Mbeturinat e Durrësit do sillen në Tiranë/ Ambientalisti Sazan Guri: Nëse s'do ishte landfilli i Sharrës, do ishim përpara një katastrofe mjedisore

11 Qershor 2020, 11:23| Përditesimi: 11 Qershor 2020, 12:36

  • Share

TIRANË- Ambientalisti Sazan Guri e ka vlerësuar në kushtet e një emergjencës një dukuri e mbartur dhe e trashur për 30 vite, si të duhurin dhe më të drejtin, vendimin për dërgimin e mbeturinave të qytetit të Durrësit në Landfillin e Sharrës në Tiranë, pasi është vetëm ky i fundit që ka mundësinë për të përballuar një kapacitet të tillë, pa pasoja në punën e përditshme për kryeqytetin.

Në një intervistë për Shqiptarja.com, ambientalisti ka vënë theksin se nëse nuk do të ekzistonte landfilli i Sharrës, atëherë vendi do të ishte përballë një katastrofe mjedisore dhe qyteti i Durrësit do të "mbytej" nga mbeturinat.

"Në situatën, ku zona e Durrësit e mbartur si problem, deri në nivelet përtej skandalit, me fshatrat Sukth, Manzë, Kavajë, Rrogozhinë, Maminasi, është më tepër se një skandal, ku mbetjet thjesht janë hedhur dhe janë lënë aty duke ndotur fshatrat. “Normalisht që shpejtësia e kërkon që çfarë ka plehra Durrësi dhe në zonat përreth duhet të shkojnë në zgjidhjen më të shpejtë dhe të afërt që është Sharra. Është një zgjidhje e drejtë, urgjente, e përkohshme deri sa i zeron mbetjet aty ku janë", tha Guri.

Për ambientalistin, kjo nuk është një problematikë e ditëve të sotme, por e ka zanafillën shumë vite më parë, ku mbetjet në qytetin bregdetar ishin të pamenaxhueshme, në prag të një skandali shumë të madh.

"Një fryrje e problemit për 30 vjet, një mbartje e madhe nga viti 1990, në hapje të demokracisë deri sot, mbetjet në Shqipëri, sidomos në Durrës, e në rrethina kanë qenë të pamenaxhueshme dhe sot ndodhemi përballë një skandali shumë të madh, që çdo fshat ka mbetjet e kaluara dhe të tashmet, kështu edhe qyteti i Durrësit", tha Guri.

Një fakt i tillë, konfirmohet edhe në planin lokal të menaxhimit të mbetjeve për Bashkinë e Durrësit për vitin 2010-2025, në të cilën shkruhet se vend-hedhja e mbeturinave në Porto Romano është e rrezikshme dhe pa asnjë standard mjedisor.

"Vend-hedhja e Porto Romanos është e vetmja vendhedhje për zonën e Durrësit dhe e gjithë sasia e mbetjeve bashkiake të pa ndara, një përzierje e mbetjeve të rrezikshme me mbetjet e parrezikshme, mbetjet spitalore dhe mbetjet industriale së bashku me mbetjet inerte, përfundojnë në këtë vend-hedhje, duke mos ndjekur asnjë standard mjedisor. Vend-hedhja ka një jetë të mbetur prej 5 vjetësh, por është më mirë të braktiset e mbyllet, siç duhet, dhe të ndërtohet një landfilli i ri në territorin e Durrësit ose të përdoret një landfill i përbashkët / rajonal në një zonë tjetër", thuhet mes të tjerave në raport.

Mbyllja e këtij vendgrumbullimi, bëri që koshat e mbeturinave të mbusheshin plot dhe plehrat të digjeshin, siç Shqiptarja.com ka raportuar më herët, duke u shndërruar në një rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve. Për këtë arsye, zgjidhja ishte Landfilli i Sharrës, i cili mori përsipër asgjësimin e mbetjeve të Durrësit, pa asnjë kosto për një javë dhe sipas standardeve europiane, kështu qytetarët durrsakë mund të "marrin frymë lirisht". 

Si përfundim, Guri thekson se shkuarja e mbetjeve të Durrësit dhe rrethinave të saj, sado efikase për momentin, nuk mund të jetë zgjidhja afatgjatë për Bashkinë Durrës, e cila duhet të mendojë, jo vetëm për qytetin, por edhe për tërë bashkinë e saj, duke projektuar një pikë transferimi, ku mbetjet t’i ndajë sipas rrymave, si për kompostimin e mbetjeve organike që zënë rreth 40%, si për riciklimin e mbetjeve të pastra letra, karton, plastika, alumine, si edhe për përdorimin e qelqeve, që zënë rreth 15-20%. Dhe mbetjet e pista plastike, plastikat e serrave, plastikat me vajra, letra, kartonët, dhe mbetje të tjera që nuk kursejnë dot energji, në një masë prej 30-35% mund t’i drejtohen një përpunimi tjetër për rikuperim energjie, dhe masa prej 10% e mbetjeve të mbetjeve mund të shkojë në Landfillin e Tiranës që mund të marrë edhe statusin e një landfilli regjional.

Mbeturinat në Durrës

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • ymeri: 11/06/2020 17:34

    NUK KANE PSE TI SJELLIN NE TIRANE PLEHRAT ,,POR QEVERIA TE BEJE NE DURRES NJE LANDFILL DHE NJE INCENERATOR,,ATY NE ISH KENETE,,,,DUHET DHE NJE PIKE PER PERPUNIMIN E INERTEVE,,,,DUKE PATUR PARASYSH TERMETIN E RENE DHE MBETJET INERTE QE U KRIJUAN....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?