Ujërat e liqenit të Fierzës ashtu siç ndodh çdo vit sërish këtë vit janë ndotur masivisht, nga mbetje urbane, spitalore, plastike apo edhe të tjera.
Ndotja është prej disa ditësh e deri më tani nuk është marrë asnjë hap konkret për pastrimin e liqenit. Është e njëjta ndotje masive si në periudha të mëparshme, e shkaktuar nga mbeturinat që transportohen nga rrjedha e lumenjve nga Kosova e Maqedonia e Veriut por edhe nga zonat e banuara në Kukës të cilat mbeturinat urbane i hedhin brigjeve të lumejve në mungesë të kontenierëve në fshatra.
Pamjet që shihni të marrë të shtunën i përkasin brigjeve dhe sipërfaqes të këtij liqeni që lag nga të katër anët qytetin e Kukësit, por edhe disa njësi administrative të tij.
Ndonëse vit pas viti, në këto ujëra janë realizuar dhjetra aksione, ku janë pastruar qindra metra brigje, sërish mbeturinat janë të pranishme, duke rrezikuar seriozisht jo vetëm florën dhe faunën e këtij liqeni.
Fierza ndodhet në kuotën maksimale te saj. Edhe pse kjo situatë është pasqyruar disa herë në Report Tv në basenin e Fierzës grumbullohen çdo ditë e më shumë mbeturina nga Kosova e Maqedonia e Veriut përmes Drinit të Zi e Drinit të Bardhë.
Zotimet e qeverive të Shqipërise e Kosovës pas alarmit të pak viteve më parë për vendosjen e rrjetave mbrojtëse nuk u mbajtën, ndaj edhe mbetjet urbane të mbledhura në territorin e tre shteteve përfunduan sërish në liqen.