KOSOVË- Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka ndërprerë ditën e sotme gjendjen emergjente që ishte shpallur prej një jave për shkak të helmimit masiv të mbi 1500 qytetarëve.
Ky vendim u mor në mbledhjen e Shtabit për Menaxhimin e Emergjencave me arsyetimin se gjendja në komunë ka filluar të normalizohet. Në fjalën e tij kryetari Ramosaj ka falenderuar të gjithë ata që kontribuan në menaxhimin e situatës dhe uroi që kjo gjë mos të përsëritej më.
“Të nderuar qytetarë të Komunës së Deçanit, pasi gjendja në komunën tonë ka filluar të normalizohet sot në mbledhjen e Shtabit për Menaxhimin e Emergjencave u mor vendimi për ndërprerjen e Gjendjes Emergjente në Komunën e Deçanit. Falënderues dhe mirënjohës të gjithë atyre që kontribuan që të tejkalohet kjo gjendje. Shpresoj dhe uroj që mos të përballemi me situata të tilla”, ka thënë Ramosaj.
Ndër të tjera në vendim thuhet se Komuna e Deçanit do të vazhdojë të furnizohet me ujë sipas rekomandimeve të IKSHKP-së. Ndër vendimet më kryesore të IKSHKP-së është që qytetarët duhet të shmangin pirjen e ujit nga çezma dhe të konsumojnë ujë të ambalazhuar.
Vendimi për ndërprerjen e gjendjes së emergjencës
Që prej datës 13 korrik në Komunën e Deçanit u shpall gjendja e jashtëzoknshme pasi 1500 qytetarë rezultuan të helmuar dhe u paraqitën në spital për të marrë ndihmë mjeksore. Helmimi i qytetarëve ka ardhur si pasojë e kosumit të ujit nga burimi i Deçanit pasi sipas analizave të kryera IKSHKP ka dalë në përfundimin se uji nuk është i pijshëm. Referuar analizave, në ujë janë gjetur bakteri disa bakterie jo patogjene, më konkretisht të bakterieve koliforme dhe E.coli. Deri më tani policia e Pejës ka arrestuar në lidhje me këtë ngjarje Përgjegjësin e kamerave të sigurisë tek Gryka e Deçanit pasi është konstatuar se kamerat nuk punon prej dy muajsh dhe Inspektorin e Agjensisë Kosovare të Pyjeve pasi ai ka qenë në krye të detyrës. Të dy personat e arrestuar dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën.