Anija 'Candor Maersk' me 61 kontejnerë, në momentin e zbarkimit tranzit në Singapor

Mbetjet toksike, Singapori: Dy anijet e ‘Maersk’ zbarkuan në portet tona më 18 dhe 24 Gusht, i kthyem mbrapsht! S'u njoftuam, Azia është kthyer në vend-depozitim

29 Gusht, 13:18| Përditesimi: 29 Gusht, 13:44

  • Share

SINGAPOR- Dy dërgesa që besohet se përmbajnë mbetje toksike të padeklaruara dhe që zbarkuan në brigjet e Singaporit këtë muaj, po kthehen autoritetet në destinacionin nga dhe u nisën, me të njëjtin itinerar.

Me origjinë nga Shqipëria, ngarkesa – për të cilën një mbikëqyrës i mbetjeve të rrezikshme i tha mediave vendase se “përmban pluhur toksik të furrës së çelikut”, doli nga Porti i Durrësit më 4 Korrik të këtij viti, me destinacion final Tajlandën dhe tranzit Singaporin.

Por fillimisht ngarkesa me 102 kontenierë dhe mbi 800 tonë peshë, ndaloi në Itali për t’u ndarë në dy pjesë, në anijet e kompanisë ndërkombëtare “Maersk”; respektivisht “Compton” dhe “Candor”. Campton mbante 41 kontejnerë dhe Candor, 61 të tillë.

Pluhuri toksik i furrës së çelikut, përmban metale të rënda si zink dhe plumb, që mund të kullohen kur hidhen në tokë, duke ndotur edhe ujërat nëntokësore. Pluhuri i dëmshëm mund të çojë në acarim serioz të syve, lëkurës dhe mushkërive, madje edhe të shkaktojë kancer. Këto përshkrime janë dhe shkencore sipas mjekëve.

“Mbikëqyrësi, organizata joqeveritare kundër ndotjes ekologjike, “Basel Action Network”, me qendër në SHBA, tha në një deklaratë më 5 gusht, se anijet Maersk ishin nisur për në Tajlandë. Singapori duket se ka qenë një ndalesë tranziti gjatë rrugës”, raporton media vendase “Thestraitstimes”, në një analizë të hollësishme të ngjarjes.

Sipas traktatit të OKB, “eksportuesi ose gjeneruesi i mbetjeve do të duhet të marrë miratimin nga autoritetet e vendit pritës përpara se mbetjet të zhvendosen”. Por Basel Action Network tha se vendet në rrjetin e transportit nuk ishin njoftuar për ngarkesën toksike.

Edhe autoritetet në Shqipëri deklaruan të njëjtën gjë, se “Kurum” apo kompania blerëse “Sokolaj”, nuk kishin njoftuar për ngarkesën dhe llojin e saj. Të dyja kompanitë janë nën hetim nga Prokuroria e Durrësit për këtë aktivitet të paligjshëm dhe fshehjen dokumentare. Gjithashtu edhe zyrtarë e punonjës të Portit.

“Shqipëria nuk u informua kurrë për eksportin nga eksportuesi, shtetet tranzit nuk u informuan dhe Tajlanda nuk mori kurrë asnjë njoftim”, tha mbikëqyrësi i BAN, në një deklaratë të 19 gushtit.

“Në një moment rrugës për në Azinë Juglindore, ku hedhja e mbeturinave të paligjshme nga vendet e tjera është e përhapur, Maersk Campton dhe Maersk Candor dolën jashtë radarit për një kohë shumë të pazakontë”, shtoi mbikëqyrësi.

Transponderi i Sistemit të Pozicionimit Global të sistemit të identifikimit automatik (AIS) të “Maersk Campton” u çaktivizua më 31 korrik dhe nuk arriti të bënte ankorimin e planifikuar më 1 gusht në Cape Town, tha rrjeti. Kurse “Maersk Candor” doli nga radari midis 9 dhe 19 gusht.

Organi mbikëqyrës ngriti alarmin dhe njoftoi Shqipërinë, disa vende tranzit dhe Tajlandën për dërgesat.

