Elbasan- Mbetjet urbane dhe shkëndija elektrike i vënë zjarrin sipërfaqeve të mbjella me ullinj në Gramsh dhe Belsh, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme tek banorët në fshatrat Gjyralë, Lokalitet dhe Fierzë.
Të trija rastet e ndodhura ditën e djeshme, dyshohen në rrethana aksidentale, por hetimet janë ende aktive. Teksa në një prej tyre shkak u bë defekti elektrik i një mjeti që shpërtheu në flakë, duke rrezikuar edhe anëtarët e një familjeje që udhëtonte në të.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori për zjarrin e rënë në rrethana që dyshohen aksidentale në fshatin Gjyralë, ku për shkak të mbetjeve urbane të grumbulluara në këtë zonë, ra vatra e zjarrit dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur sipërfaqe toke me ullinj në pronësi të banorëve A. Ll. dhe F. B.;
Kurse në fshatin Fierzë të Belshit dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike të shkaktuar nga kontakti i pemëve me telat e energjisë elektrike, ka rënë zjarr dhe për pasojë është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke me ullinj, në pronësi të E. I.
Ngjarja e tretë ka ndodhur në aksin rrugor Lokalitet-Belsh, ku dyshohet se për shkak të një defekti elektrik, ka rënë zjarr në automjetin me drejtues shtetasin E. Ç.. Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale në automjet dhe nga përhapja e flakëve janë djegur disa pemë frutore në pronësi të shtetasit M. Ç.
Për të tre rastet materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Komente
