Numri i personave që kanë humbur jetën nga tërmeti shkatërrimtar në Afganistan ka shkuar në 1411.
Këto janë të dhënat e fundit të raportuara nga autoritetet e vendit, sipas Reuters.
Terreni i vështirë ka penguar përpjekjet e ekipeve të shpëtimit në fshatrat e izoluara në lindje të vendit. 3124 persona të tjerë janë plagosur dhe mbi 5,400 shtëpi janë shkatërruar, tha zëdhënësi i administratës talebane, Zabihullah Mujahid.
Ndërkohë që ekziston frika se nën rrënoja ka më shumë persona të tjerë.
Për këtë arsye, talebanët, të cilët drejtojnë Afganistanin, kanë bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare.
Koordinatori i OKB-së në Afganistan tha se numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet.
Në territoret malore ku ndërhyrja është e vështirë, ndihma u dha nga ajri përmes helikopterëve, të cilët transportuan edhe të plagosur nëpër spitale.
Afganistani u godit dy ditë më parë nga një tërmet me magnitudë 6, me epiqendër pranë kufirit me Pakistanin.
Bashkimi Europian ka ofruar 1 milion euro fonde dhe rreth 130 ton pajisje si ndihma humanitare për Afganistanin, që është goditur nga një tërmet shkatërrimtar që ka shkaktuar mbi 1400 viktima.
Fondi 1 milion euro është miratuar për të adresuar nevojat më të ngutshme të popullsisë së prekur.
Ndërsa 130 ton pajisjet përfshijnë materiale të domosdoshme si çadra dhe pajisje strehimi, veshje, furnizime mjekësore dhe materiale për pastrimin e ujit.
Dërgesat do të transportohen në Kabul përmes dy fluturimeve humanitare të financuara nga BE, të cilat pritet të mbërrijnë brenda kësaj jave.
BE-ja ka aktivizuar gjithashtu shërbimin satelitor Copernicus, për të krijuar harta emergjente që do të ndihmojnë në shpërndarjen e ndihmës.
Ndihmat humanitare të BE-së në këtë vend shpërndahen vetëm përmes organizatave partnere, në përputhje me parimet humanitare.
Tërmeti i 31 gushtit me magnitudë 6 që goditi provincat verilindore Kunar, Nangarhar dhe Laghman të Afganistanit ka shkaktuar deri tani mbi 1400 të vdekur dhe 3124 persona të plagosur.
Komente

1 milion euro eshte me u tall, por sipas kokes dhe festen. Kur hidhnin miliarda per t'i qyteteruar, ata zgjodhen mesjeten si menyre jetese.
PërgjigjuSakt.