Mbi 100 koleksionistë motorësh Vespa u mblodhën në sheshin Skëndërbej për paradën e përvitshme që organizohet nga “Vespa Club Tirana”.
Të apasionuarit pas këtyre motorëve klasikë mbushën rrugët dhe qendrën e kryeqytetit. Astriti dhe Helgi, at e bir, në koleksionin e tyre kanë 2 motorët më të vjetër të kësaj parade dhe për Report Tv rrëfyen pasionin dhe dashurinë për këta motorë.
“Pasioni është i hershëm, me fëmijërinë, unë arrita të bëj dhe prej druri një model të motorit vespa ngaqë e kisha pasion. Një nga profesorët e mia ka pasur një vespa të kuqe dhe kështu vazhdoi kjo histori. U bëra edhe vetë një vespist, prej vitesh jam i apasionuar pas vespave. I riparoj, gjithë shërbimet ua bëj vetë”, rrëfen Astrit Allmetaj.
Në garazhin e tij Astriti ruan me shumë fanatizëm 5 motorë të llojit Vespa, dy prej të cilëve prodhime te viteve 1958 dhe 1963, i ka ekspozuar në sheshin Skëndërbej. “Sëmundjen” për të koleksionuar të tillë motorë klasikë, ia ka “ngjitur” edhe djalit të tij Helgit.
“Sipas moshës i kemi ndarë, unë kam marrë më të vjetrin meqenëse jam më i vjetër ky ka marrë 1963 sepse është më i ri, ky bluja është 1958”, thotë Allmetaj.
“Babi e ka ndërtuar gjithë kohën me idenë që unë do isha përdoruesi kryesor i të verdhit, është restauruar nga fillimi, është rregulluar i gjithi nga fillimi, babai e ka bërë vetë, është shumë i apasionuar dhe gjithë kohës e ka ndërtuar me idenë ta bëj për çunin”, tregon Helgi Allmetaj.
Gazetari: Si ta ngjiti babai këtë sëmundje.
“Është kudo gjatë gjithë kohës, është i përfshirë me vespat, i apasionuar pas vespave flet gjatë gjithë kohës për vespat më tregon diçka të re. E shoh duke punuar shpëresh i merr dhe brenda shtëpisë”, thotë Helgi Allmetaj.
Krahasuar me kohën kur Astriti ishte në moshën e djalit të tij, thotë se ishte më e lehtë për t’u bërë një koleksionist motorësh Vespa, pasi edhe çmimet ishin më të lira, krahasuar me sot, ku shumë motorë shiten 10-fish më shtrenjtë.