Pas 6 ditësh, ka rënë intensiteti i 'resë' toksike në vendgrumbullimin e mbetjeve në Elbasan. Report TV sjell pamjet me dron nga landfilli, ku edhe pse flakët janë vënë nën kontroll, djegia e mbetjeve ka vijuar prej ditësh për shkak të grumbullit masiv të tyre, duke shkaktuar shqetësim te banorët e zonës.
Aktualisht në terren janë 22 forca dhe 5 automjete zjarrfikëse që po punojnë për të normalizuar totalisht situatën. Ministria e Mbrojtjes tha se në terren janë edhe një grup ekspertësh për matjen e ndotjes së ajrit.
Banorët e fshatit Bradashesh, që jetojnë pranë vendgrumbullimit, kanë shprehur më herët për Report TV shqetësimin se shëndeti i tyre është i rrezikuar për shkak të ajrit të ndotur.
Dy ditë më parë, një grup i specializuar nga Co-PLAN dhe Milieukontakt monitoruan situatën në terren dhe vlerësuan ndikimet e zjarrit në cilësinë e ajrit.
Përqendrimet e ndotësve të ajrit të regjistruara vetëm pak orë pas shpërthimit të zjarrit rezultuan mbi normat e pranuara nga BE dhe me pasoja serioze për qytetarët. Siç thonë ekspertët, në mjedis, një ditë pas zjarrit niveli i dioksidit të karbonit (CO₂) ishte rreth 521 – 794 ppm.
Në ajër u gjet gjithashtu një nivel i lartë metani, 3-4 fish më lart se normalja, që sipas ekspertëve përbën rrezik potencial për shpërthime dhe ul nivelin e oksigjenit në nevojshëm për frymëmarrje.
Komente
