Përpjekjet për të luftuar piraterinë në botime mblodhën bashkë këtë të enjte botuesit shqiptarë. Ata denoncuan se me fondet e komunës së Tetovës në Maqedoninë e Veriut, janë blerë mijëra tekste librash të shtypur pa të drejta autori. Pasi u janë vjedhur botuesve në Shqipëri, këto tekste u janë dhuruar më pas shkollave të mesme atje.
“Prej disa vitesh e kemi shumë shqetësuese këtë situatë në Tetovë dhe në Kosovë, ku janë bërë edhe gjyqe. Janë disa shtëpi botuesve, të vogla e të mëdha që shesin sot e gjithë ditën në librari dhe në Panairin e Prishtinës, librat tanë të piratuar.”, - thotë kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri.
Këtë herë, çështja është akoma më shqetësuese sepse në vjedhje është përfshirë edhe vetë shteti, ndërkohë që një dukuri e ngjashme ka ndodhur edhe në Kosovë, me tenderat që jep Ministria apo komunat në blerjet për librat, që i çon në biblioteka të ndryshme.
“Në MV, situate është skdandaloze. Kanë avancuar aq sa vetë shteti, kryetari i komunës ble libra të vjedhur, libra të botuesve shqiptarë. Janë 5450 libra. E kam hedhur në gjyq. Dëmi është i madh ndaj botuesve shqiptarë, jo vetëm ekonomik por edhe moral.”, - thotë botuesi i "Onufri"-t, Bujar Hudhri.
Ndër librat e piratuar janë ata të Ismail Kadaresë dhe autorëve të tjerë shqiptarë e jo vetëm.
“Pikërisht ky kryetar i komunës i dha titull nderi Kadaresë dhe e përdor këtë ngjarje: ble libra të Kadaresë, Markezit dhe autorëve të tjerë shqiptarë, Petro Marko etj. Kjo është e palejueshme.”, - bën me dije Hudhri.
Sipas botuesve çështja është shqetësuese sa i përket edhe masave që mund të merren institucionalisht.
“Institucionet lëvizin shumë ngadalë. Për një gjyq që vazhdoi 6 vjet dëmi që iu njoh nga gjykata shtëpisë botuese “Onufri” është 250 Euro.”, - tregon Ymeri.
Pirateria e librave është problem edhe në Shqipëri, por këtu në formatin elektronik, pasi ka libra të shumtë që skanohen, futen në portale të ndryshme dhe shiten. Botuesit ngrenë zërin sa i përket këtij fenomeni, por shprehen pesimistë për mbrojtjen që u ofrohet.
“Shteti shqiptar s’do t’ia dijë fare për librat dhe më duket qesharake ta ngre këtë problem në një zyrë të shtetit shqiptar.”, - thotë botuesi Hudhri.
“Ne nuk kemi ministri kulture. Nuk kemi as drejtori të librit dhe bibliotkave që prej vitit 2014. “, - thotë Ymeri.
Ata përmendin si problematik edhe faktin që libri shqiptar qarkullon me doganë në vendet shqipfolëse: Kosovë, MV dhe Mali i Zi.
Komente
