Sociale

Mbi 240 mijë pasagjerë përdorën Portin e Durrësit në 6-mujorin e parë të vitit, 1.9 milionë tonë mallra të përpunuar

2 Gusht, 10:42| Përditesimi: 2 Gusht, 11:02

  • Share

Porti i Durrësit vijon trendin pozitiv të performancës, duke reflektuar rritje në të gjithë treguesit kryesorë të aktivitetit. Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit Portual Durrës, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 janë përpunuar mbi 1.9 milionë tonë mallra ose 3.8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Drejtori i Autoritetit Portual Durrës, Kreshnik Bajraktari, theksoi se ky rezultat është produkt i bashkëpunimit të ngushtë me operatorët portualë.

“Përshëndetje! Sa i përket përpunimit të mallrave në Portin e Durrësit, ne kemi patur një performancë të shkëlqyer, krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar. Vetëm këtë 6-mujor kemi patur një rritje prej 3.8% për sa i përket përpunimit të mallrave në Portin e Durrësit. Gjithashtu importet kanë arritur në shifrën 1.4 milionë tonë, ndërsa eksportet kanë arritur në 450 mijë tonë, me një rritje të ndjeshme veçanërisht në sektorin e mallrave gjeneralë, me një rritje prej 66%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar,- thotë Bajraktari.

Pozitiv ka qenë edhe bilanci i transportit të pasagjerëve dhe automjeteve përmes Terminalit të Trageteve, ku janë përpunuar 241,490 pasagjerë, një rritje me 6% krahasuar me një vit më parë. Në hyrje të vendit janë regjistruar 112,194 pasagjerë, ndërsa 129,269 kanë udhëtuar drejt porteve ndërkombëtare. Po ashtu, mbi 104 mijë automjete, kamionë dhe trailerë janë përpunuar në port, me një rritje prej 5% në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit 2024.

Në rritje ka qenë edhe sektori i konteinerëve, me 104,180 njësi konteinerike (TEU) të përpunuara, ose 970,031 tonë mallra. Veçanërisht, mallrat e importuara me konteinerë kanë shënuar rritje deri në 10%.  Autoriteti Portual Durrës vijon të punojë për modernizimin e infrastrukturës portuale dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, me qëllim fuqizimin e rolit të Portit të Durrësit si një nyje kyçe për tregtinë detare në rajon.

K.M/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Deri në 3 vite burg për braktisjen e kafshëve, si e vlerësoni?