“Më 18 gusht, “Maersk Campton” besohet se ka shkarkuar 41 kontejnerët e tij në Singapor, tha rrjeti. Të nesërmen, kontejnerët u transferuan në një anije tjetër nën kompaninë e transportit mesdhetar, që ishte planifikuar të lundronte në Itali më 21 gusht”, shkruan e njëjta media e Singaporit, duke iu referuar burimeve zyrtare.

1724931820_1724930672anije.png

Anija tjetër e kompanisë 'Maersk', gjatë kthimit drejt destinacionit

Anija e dytë, Maersk Candor, e cila mbante 61 kontejnerët e mbetur, u ankorua në Singapor më 24 gusht. Një kërkim në portalin e gjurmimit detar MarineTraffic.com tregoi se Maersk Candor ishte ankoruar në terminalin Pasir Panjang, më 25 gusht.

“The Straits Times” shkruan gjithashtu se:

“Agjencia Kombëtare e Mjedisit (NEA) dhe Autoriteti Detar dhe Portual i Singaporit (MPA) thanë më 26 gusht se kishin marrë informacion mbi dy anijet Maersk të destinuara për në Singapor, që mbanin kontejnerë dhe që thuhet se përmbajnë të padeklaruar mbetjet e rrezikshme”.

Konfirmohet edhe udhëtimi i tyre në kthim drejt origjinës nga dhe u imbarkuan:

“Ne informuam Maersk, e cila na njoftoi se ata po i dërgojnë kontejnerët në vendin e eksportit. Maersk Campton ishte ankoruar dhe që atëherë ishte nisur nga Singapori, dhe Maersk Candor është rrugës”, thanë dy agjencitë.

E pyetur për përmbajtjen e dërgesave, ose nëse Singapori kishte kryer teste për të përcaktuar nivelet e metaleve të rënda dhe substancave të tjera në to, AKM dhe MPA do të thoshin vetëm:

“Në përputhje me Konventën e Bazelit, Singapori po lehtëson kthimin e kontejnerëve”.

Zonja Penchom Saetang nga organizata joqeveritare Ecological Alert and Recovery-Thailand tha:

"Azia po viktimizohet shumë shpesh nga dërgesat globale të mbetjeve të rrezikshme, mbeturinave dhe mbetjeve plastike".

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin ka thënë se Malajzia, Vietnami, Tajlanda dhe Indonezia janë bërë vend-depozitimi kryesor në Azinë Juglindore për mbetjet legale dhe të paligjshme nga Shtetet e Bashkuara, Japonia, Britania, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera.

Midis marsit dhe qershorit, portet e Malajzisë sekuestruan qindra kontejnerë që dyshohej se përmbanin mbetje të paligjshme elektronike, pasi morën një informacion nga Rrjeti i Veprimit të Baselit. Të paktën 106 kontejnerë u mbushën me mbeturina elektronike.

Singapori ka ligje të forta ndaj transportit të mbetjeve të rrezikshme toksike apo ndotëse në vend, teksa Kodi penal parashikon deri në 15 vite burgim. Në një precedent të vitit 2021, Chosmus Palandi, 48 vjeç, kapiteni i anijes “SB Cramoil Equity”, u arrestua dhe dënua me 7 vite burgim në vendimin e gjykatës së Battam një vit më vonë, pasi u gjet fajtor për transportin e tyre.

Në Shqipëri ky skandal është ende nën hetim nga Prokuroria e Durrësit, që po verifikon dokumentacionin e plotë dhe autorët e shkeljes së rëndë. Por ngjarja ka përfshirë edhe politikën, teksa opozita nëpërmjet kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, po akuzon Qeverinë si përgjegjëse të skandalit të mbetjeve toksike.

Kurse qeveria me anë edhe të zv/kryeministres Belinda Balluku, e mohoi dje (28 Gusht) përfshirjen e Portit të Durrësit në shkelje, duke ia faturuar përgjegjësinë dy kompanive private KURUM dhe "Sokolaj", që fshehën përmbajtjen e ngarkesës në kontejnerë. Kompania turke ka shpallur publikisht "mbylljen për remont", duke hedhur në rrugë 500 punëtorë, teksa mohoi që ky vendim të kishte lidhje me skandalin e mbetjeve. /Përgatiti Shqiptarja.com/

A.Q//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?