Një makinë me targa KM në Mitrovicë të Veriut, foto arkiv

Mbi 4 mijë regjistrime, sot afati i fundit për targat serbe! Nga nesër ndalohet qarkullimi në Kosovë

15 Dhjetor 2023, 08:25| Përditesimi: 15 Dhjetor 2023, 08:29

  • Share

Nga 16 dhjetori, qytetarët të cilët nuk i kanë regjistruar veturat në RKS-Republika e Kosovës, nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Kosovës me veturat që mbajnë targat me akronime serbe e që shteti i konsideron ilegale.

Dita e sotme shënon ditën e fundit që të gjithë pronarët me targa si KM, PR, PZ, DE, UR e të tjera t’i kthejnë ato në targa të Republikës së Kosovës, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, Nora Fetoshi, zëdhënëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Pas përfundimit të këtij afati, pra pas datës 15 dhjetor, qytetarët të cilët nuk i regjistrojnë veturat e tyre edhe pas vendimit të përcaktuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, do të llogariten si pronarë të veturave të paregjistruara dhe veturat e tyre nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pikëkalimet kufitare ashtu siç parasheh edhe legjislacioni në fuqi. Automjetet do të ndalohen nga Policia e trafikut rrugor dhe do të gjobiten për kundërvajtje në trafik dhe tabelat do t’i largohen automjetit, ndërsa nëse e njëjta vetura do të haset përsëri në qarkullim ajo veturë do të konfiskohet”, tha Fetoshi.

Afati për konvertimin e targave do të duhej të përfundonte më 1 dhjetor por Qeveria e Kosovës e kishte zgjatur atë edhe për 15 ditë pasi ishin vërejtur radhë të gjata para qendrave për riregjistrim.

Targat KM, dhe me akronime të tjera serbe për qytetet e Kosovës janë lëshuar nga autoritetet serbe dhe konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë.

“Kërkesat e shumta qytetarët tanë të komunitetit serb, fillimisht i adresuan tek Policia e Kosovës dhe ne i morrëm parasysh ato duke zgjatur për 45 ditë afatin për regjistrim të veturave. Ky proces, deri më 15 dhjetor është mundësia e fundit që të gjithë pronarët të cilët posedojnë mjete me targa ilegale si KM, GL, PR, PZ, DE, UR etj të cilat janë edhe relikt i kohës së Millosheviçit ti kthejnë ato në targa të Republikës së Kosovës”, tha Fetoshi.

Sipas Qeverisë së Kosovës, nga 1 nëntori deri më 14 dhjetor, 3.405 qytetarë kanë konvertuar targat e tyre në RKS dhe komunat me numrin më të madh janë Mitrovica e Veriut dhe Leposaviqi.

“Ndërsa, nga tërë procesi prej vitit të kaluar janë gjithësej 4210 konvertime të tabelave”, bëri të ditur Fetoshi duke theksuar se “përveç lehtësirave financiare, në afatin e kaluar, ne ndryshuam edhe udhëzimin administrativ në mënyrë që qytetarët tanë të komunitetit serbë në veri të mund të regjistrojnë veturat e tyre me targat e regjionit në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit të tyre”.

Sipas Qeverisë së Kosovës i tërë ky proces ka për qëllim ligjshmërinë dhe sigurinë në trafik. Qarkullimi i veturave me targa të tilla është toleruar deri më tani në veri, ndërsa në zonat e banuara nga serbët në jug të Ibrit, ato ishin larguar nga përdorimi më shumë se dhjetë vjet më parë.

Sipas përllogaritjeve të sektorit civil serb, në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, ka pasur rreth 10.000 vetura me targa KM. Çështja e targave KM është ka shkaktuar kriza në veri që çuan në protesta, daljen e serbëve nga institucionet dhe vendosjen e barrikadave. Tensionet në veri kulmuan më 24 shtator të këtij viti me një sulm të armatosur ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i serbëve lokalë, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe tre sulmues serbë./REL

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?