për hedhjen e ujit edhe helikopteri Cougar i ushtrisë.

Në terren janë dhjetëra forca, mbi 20 mjete të rënda dhe shërbime të tjera, që po përpiqen të izolojnë dhe shuajnë vatrën e zjarrit, që ka shkaktuar edhe një re të dendur tymi toksik, e rrezikshme për shëndetin e banorëve.

Ora 16:18
Zjarri në landfillin e Elbasanit, në operacion edhe helikopteri 'Cougar' i ushtrisë! Hedh kova uji të mbushura në lumin Shkumbin (VIDEO)

 

Mbetjet në landfillin e Elbasanit vijojnë të digjen prej ditësh, ndërsa në operacion ndodhen forcat zjarrfikëse, Emergjencat Civile dhe Ministria e Mbrojtjes.

Ditën e sotme aksionit iu bashkua edhe helikopteri i ushtrisë “Cougar” që me kova uji të mbushura në rrjedhën e lumit Shkumbin, shkarkonte mbi vatrën e zjarrit.

Mjeti fluturues mbërriti sot pasdite në ndihmë të forcave zjarrfikëse dhe Ministrisë, për të normalizuar situatën në vendgrumbullimin e  mbetjeve. I pranishëm ditën e sotme për të ndjekur situatën dhe aksionin nga afër ka qenë edhe vetë ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.

Ai zhvilloi një takim edhe me strukturat operacionale dhe u njoh nga afër me aksionin për shuarjen e flakëve.

Ora 13:53
Zjarri në landfillin e Elbasanit, qytetarët protestë para Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit: Fëmijët s’kanë ajër, zyrtarët s’kanë turp

Për djegien e mbetjeve në Elbasan dhe ndotjen e banorëve, aktivistët dhe qytetarë protestuan para Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Me pankarta në duar ‘ Fëmijët s’kanë ajër, zyrtarët s’kanë turp’ ‘Ministria e tymit dhe e ndotje’, ata kërkojnë përgjegjësi për katastrofrën mjedisore dhe mosmarrjen e masave për të mbrojtur shëndetin e banorëve nga tymi që vijon të çlirohet në Elbasan dhe zonat përreth. 

Fusha e mbetjeve në Elbasan po digjet prej tre ditësh, teksa më herët edhe fusha e mbetjeve në Vlorë është djegur disa herë rradhazi, duke shkaktuar ndotje të madhe të këtyre qyteteve.

Ora 11:49
Mbrojtja: 29 vatra zjarri gjatë 24 orëve! Të gjitha qarqet janë të rrezikuar

1751452387_landfillielbasan.jpg

Foto: Landfilli Elbasan

Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se gjatë 24 orëve në vend janë raportuar 29 vatra zjarri, ku dy prej tyre janë ende aktive: konkretisht vatra në landfillin e Elbasanit dhe ajo e midis fshatit Grazhdan, dhe fshatit Malçan, bashkia Finiq.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 29 vatra zjarri, nga të cilat 2 vatra janë ende aktive.

Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë e Elbasanit, Finiqit, Selenicës, Vlorës, Memaliajt, Libohovës, Dropullit, Kamzës, Tiranës, Durrësit, Kavajës, Rrogozhinës,  Fierit, Divjakës, Vaut të Dejës, Malësisë së Madhe dhe Lezhës.

Aktualisht mbeten aktive vatrat:

- Në vendgrumbullimin e mbetjeve, në bashkinë Elbasan, ku vijon puna për shuarjen e plotë të vatrës.

- Ndërkohë, në vatrën e zjarrit midis fshatit Grazhdan, njësia administrative Livadhja dhe fshatit Malçan, njësia administrative Dhivër, bashkia Finiq, situata sot  është më e qetë dhe intensiteti i zjarrit ka rënë, por situata po monitorohet.

Si pasojë e zjarreve të rëna kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre dhe barishte janë djegur rreth 18 hektarë dhe rreth 220 rrënjë ullinj”, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes.

Ndërkohë theksohet se për shkak të temperaturave të larta të gjitha qarqet janë të rrezikuara të përfshihen nga ndonjë vatër zjarri.

"Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 64 automjete zjarrfikëse dhe 252 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 35 efektivë, 4 automjete zjarrfikëse, 4 kamionë vetëshkarkues, dhe 1 traktor me zinxhirë.

Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot pritet nivel rreziku “I LARTË” për zjarret në pothuajse të gjitha qarqet.

I gjithë sistemi i mbrojtjes civile është në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri për të ofruar mbështetje të menjëhershme nëse do të jetë e nevojshme.

Përsërisim thirrjen për qytetarët që, në këto ditë me temperatura të larta dhe rrezik të shtuar për zjarre, të tregojnë kujdes maksimal dhe përgjegjshmëri. Të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, si ndezja e zjarreve në ambiente të hapura, djegia e mbetjeve apo hedhja e objekteve të ndezshme në natyrë.

Çdo rast zjarri duhet të njoftohet menjëherë pranë strukturave vendore", përfundon njoftimi.

Xh.D/A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e gjykoni etiketimin në Kuvend të Flamur Nokës 'media vari Kar-lo'?