Thanas Thoma Bako alias Athanasios Sebastian Bako, është shqiptari i arrestuar në 6 qershor në Athinë si një ndër personat më të rëndësishëm që ka pastruar miliona euro pasuri të grupeve kriminale. Mediat greke kanë publikuar momente nga aksioni i arrestimit të shqiptarit. Për Bakon, prokuroria e Athinës kishte nisur një hetim në bashkëpunim me atë të Holandës.
52 vjeçari nga Saranda me nënshtetësi greke, kërkohej nga autoritetet evropiane nën akuzën se është kreu i një organizate kriminale që pastronte paratë e përfituara nga trafiku i drogës.
Sipas përllogaritjeve të prokurorisë greke, gjatë 10 muajve të fundit janë pastruar rreth 250 milionë euro nga veprimtaria e grupeve kriminale. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur shuma të parash në valuta të vendeve të ndryshme, mes të cilave kishte euro, dollarë amerikanë, dollarë kanadezë, franga zviceriane, lira turke etj.
Autoritetet konfiskuan gjithashtu telefona celularë, duke përfshirë një telefon celular të përdorur për biseda të koduara përmes aplikacioneve speciale, një tabletë, një disk dixhital dhe karta SIM.
Thanas Thoma Bako alias Athanasios Sebastian Bako, ka qenë në shënjestrën e autoriteteve që në vitet 1990, kur raportohet se ishte i lidhur me grupe kriminale ndërkombëtare që merreshin me trafikimin e drogës. Njohjet e tij ishin mes Sarandës dhe Athinës.
Tetë vite më vonë, gjurmët e Thanas Bakos ishin në Kanada. Atje ai rezulton se ka krijuar një kompani me shtetasin tjetër nga Saranda, me inicialet Th.P, shoqërinë aksionare të investimeve “Quebec Inc.”, e cila ka vijuar aktivitetin e saj deri në vitin 2012.
Më pas, 52 vjeçari nga Saranda rikthehet në Greqi dhe dhe zhvillon aktivitetin në biznesin e Real Estate. Ai rezulton, sipas mediave në vendin fqinj, se është pronar me 99% të aksioneve të një kompanie që merret me shitjen e pasurive të patundshme.
Megjithatë, hetuesit kanë pasur dyshime se Thanas Bako nuk i kishte ndërprerë asnjëherë lidhjet me botën e krimit.
Kompania në të cilën 52 vjeçari nga Saranda është pronar dhe aksioner kryesor, kishte dhe shtëpinë në zonën e Glyfadas në Greqi, ku u prangos Bako. Kjo është ndër zonat më të shtrenjtat të Athinë dhe strehë për biznesmenët e fuqishëm.
Nëpërmjet kësaj kompanie Real Estate rezulton se Thanas Bako ka pastruar paratë e karteleve të drogës, kryesisht nga Holanda dhe Belgjika.
Autoritetet kanë arritur të thyejnë mesazhet e koduara dhe të arrijnë te një përdorues i identifikuar vetëm me tre iniciale. Past tyre, ka dalë se qëndronte Thanas Bako dhe më pas janë bërë lidhjet me korrierët, të cilët merrnin udhëzime se ku t’i merrnin paratë, kriptovalutat dhe ku t’i dorëzonin. Këto pasuri pastroheshin përmes transfertave në shtete offshore dhe në Dubai.