Më 30 mars pritet të mbyllet afati që kishin fermerët për të aplikuar për të marrë naftën pa taksa. Sipas Ministrisë së Bujqësisë deri tani kanë aplikuar mbi 20 mijë fermerë. Kreu i Agrobiznesit Agim Rrapaj tha se kjo është një shifër e kënaqshme duke pasur parasysh që ishte skema e parë digjitale dhe arriti të formalizojë fermerët.
“Procesi ka vështirësitë e veta për arsye se është skema e parë digjitale që përdoret në zonat rurale dhe fermerët kanë vështirësitë e tyre”, u shpreh Agim Rrapaj.
Sipas Rrapajt në fazën e dytë që do të hapet në vjeshtë do të ketë më shumë interes.
“Faza e dytë besoj do të ketë më shumë aplikime dhe do të vazhdojnë do të plotësohet ajo kërkesë që fermerët të domosdoshme reduktimin e çmimit të karburantit. Edhe ulliri duhet të jetë në skemën e dytë pasi është koha e vjeljes dhe ulliri ka nevojë për vjelje dhe kujdes intensiv”, pohoi kreu i agrobiznesit.
Efektet e kësaj skeme, që u bën të mundur fermerëve marrjen e karburantit pa taksa, sipas ekspertit do të jenë shumë pozitive, përpos formalizimit.
'Unë mendoj që edhe toka e papunuar do të ketë një lehtësi më të madhe për të punuar tashmë dhe shumë procese që nuk bëheshin për shkak të kostos së lartë të karburantit tanimë do të bëhen. Të gjitha këto do të përkthehen në rritje të rendimentit, dhe në rritje të ardhurave për familjet fermere. Skema mundi të formalizojnë më shumë se 25 mijë fermerë, në një muaj deri në 2 nuk është shifër e vogël por është element mjaft pozitiv”, tha Rrapaj.
Aktualisht janë të regjistruar në sistem 60.221 mijë fermerë, nga rreth 45 mijë që ishin në fillim të procesit. Ndërkohë Rrapaj thotë se nuk është më e nevojshme të kemi një shtyrje tjetër të afatit, pas zgjatjes që ju bë në muajin shkurt.
“Nuk mendoj që është e nevojshme një shtyrje e dytë për momentin sepse po vjen periudha e dytë”, tha Rrapaj.